
Në takimin përmbyllës të fushatës në Durrës, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kandidatët socialistë si të lidhur me krimin.
Nga qyteti bregdetar, Berisha tha se ‘kandidatët e Partisë Socialiste se nuk kanë vend në Parlament’.
“Të dashur miq, ne jemi krenarë me këta zotërinj dhe këto zonja se para së gjithash dhe mbi të gjitha këta janë një grup qytetarësh midis jush, që u përfaqësojnë ju, përfaqësojnë moralin tuaj, vlerat tuaja, interesat tuaja, virtytet tuaja. Këto zonja dhe zotërinj dallojnë si nata me ditën, si e vërteta me gënjeshtrën me kandidatët e Sakos, me kandidatët e Pojës, me kandidatët e Hajrit, me kandidatët e terroristëve elektoralë, të cilët do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj. Miq, këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.
Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë. Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre. Për ta nuk ka vend në parlament. Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.
E dashur Ermira, krenaria e Durrësit, krenaria e Shqipërisë dhe krenaria e kombit.
Historia që tregove këtu, arritjet tuaja janë një frymëzim për çdo shqiptar, janë frymëzim për çdo të ri dhe të re, dëshmi e asaj se çfarë mund të bëjnë me vullnetin e tyre, me karakterin e hekurt, me guximin e tyre, të rinjtë dhe të rejat mund të kapin Everestet e të gjitha fushave, në sport, në shkencë dhe kudo tjetër“.
Me fokusin te rinia, kreu i opozitës, Sali Berisha, përmbylli takimin elektoral në Durrës, prej ku premtoi një fond të veçantë prej 5 milionë eurosh për talentet e reja.
Top Channel