
Nga takimi përmbyllës i fushatës në Elbasan, kryesocialisti Edi Rama ironizoi sërish drejtuesin e PD-së në qarkun e Elbasanit, Tomor Alizotin.
Ke gjetur njerëzit e gabuar për t’u marrë, tha Rama, duke iu referuar deklaratës së Alizotit, kur tha “do t’ju hamë të gjallë”.
“Paradite shkova në Librazhd dhe pata një moment që më kapi frika kur po i afrohesha Librazhdit. Më kapi frika se thashë mos më ha Alizoti të gjallë. Por, shkoj atje dhe gjej lumë. Shih andej, shih këtej se pashë asgjëkundi Ludovikun. Tani që ju pashë juve, mendova me vete, e kupton mor Tomor se çfarë do të hash të gjallë ti apo jo. S’e ka një fjalë populli shqiptar Tomor, thotë ‘tamaja modhe të le pa gjo’. Por, me sa shoh unë, tamaja modhe, ty do të lejë pa zo. O Ludovik, ke gjet vendin më të gabum, njerëzit më të gabum, forcën më të gabume me u ngatërro mo Tomor. Më del para syve Tomori dhe e mendoj në datë 12”, tha kryetari i Partisë Socialiste.
Tomor Alizoti, drejtuesi i PD në qarkun e Elbasanit, paralajmëroi socialistët nga Librazhdi duke thënë se “do t’ju hamë të gjallë nëse prekni demokratët.”
“Juve do iu hamë të gjallë nëse prekni demokratët, nëse vendosni mina s’do ju ndahemi kudo ku jeni. Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj , do ju hamë të gjallë. Mos guxoni t’iu shkoni njerëzve nëpër shtëpia natën, mos guxoni të fusni duart ditën e zgjedhjeve. Doktor, jepi se ty të kanë më shumë frikë”, tha ai.
Top Channel