
Një fushatë e re ka nisur në rrjete sociale. Teknologjia po ndihmon në informimin e shqiptarëve për procesin zgjedhor.
Platformat digjitale amerikane si Facebook dhe Instagram po përpiqen të inkurajojnë përdoruesit në Shqipëri mbi rëndësinë e votës.
“Njoftimi i parë që më doli sa hapa Facebook ishte pikërisht thirrja për të votuar, dhe në momentin kur e klikoje lidheshe direkt me faqen e KQZ-së”, tha aktivistja Suela Koçibellinj.
Kjo iniciativë ndërlidhëse me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas aktivistëve është një përpjekje pozitive që mund të rris pjesëmarrjen në votime, sidomos të votuesve për herë të parë.
“Për sa kohë të rinjtë janë gjithë kohës në rrjete sociale, kjo është një mënyrë për ti trokitur atyre e për ti dalë para syve se kështu ata edhe do të kujtohen. Sepse të rinjtë në përgjithësi e shohin votën si një përgjegjësi të të rriturve, që nuk ka të bëjë me ta se ne 18 vjeç jemi ‘ç’duam ne me të? Ndërkohë teknologjia këtë ka bërë e ka sjell afër botës së të rinjve për të kuptuar që po është edhe e jotja. E bën edhe më interesante, jo për ta kthyer në lojë. Sepse sigurisht vota ka peshën e saj!”, tha Koçibellinj.
Domethënëse veç postimeve “Le të votojmë” më 11 maj, për të informuar sa më shumë zgjedhës mbi të drejtën e votës, i rëndësishëm vlerësohet edhe informacioni zgjedhor.
“Unë vendos për të votuar, se të votosh nuk do të thotë të shkosh vetëm deri në 11 maj nga ora 7 deri në 7 të darkës. Të votosh do të thotë të informohesh, të kuptosh listën e kandidatëve, programet të njohësh se kush përfaqëson interesat e tyre”, tha Koçibellinj.
Teknologjia gjithashtu është shfrytëzuar në këto zgjedhje parlamentare edhe nga kandidatët për deputetë, të cilët fushatën veç takimeve në terren e kanë përqendruar edhe online.
“Kandidatët janë aktivë, edhe ata që s’kanë pasur llogari në rrjete sociale, e kanë hapur Instagramin p.sh. një javë para se t’iu dilte emri në listë. Sot janë shumë të angazhuar”.
Top Channel