
Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë një sulm të përbashkët kundër Houthive në Jemen, me SHBA-në, pas sulmit me raketa balistike pranë Aeroportit Ben Gurion të dielën.
Të paktën gjashtë bombardime janë raportuar në orët e fundit pranë portit të Hodeidah në Jemen, sipas rrjetit televiziv Al Masirah të lidhur me rebelët Houthi, i cili ia atribuon përgjegjësinë për sulmet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Edhe pse nuk ka pasur konfirmim zyrtar, gazetari i Axios, Barak Ravid, raportoi, duke cituar një zyrtar amerikan, se Izraeli nisi sulme kundër Jemenit në koordinim me SHBA-në. Në të njëjtën kohë, Times of Israel dhe Channel 12 konfirmuan informacionin, duke cituar një zyrtar izraelit.
Dje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi hakmarrje për sulmin me raketa të Houthive në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv.
Zonat e kontrolluara nga Houthit në Jemen janë bombarduar pothuajse çdo ditë që nga 15 marsi, kur SHBA-të filluan një fushatë sulmesh ajrore kundër rebelëve, që synonin t’i detyronin ata të ndalonin kërcënimin e anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Që nga nëntori i vitit 2023, Huthit nisën sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe anijeve të cilat ata besojnë se janë të lidhura me Izraelin, SHBA-në dhe Britaninë, duke pretenduar se po vepronin në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës.
Ky është sulmi i gjashtë ajror izraelit kundër Huthive që nga korriku i vitit 2024, pas më shumë se 400 sulmeve nga përfaqësuesi iranian kundër Izraelit gjatë luftës.
Kundërsulmi i fundit i Izraelit kundër Huthive ishte më 11 janar, përpara se Presidenti i SHBA-së Donald Trump të merrte detyrën.
Që atëherë, Izraeli ka shpresuar se më shumë se 1,000 sulmet ajrore amerikane nën Trump do të jenë të mjaftueshme për të ndaluar sulmet e Huthive ndaj Izraelit, pa përfshirë drejtpërdrejt Jerusalemin.
Sulme ajrore të koordinuara
Megjithatë, sulmi i suksesshëm i Huthive pranë Ben Gurion i përmbysi llogaritjet.
Më 11 janar, Forcat Ajrore Izraelite, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, kryen sulmet ajrore më të mëdha të koordinuara të luftës kundër rebelëve në Jemen deri në atë pikë, duke synuar një termocentral dhe dy porte të përdorura nga grupi i mbështetur nga Irani.
Objektivat e goditura nga Izraeli më 11 janar përfshinin instalime ushtarake në termocentralin Hezyaz dhe instalime ushtarake në portet e Hodeidah dhe Ras Issa në bregdetin perëndimor.
Më shumë se 20 avionë izraelitë morën pjesë në sulmet e 11 janarit, duke hedhur afërsisht 50 raketa mbi objektiva terroriste në Jemen.
Sulmet ajrore në portin Ras Issa të Jemenit në janar shënjestruan objektet e magazinimit të naftës në zonën e portit, dhe nuk u raportua asnjë dëmtim në anijet tregtare, sipas firmës britanike të sigurisë Ambrey.
Sipas raportimeve, 12 sulmet në veri të kryeqytetit u kryen nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar në infrastrukturën nëntokësore që i përkiste lëvizjes Huthi.
Top Channel