George Simion drejt presidencës rumune, kush është lideri i së djathtës ekstreme që sfidon BE-në dhe mbështet Trumpin

05/05/2025 09:04

Rumania ka marrë një kthesë të fortë drejt së djathtës ekstreme, e konfirmuar të dielën në mbrëmje me fitoren e George Simion në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Simion, një ultranacionalist 38-vjeçar që kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe është kritik i hapur i Bashkimit Evropian, mori 40.5% të votave.

Pas tij, me një diferencë të konsiderueshme, u rendit kryetari i bashkisë së Bukureshtit, Nikosor Dan, me 20.89%, ndërsa kandidati i përbashkët i aleancës qeverisëse, Crin Antonescu, mori 20.34%.

Sipas “The Guardian”, nëse Simion përballet me Danin në raundin e dytë, pritet që ai të fitojë me lehtësi.

Kush është George Simion?

Simion ka një profil politik të formuar mbi baza nacionaliste dhe konservatore. Ai studioi histori dhe u përfshi herët në lëvizje që promovonin bashkimin e Rumanisë me Moldavinë. Në vitin 2019 themeloi partinë e tij, AUR (Aleanca për Bashkimin e Rumunëve), pas një përpjekjeje të pasuksesshme për t’u zgjedhur si eurodeputet i pavarur.

Ai është një admirues i deklaruar i Donald Trump dhe shpesh shfaqet me kapele të kuqe “Make America Great Again”. Stilistikisht dhe ideologjikisht, partia e tij frymëzohet nga lëvizja MAGA – duke promovuar vlera konservatore, qëndrime anti-globaliste dhe kundërshtimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Konfliktet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet me fqinjët

Në vitin 2024, Ukraina ia ndaloi hyrjen për tre vjet, duke e akuzuar për veprimtari të vazhdueshme anti-ukrainase – akuzë që ai e mohon, duke thënë se është “thjesht pro-rumun”. Edhe Moldavia i ka ndaluar hyrjen për arsye sigurie kombëtare.

Simion ka qenë kritik i ashpër i BE-së, duke deklaruar se nuk do të respektojë ligjet europiane që bien ndesh me interesat e Rumanisë, ndonëse ka theksuar se vendi duhet të mbetet pjesë e Unionit.

Mbështetës i Melonit dhe kritik i anulimit të zgjedhjeve

Përveç Trump, Simion ka shprehur mbështetje të madhe për kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën e ka quajtur “heroinë politike” dhe ka bërë thirrje për një “Melonizim të Evropës”. “Besojini fjalëve të mia”, i tha ai “Politico”-s nëntorin e kaluar.

Pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, ku fituesi Calin Gheorghescu u skualifikua për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse, popullariteti i Simionit u rrit ndjeshëm. Ai e dënoi anulimin si një sulm ndaj demokracisë dhe ka premtuar se, nëse zgjidhet, do t’i japë Gheorghescut një post të lartë shtetëror.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta