Fiks Fare/ 5 familje jetojnë mes përmbytjeve në ujëmbledhësin e Bovillës. Pas 31 vitesh ende nuk janë shpronësuar

05/05/2025 20:42

Pesë familje të lagjes Gjonaj në Bovillë  prej 31 vitesh vuajnë përmbytjet dhe jetojnë mes mbeturinave në ujëmbjellësin e Bovillës.

Ata nuk janë shponësuar prej kaq e kaq kohësh edhe pse për banorët që prekeshin nga ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës janë miratuar plot tre VKM.

Banorët shprehen për Fiks Fare se që nga viti 1994 kur filloi puna për ujëmbledhësin e Bovillës, përmbyten sa herë rritet niveli i lumit Tërkuzë dhe jetojnë mes mbeturinave që sjell ky lumë, që derdhet në Bovillë.

Ata banojnë në pikën ku lumi Tërkuzë derdhet në ujëmbledhësin e Bovillës. Me ndërtimin e Bovillës u ngrit dhe shtrati i lumit, i cili në vitet e fundit ka shumë prurje dhe shkakton përmbytje. Ndërkohë që prurjet e lumit kanë  ‘gllabëruar’ mijëra metra tokë bujqësore të këtyre banorëve, duke e bërë edhe më të vështirë jetesën e tyre.

Ata kalojnë mes përmes lumit me fëmijët në krahë për të shkuar në shtëpi se nuk kanë as rrugë. Fëmijët në shkollë i çojnë me zetora.

Ata shprehen për Fiks Fare se pjesa tjetër e banorëve përfituan nga shpronësimet, këto 5 familje, sot pas 31 vjetësh, nuk kanë përfituar asgjë, janë të detyruar të jetojnë anës Bovillës.

Gjithashtu një problem tjetër  i cili përbën shumë rrezik është fakti se  liqeni nuk është i rrethuar dhe përbën rrezik për fëmijët. Ata tregojnë se një fëmmijë është mbytur në liqen, fatmirësisht një tjetër është shpëtuar nga vetë banorët.

Fiksi u interesua në Njësinë Administrative Zall Bastar , ku kryetari Hamza Sita shprehet se ka bërë masimunin e tij me kërkesa dhe sipas tij e ka në dorë Ministria e Bujqësisë shponësimin e këtyre banorëve.

Fiks Fare u interesua edhe  në  Ministrine e Bujqësisë. Zëdhënësja e kësaj ministrie e hoqi pergjegjësinë e insticionit nga procesi i shpronësimit duke ia adresuar atë Bashkisë Tiranë. Nga ana tjetër Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj për Fiks Fare sqaron se  nuk ka asnjë përgjegjësi dhe as ka ndjekur ndonjëherë procesin e shpronësimit të këtyre banorëve.

Bashkia thotë se 31 vite më parë kur u miratua ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës  , u morën masat për të gjitha familjet që përmbyteshin nga ujëmbledhësi në rrethinën e Tiranës dhe të Krujës që të shpërnguleshin në zonën e Bathores dhe të Babrrusë. Për këtë proces u ngarkuan Këshillat e rretheve Krujë dhe Tiranë që brenda muajit Mars të vitit 1994 të përcaktonin numrin e saktë të familjeve që do shpërnguleshin.

Më pas u miratuan 3 VKM në vite të ndryshme, por asnjëra prej tyre nuk zgjidhi problemin e banorëve të lagjes Gjonaj.

Në vitin 2000 u miratua një VKM për shpronësim dhe kompesimin e tokës bujqësore të familjeve të fshatrave Zall Mner dhe Bulçesh, që përmbyten nga ujëmbledhësi i Bovillës. Pika  5 e këtij vendimi ngarkon  Ministria e Punëve Publike dhe Këshillin e rrethit të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.

Në vitin 2016 doli një tjetër VKM, e cila  ngarkonte Aluizmin e atëhershëm për kalimin e pronësisë mbi objektin dhe truallin për objektet e ndërtuara për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës.

Edhe VKM e miratuar në  vitin 2017 për kompensimin e familjeve të fshatrave Zall Mner dhe Bulçesh  ku u ngarkua Ministria e Infrastrukturës dhe Enerigjisë, nuk bëri shponësimin për lagjen Gjonaj.

Pra 3 VKM për të njëjtin qëllim, por asnjëra nuk zgjidhi problemin e 5 familjeve që prej 31 vitesh kërkojnë të drejtën e tyre.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta