
Policia e Fierit ka reaguar zyrtarisht pas shoqërimit në polici të kandidatit për deputet të PD në Fier Fatjon Semanjaku.
Sipas policisë, rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.
Pasi policia tentoi të hiqte posterin, ai e ka kundërshtuar dhe më pas është shoqëruar në komisariat.
“Në lidhje me një lajm të publikuar për shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. S. (Kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), sqarojmë se:
Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.
Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron subjektet politike dhe qytetarët se shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar e goditur paligjshmëritë si dhe për të garantuar rendin e sigurinë”, sipas policisë.
Top Channel