
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Laç.
Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin, raporton korrespondentja e Top Channel, Brixhilda Deda.
Të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Konflikti verbal 5 minuta më vonë ka agravuar në përdorimin e pistoletave. 5 minuta para ngjarjes ka ndodhur konflikti për prekjen e pasqyrave të makinës dhe e kanë lënë të takohen e të sqarohen pak më tutje në rrugën ku ndodhi edhe ngjarja. Sapo kanë ndaluar dhe zbritur, Ndreca ka nisur të qëllojë me armë. Ndreca dhe Gjeloshi kanë qëlluar me armë në drejtim të njëri-tjetrit. Klevis Ndreca ka qëlluar me armë drejt tre të rinjve të tjerë, të cilët i la të plagosur (sot në spital ndërroi jetë Gerald Bitri), nga të shtënat me armë i plagosur aksidentalisht mbeti edhe shoku i tij Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante. Me armë zjarri pistoletë është kundërpërgjigjur edhe Daniel Gjeloshi por nuk ka plagosur asnjë person. Arma që u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes i përket 26-vjeçarit Daniel Gjeloshi.
Klevis Ndreca është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes, ku ka dorëzuar edhe armën e krimit. Në dëshminë e tij paraprake, Ndreca ka deklaruar se ka qëlluar me armë drejt të rinjve sepse është trembur pasi sipas tij i ka parë që kanë pasur armë dhe kanë dashur ta godasin.
Top Channel