1.6 milionë dollarë të mbledhura nga mijëra shqiptarë të diasporës për ndihmë pas tërmetit. 6 milionë dollarë për një kontratë lobimi në SHBA nga Partia Demokratike. Një kontrast që ngre pyetje të natyrshme mbi burimin dhe transparencën e fondeve.

Pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, solidariteti i shqiptarëve në diasporë ishte i menjëhershëm dhe i prekshëm. Brenda pak javësh, komuniteti shqiptaro-amerikan arriti të mblidhte 1.6 milionë dollarë për të ndihmuar familjet e prekura në Shqipëri. Fushata u zhvillua në mënyrë publike, me pjesëmarrje masive dhe raportim të hapur mbi përdorimin e fondeve.

Katër vjet më vonë, një tjetër shumë financiare hyn në qarkullim publik: 6 milionë dollarë të dedikuara për një kontratë lobimi dyvjeçare në SHBA, e nënshkruar nga Partia Demokratike. Lajmi për marrëveshjen u bë i ditur pak ditë më parë, por deri më tani, nuk është dhënë asnjë informacion konkret mbi mënyrën e financimit, burimin e fondeve apo strukturën e plotë të marrëdhënies kontraktuale.

Ndërsa në rastin e fushatës humanitare pas tërmetit fondet u mblodhën nga dhjetëra mijëra qytetarë dhe u menaxhuan përmes organizatave të njohura, në rastin e lobimit politik kemi të bëjmë me një shumë shumë më të madhe — e cila, sipas informacioneve të bëra publike, është mundësuar nga një numër shumë i vogël individësh.
Megjithatë, identiteti i plotë i kontribuesve, kapaciteti real financiar për të përballuar një kontratë të tillë dhe mekanizmi ligjor i pagesës nuk janë sqaruar.

Kjo sjell në kujtesë një tjetër rast lobimi nga viti 2017, kur një kontratë më modeste prej 675 mijë dollarësh shkaktoi debat të madh publik, pasi një pjesë e saj ishte paguar përmes një kompanie offshore me pronësi të paqartë. Në atë kohë, pati kërkesa për hetim dhe transparencë.

Sot, me një shumë gati dhjetëfish më të lartë, një debat i ngjashëm mungon.

Ndërkohë që një kontratë lobimi mund të jetë mjet legjitim për rritjen e përfaqësimit ndërkombëtar të një partie politike, shifra të tilla kërkojnë një nivel të caktuar transparence, sidomos kur përballen me kujtesën kolektive të rasteve të mëparshme ku mungesa e qartësisë ka shkaktuar polemika dhe dyshime.

Nisur nga përmasat financiare dhe peshën politike të një kontrate të tillë, është e natyrshme që publiku të kërkojë më shumë informacion: Kush janë kontribuesit realë? A janë fondet siguruar nga burime individuale të deklaruara? A ekziston ndonjë formë ndërmjetësimi apo financimi të jashtëm?

Në një klimë politike ku besimi i qytetarëve në proceset publike është i brishtë, transparenca financiare nuk është vetëm një standard etik, por një domosdoshmëri demokratike. Kontratat lobuese të partive politike nuk janë as ilegale dhe as të papërshtatshme në vetvete — por në mungesë të transparencës, ato rrezikojnë të prodhojnë më shumë dyshim sesa ndikim.

Për këtë arsye, është në interesin e çdo subjekti politik që operon me fonde të mëdha — të sqarojë qartë jo vetëm qëllimin, por edhe burimin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta