Vazhdon procesi i votimit për diasporën! Kompania postare për TCH: Deri sot kemi dorëzuar 55.528 zarfe në Greqi. Problem mbetet…

02/05/2025 13:57

Pas një komunikimi të Top Channel me kompaninë postare, kjo e fundit bëri publike shifrat e dorëzimit të zarfeve me fletët e votimit në Greqi.

Sipas kësaj kompanie deri paraditen e së premtes (datë 2 maj) janë dorëzuar në dorë të votuesve 55.526 zarfe nga 68340 që është numri total i votuesve të regjistruar, ose 81.3%, raporton korrespodenti i Top Channel, Artur Bibe.

10.790 zarfe tjetër janë tentuar te dorëzohen, por kjo s’ka qenë e mundur për shkak të adresave të gabuara, të dhënave të jo të sakta ose marrësit nuk janë gjetur në banesë.

Me 2.025 persona është komunikuar dhe është kërkuar prej marrësve të zarfit të dorëzohen në një pikë të caktuar, prej nga ku vetë klienti do të paraqitet ta tërheqë zarfin.

Problem mbetet kthimi i zarfeve të dorëzuara prej klientëve (votuesve) të cilët kanë marrë zarfin por ende nuk e kanë kthyer atë te fletëvotimi të plotësuar.

Kompania postare thotë se vetëm 19.733 janë kthyer mbrapsht në zyrat e kësaj kompanie të plotësuara, dhe rreth 2000 të tjera janë në proces dorëzimi.

Kompania u bën thirrje votuesve që e kanë marrë zarfin, ta plotësojnë dhe ta dorëzojnë atë sa me shpejtë me qëllim dorëzimin e tyre pranë KQZ në kohë.

Me qëllim mbylljen e këtij procesi sa më shpejtë dhe me cilësi të lartë, kompania postare njofton se ka vënë në dispozicion të procesit mjete dhe personel shtesë, pasi shqiptarët që jetojnë në territorin e Greqisë janë të shpërndarë në ishuj, zona dhe fshatra të largëta dhe të izoluara ku dorëzimi i materialeve zgjedhore kërkon kosto të shtuara, për të cilat vetë kjo kompania ka marrë përsipër.

Në total, në rang botëror janë dërguar mbrapsht të plotësuara 144.605 zarfe nga 245.900 të tillë të dërguar në adresë të votuesve të diasporës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta