Uashingtoni shpall dy banda haitiane si organizata terroriste

02/05/2025 21:15

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë përcaktuar dy banda haitiane si “organizata terroriste të huaja”, në një kohë kur organizatat kriminale të vendit po intensifikojnë përpjekjet e tyre për të zgjeruar kontrollin e tyre mbi ishullin.

“ Departamenti i Shtetit i ka shpallur Viv Ansanm dhe Gran Grif si organizata terroriste të huaja (…) Epoka e pandëshkueshmërisë për ata që mbështesin dhunën në Haiti ka mbaruar”, tha Marco Rubio në një deklaratë.

Haiti, vendi më i varfër në Amerikë, është përballur prej kohësh me dhunën e bandave të akuzuara për vrasje, përdhunim, plaçkitje dhe rrëmbim, në një sfond të paqëndrueshmërisë politike. Më shumë se 1,600 njerëz, shumica prej tyre anëtarë të bandave, u vranë në Haiti në tremujorin e parë të vitit, sipas OKB-së. “Bandat haitiane, veçanërisht koalicioni Viv Ansanm dhe Gran Grif, janë burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe dhunës në Haiti. “Ato përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së në rajonin tonë”, shtoi Rubio, duke nënvizuar se “qëllimi i tyre përfundimtar është të krijojnë një shtet të kontrolluar nga bandat ku trafikimi i paligjshëm dhe aktivitete të tjera kriminale do të ndodhin lirisht, duke terrorizuar qytetarët haitianë”.

SHBA-të tashmë e kanë cilësuar kartelin meksikan Sinaloa, bandën venezueliane Tren de Aragua dhe bandën salvadoriane MS-13 si “organizata terroriste”.

Haiti, i qeverisur nga një qeveri kalimtare, ka përjetuar një valë të re dhune që nga mesi i shkurtit. Bandat, të cilat kontrollojnë pothuajse 85% të kryeqytetit Port-au-Prince, kanë shumëfishuar sulmet në zonat që nuk janë nën kontrollin e tyre, duke mbjellë panik midis banorëve. Misioni Shumëkombësh i Sigurisë (MMAS), i udhëhequr nga Kenia, është vendosur pjesërisht në vend për të ndihmuar policinë lokale. Ky mision, i cili ka marrë një mandat përkatës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, aktualisht ka 1,000 oficerë policie nga gjashtë vende, por qëllimi është që numri i anëtarëve të tij të rritet në 2,500.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta