Trajneri legjendar i NBA-së lë pankinën pas 29 vitesh, Popovich merr rolin e presidentit

02/05/2025 21:11

Një epokë e basketbollit amerikan ka marrë fund. Gregg Popovich, trajneri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm në historinë e NBA-së, ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit kryesor të San Antonio Spurs, pas plot 29 sezonesh në krye të skuadrës.

Lajmin e konfirmoi vetë klubi të premten, duke njoftuar gjithashtu se Popovich, 76 vjeç, do të vijojë karrierën e tij si president i operacioneve të basketbollit në organizatën e Spurs.

Popovich mban rekordin për më shumë fitore në sezonin e rregullt në NBA – plot 1,422 ndeshje të fituara – dhe ka udhëhequr Spurs drejt pesë titujve kampionë, për herë të fundit në vitin 2014.

“Ndërsa dashuria dhe pasioni im për lojën mbeten, kam vendosur që është koha të largohem si trajner kryesor,” – tha Popovich. “Jam përjetësisht mirënjohës ndaj lojtarëve, stafit dhe tifozëve të mrekullueshëm që më lejuan t’u shërbej atyre për kaq gjatë. Tani mezi pres të vazhdoj të mbështes këtë organizatë dhe komunitetin që më ka dhënë kaq shumë.”

Popovich nuk u pa në pankinë në fund të sezonit, pasi në nëntor pësoi një goditje të lehtë në tru. Gjatë mungesës së tij, Spurs nuk arritën të sigurojnë një vend në play-off, duke e përfunduar sezonin 2024-25 me bilancin 34 fitore dhe 48 humbje – zgjatja e një mungese në fazën pas sezonit që nga viti 2019.

Nga ndihmës në legjendë

Gregg Popovich mbërriti për herë të parë në San Antonio në vitin 1988 si ndihmës trajner. Pas një periudhe dyvjeçare me Golden State Warriors, ai u kthye dhe mori drejtimin e ekipit në vitin 1996. Me një karrierë që shtrihet në katër dekada, ai është një nga figurat më të respektuara në sportet amerikane.

Popovich udhëhoqi gjithashtu ekipin kombëtar të SHBA-ve në basketboll drejt medaljes së artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, dhe në vitin 2023 u pranua zyrtarisht në Sallën e Famës së Basketbollit si trajner.

Pas largimit të tij, trajneri më jetëgjatë aktiv në NBA bëhet Erik Spoelstra i Miami Heat, i cili ka qëndruar në krye të ekipit që nga viti 2008.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta