Fund i luftës me Rusinë përmes lënies së territorit? Ukrainasit e refuzojnë: Nuk ka garanci që sjell paqen

02/05/2025 14:12

Vitali Klitschko, ish-boksieri i peshave të rënda dhe tani kryetar i bashkisë së Kievit, hyri muajin e kaluar në një territor të rrezikshëm politik: ai sugjeroi me kujdes në një intervistë se Ukraina mund të ketë nevojë të heqë dorë nga një pjesë e territorit për të përfunduar luftën me Rusinë.

Pas një vale komentesh të zemëruara në rrjetet sociale, ai i tërhoqi fjalët e tij, duke shkruar në Facebook se “koncesionet territoriale bien ndesh me interesat tona kombëtare dhe duhet të luftojmë kundër zbatimit të tyre deri në fund”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe negociatorët e tij besojnë se mënyra e vetme për ta përfunduar luftën e Rusisë në Ukrainë është që Kievi të pranojë në një formë se nuk do ta rimarrë tokën ukrainase të pushtuar nga trupat ruse që prej fillimit të pushtimit.

Por episodi me Klitschko – së bashku me sondazhet e opinionit të ndara ekskluzivisht me Reuters – tregon se, më shumë se tre vjet pas fillimit të luftës, shumica e ukrainasve nuk janë të gatshëm të japin territor në këmbim të një marrëveshjeje armëpushimi.

Gjendja e opinionit publik shpjegon pse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i cili pritet të rikandidojë, i ka rezistuar presionit të Trump për të pranuar koncesione territoriale në negociatat për armëpushim.

Një sondazh nga Gradus Research i ndarë ekskluzivisht me Reuters tregoi se pothuajse tre të katërtat e popullsisë nuk e shohin dorëzimin e territorit si një mënyrë për ta përfunduar luftën.

“Shumica e të anketuarve besojnë se qëllimi kryesor i Rusisë në këtë luftë … është të vendosë kontroll të plotë mbi vendin tonë”, tha Gradus në një shënim kërkimor.

“Koncesionet territoriale ukrainase nuk perceptohen si kompromis apo garanci për paqe – përkundrazi, ato mund vetëm ta forcojnë agresorin”

Rusia ka mohuar se synon të marrë kontrollin e Ukrainës, por forcat e saj marshuan drejt Kievit gjatë pushtimit të plotë në vitin 2022, përpara se ushtria ukrainase t’i shtynte pas drejt jugut dhe lindjes.
Sondazhi ukrainas i zhvilluar këtë javë tregoi se 40% e të anketuarve besojnë se edhe në rastin e koncesioneve, paqja do të ishte vetëm e përkohshme dhe e paqëndrueshme. 31% mendonin se koncesionet nuk do të sillnin fare paqe, sipas Gradus.

Rusia aktualisht kontrollon de facto rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë të cilin e pushtoi dhe e aneksoi njëanshëm në vitin 2014, si dhe pjesë të mëdha të katër rajoneve të tjera në lindje dhe juglindje të Ukrainës.

Sipas negociatorëve amerikanë, shumë aleatë evropianë të Ukrainës dhe disa ukrainas në biseda private thonë se Ukraina do të duhet ta pranojë humbjen e territorit për ta përfunduar luftën.

Ukrainasit janë të lodhur dhe përballen me një armik më të madh dhe më të fuqishëm. Përpjekjet e tyre për ta shtyrë Rusinë prapa në fushën e betejës kanë dështuar që në vitin e parë të luftës, dhe partnerët perëndimorë nuk u kanë dhënë ndihmë të mjaftueshme ushtarake për të arritur një fitore vendimtare.

Zelenskyy ka pranuar se Ukraina nuk mund t’i rikthejë territoret e saj me forcë ushtarake, por thekson se dorëzimi formal i tokës bie ndesh me kushtetutën e vendit.Kundërshtimi ndaj dhënies së tokës është zbutur ndërsa lufta ka vazhduar. Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev (KIIS) tregojnë se në mars rreth 39% mbështesnin koncesionet territoriale, krahasuar me vetëm 10% në maj të vitit 2022.

Megjithatë, u zbulua gjithashtu se në mars 50% e ukrainasve e refuzonin idenë e dorëzimit të çfarëdo territori ndaj Rusisë, shifër pak më e ulët nga 51% në dhjetor.Të dhënat nga një tjetër agjenci sondazhi – Qendra Razumkov – nga një sondazh i realizuar në shkurt-mars treguan se pothuajse 82% e të anketuarve ishin kundër çdo njohjeje formale të territoreve të pushtuara.

“Përkufizimi i koncesioneve territoriale që më shumë se gjysma e popullsisë mund t’i pranojë me zemër të rënduar është një njohje de facto e pushtimit pa njohje de-jure”, tha Anton Hrushetskyi nga KIIS, duke shtuar se vendi do të duhet të marrë garanci sigurie në këmbim.

Përveç ndërhyrjes jetëshkurtër të Klitschko, asnjë figurë e njohur në politikën apo jetën publike ukrainase nuk po përpiqet të promovojë një debat kombëtar mbi nevojën për të pranuar humbjen e territorit.

Evhen Mahda, një analist politik në Kiev, tha se nevojitet një dialog mes udhëheqjes së vendit dhe shoqërisë për çështjen e dhënies së tokës për të siguruar një pranim të gjerë të një marrëveshjeje të mundshme.

“Fatkeqësisht, duhet të jemi realistë”, tha Mahda, në lidhje me kushtet e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës, duke shtuar se shumë ukrainas ende e perceptojnë diskutimin për kompromis territorial si një tradhti.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta