Mesazhi i kryeparlamentares Elisa Spiropali për ‘1 Maj’: Kuvendi i angazhuar për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës

01/05/2025 11:36

Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, tha kryeparlamentarja Elisa Spiropali, në mesazhin e saj në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Puna e denjë është themeli i një shoqërie të drejtë, shkruan Spiropali, që premton forcimin e mbrojtjes ligjore të punëtorëve dhe përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në tregun e punës.

“1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Respekt e mirënjohje për punëtoret dhe punëtorët shqiptarë, që çdo ditë, me përkushtim e sakrificë, mbajnë gjallë ekonominë, kujdesen për familjet e tyre dhe ndërtojnë një Shqipëri europiane, më të zhvilluar, më solidare.

Puna e denjë është themeli i një shoqërie të drejtë. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar të mbështesë: Rritjen e pagave dhe ngushtimin e dallimeve e të pabarazisë; Përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë, sidomos në sektorët e prodhimit; Forcimin e mbrojtjes ligjore të punëtorëve; Përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në tregun e punës; Zgjerimin e hapësirave për punësimin e të rinjve, për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri”, shprehet Spiropali.

1 Maji është një festë e themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.

Historia e dhunës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1880, tregoi se punëdhënësit do të përdornin arsenalin e tyre, që nga gjykatat, deri të policia. Ndërkohë që vrasjet në një nga sheshet kryesore të Çikagos, treguan se sa shumë ishte përkeqësuar situata. Por, përpjekjet e punëtorëve për ditën 8-orëshe të punës në vitin 1880 treguan vendosmërinë e tyre.

Lëvizja nisi më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve (paraardhëse e Federatës Amerikane të Punëtorëve) hartoi rezolutën se “duke nisur nga 1 maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8-orësh”.

Më 1 maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve.

Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.

Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta