
Angazhimi politik për të kërkuar besimin e qytetarëve është njëra anë e fushatës elektorale.
Është vetëm ajo që duket. Ana tjetër e rëndësishme është organizimi, monitorimi dhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Roli parësor në këtë proces i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i këtij institucioni, Ilirjan Celibashi, shqyrton çdo problematikë dhe koordinon grupin që të ofrohen zgjidhjet.
Gjatë fushatës monitorohen të gjitha partitë politike. Nëse konstatohen shkelje, nis trajtimi i tyre. Mblidhen denoncimet e ndryshme të palëve, të cilat verifikohen nga ekipet në KQZ dhe procedohen më tej nëse konstatohen të sakta. Por, cila është rruga konkrete që ndjek hartimi dhe depozitimi i një ankese?
“Nga ana jonë administrohen në këtë formë, pra në rast se plotësohet në faqe denoncimi, na vjen me e-mail, kontrollojmë fillimisht të gjitha që duhet të ketë, pra subjekti i denoncuar, denoncuesi, objekti i denoncimit dhe një përshkrim të shkurtër të asaj çka ne denoncojmë”, u shpreh Pavlina Doçaj, drejtoreshë e ligjshmërisë.
Në këtë proces, një premtim i vjetër i partive u harrua thuajse nga të gjithë: votimi dhe numërimi elektronik. Teknologjia do të përdoret vetëm në dy zona, në Vorë dhe në njësinë administrative nr. 10. Ndonëse u testua dhe pritej të zgjerohej harta ku do të implementohej, nuk ndodhi kështu. Opozita e ka kontestuar, duke e cilësuar si rrezik për manipulim. Ndërkohë, mazhoranca nuk tentoi të bëjë përpjekje shtesë në këtë drejtim. Edhe pse i kujdesshëm, Komisioneri Celibashi nuk e fsheh kritikën për palët.
“Edhe pse dua ta rikonfirmoj, që shqetësimi i asaj pjese të politikës për mos ta zgjeruar, ose kërkesa për mos e zgjeruar më shumë votimin elektronik, nuk lidhej me pajisjen apo sistemin teknologjik dhe teknik që ne përdorim, sesa me njerëzit të cilët janë angazhuar në këtë proces”, u shpreh Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Vonesat në numërim janë, prej disa zgjedhjesh, gangrena e procesit që zgjat pafundësisht. Numërimi dhe votimi elektronik mund të garantonin daljen e rezultatit brenda natës së parë të zgjedhjeve, siç ndodh në mjaft vende. Bllokimi që sjellin numëruesit e partive parashikohet të jetë prezent edhe në këtë proces.
“Ka aspekte të procesit zgjedhor pastaj, që natyrisht kërkojnë më shumë njerëz të angazhuar, sikurse është aspekti i numërimit të fushatës zgjedhore, apo elementët që lidhen me financimin dhe mbikëqyrjen financiare – ndoshta kërkojnë edhe në numër, por edhe në cilësi, një numër personash me qasje të ndryshme nga ajo që kemi aktualisht”, u shpreh Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Top Channel