
Teksa vizituam me radhë të gjitha departamentet brenda Komisionit, ajo që na tërhoqi vëmendjen ishte kjo zyrë e ngritur për herë të parë: zyra e përbashkët e koordinimit mes KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, që ka në fokus parandalimin dhe goditjen e krimit zgjedhor.
Të ndjerë disi të bezdisur nga prania e një grupi xhirimi, përfaqësuesit e SPAK-ut u përpoqën të qëndrojnë larg syrit të publikut – një sjellje e konsideruar normale për zyrtarë që administrojnë dokumente sekrete. Pavarësisht se janë informacione që konsiderohen sekrete hetimore, ankesat e shumta të trajtuara deri tani nga KQZ duket se nuk kanë pasur karakter penal.
“Konstatoj që ka një angazhim të vërtetë, konkret, të SPAK-ut, por edhe të Prokurorisë së Përgjithshme, për problematikat që mund të dalin edhe gjatë kësaj periudhe. Mund të jem i gabuar, por deri në momentin që flasim, nuk është se kemi konstatuar problematika të mëdha, me përjashtim të një ose dy rasteve sporadike. Por do të shikojmë deri në fund të këtyre zgjedhjeve se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Partitë politike kanë dorëzuar përfaqësuesit e tyre në komisionet e qendrave të votimit. Tashmë kanë nisur trajnimet, të cilat zhvillohen fizikisht dhe online. Një problematikë e përhershme e partive politike janë zëvendësimet që kryhen në minutën e fundit, çka çon në komisione njerëz të patrajnuar. Për këtë, Erion Meta, drejtor i administratës zgjedhore, tha se janë marrë disa masa për të frenuar fenomenin.
“Të shpresojmë që ky do të jetë një mekanizëm që do të rrisë deri diku pjesëmarrjen, ose të paktën të ketë një rritje të pjesëmarrjes në procesin e trajnimit nga administrata zgjedhore. Kemi pasur deri më tani problematika, pasi jo të gjitha partitë politike i kanë dorëzuar propozimet për të gjithë numrat e mundshëm të anëtarëve të tyre në të gjitha qendrat e votimit. Partia e Lirisë, PSD-ja kanë pasur në disa KZAZ mungesa të dorëzimit të kandidaturave, por edhe PD-ja ka dorëzuar me mangësi në disa KZAZ kandidatura – jo të plota, le të themi – në të gjitha qendrat e votimit”, u shpreh Erion Meta, drejtor i administratës zgjedhore.
Top Channel