
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përgëzuar Kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, pas fitores së këtij të fundit në zgjedhjet federale.
Të dy liderët ranë dakord të takohen “në të ardhmen e afërt”, ndërsa vendet përgatiten për bisedime të reja mbi tregtinë dhe sigurinë.
Telefonata mes dy liderëve erdhi vetëm një ditë pas zgjedhjeve federale në Kanada, ku Partia Liberale e Carney-t fitoi një shumicë relative, duke siguruar 169 vende – tre më pak nga kufiri i shumicës së plotë në Dhomën e Komunave. Zgjedhjet u dominuan nga debatet për tarifat tregtare të vendosura nga SHBA dhe çështje të sovranitetit kombëtar.
Në një deklaratë nga zyra e Kryeministrit, thuhej se Trump dhe Carney theksuan “rëndësinë e bashkëpunimit mes dy kombeve si vende të pavarura dhe sovrane për përfitimin e ndërsjellë të qytetarëve të tyre”.
Megjithë rezultatin e ngushtë, Carney pritet të ruajë pushtetin me mbështetjen e partive të tjera si NDP-ja dhe Bloc Québécois, të cilët sinjalizuan një gatishmëri për bashkëpunim të përkohshëm në funksion të stabilitetit politik.
Në një koment të pazakontë, zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha me ironi se “zgjedhjet nuk ndikojnë në planin e Presidentit Trump për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të dashur të Amerikës”, një koment që Carney e hodhi poshtë prerazi në një intervistë për BBC, duke deklaruar: “Një skenar i tillë nuk do të ndodhë kurrë.”
Carney, ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, mori drejtimin e Partisë Liberale pas dorëheqjes së Justin Trudeau-t muajin e kaluar. Ai ka premtuar ulje taksash për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si dhe masa për të trajtuar krizën e strehimit.
Top Channel