
Në selinë e Partisë Liberale në Ottawa, kryeministri i sapozgjedhur Mark Carney mbajti një fjalim bashkues, duke theksuar unitetin, përulësinë dhe vendosmërinë që sipas tij përbëjnë thelbin e identitetit kanadez.
“Meqenëse Kanadaja është më shumë se një komb, ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një federatë. Nuk jemi gjithmonë të përsosur, por përpiqemi të jemi të mirë,” deklaroi Carney.
Mes një atmosfere optimizmi dhe përgjegjësie, ai vuri theksin te forca që vjen nga bashkëpunimi dhe uniteti, duke theksuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta mbi dallimet rajonale dhe politike.
“Ne përpiqemi t’i bëjmë gjërat sepse janë të drejta, jo sepse janë të lehta“, përsëriti Carney, një mesazh që u duartrokit fort nga të pranishmit.
Fjalimi i tij erdhi pasi Partia Liberale siguroi një numër të mjaftueshëm vendesh për të formuar një qeveri minoritare, duke e vendosur Carney-n zyrtarisht në rolin e udhëheqësit të ri të vendit, vetëm disa javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau.
Top Channel