
Shpallen emrat që do të përbëjnë jurinë e Festivalit të 78-të të Filmit në Kanë. Artistët e përzgjedhur që do të vlerësojnë 21 projekte filmike që konkurrojnë për çmimin e lakmuar Palme d’Or përfaqësojnë një gamë të gjerë profesionistësh, si para ashtu edhe pas kameras.
Juria do të përfshijë aktoren dhe regjisoren amerikane, fituese e çmimit Oscar, Halle Berry, regjisoren dhe skenaristen indiane Payal Kapadia, aktoren italiane Alba Rohrwacher dhe shkrimtaren me prejardhje franceze dhe marokene, fituese e çmimeve, Leila Slimani.
Gjithashtu përfshihen regjisori dhe producenti kongolez Diedo Hamadi, regjisori dhe skenaristi i njohur korean Hong Sang-soo, aktori i njohur Jeremy Strong dhe regjisori, skenaristi dhe producenti meksikan Carlos Reygadas. Sipas IndieWire, festivali i filmit do të zhvillohet nga 13 deri më 24 maj. Në krye të jurisë, siç është njoftuar më parë, do të jetë Juliette Binoche.
Nën kryesimin e saj, komiteti do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen e fituesit të Palmës së Artë, si dhe të çmimeve të tjera në seksionin e konkursit. Vlen të përmendet se kompania e prodhimit Neon ka prodhuar gjashtë fituesit e mëparshëm të Palmës së Artë radhazi, ku suksesi më i fundit është filmi i Sean Baker “Anora”, i cili fitoi edhe çmimin Oscar për Filmin më të Mirë.
Filmi debutues si regjisor i Amelie Bonan, “Leave One Day”, do të hapë festivalin, duke bërë histori si filmi i parë nga një regjisore debutuese që hap Festivalin e Kanës në 78 vitet e institucionit.
Top Channel