
Administrata Trump shënjestroi në mënyrë agresive Amazon sot, pas raportimeve se kompania do të fillonte të shfaqte koston e tarifave të presidentit, Donald Trump mbi artikujt. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti këtë veprim një “akt armiqësor dhe politik”.
Punchbowl Neës raportoi më herët se Amazon së shpejti do të shfaqë se sa nga kostoja e një artikulli rrjedh nga tarifat, menjëherë pranë çmimit total të listuar të produktit. Ky veprim mund t’u ilustrojë drejtpërdrejt konsumatorëve amerikanë se si tarifat e Trump po ndikojnë në koston e mallrave.
Por kjo kërcënon të shkatërrojë çdo vullnet të mirë që kompania dhe themeluesi Jeff Bezos kanë ndërtuar me administratën Trump.
“Ky është një veprim armiqësor dhe politik nga Amazon”, tha Leavitt në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në dukje se kishte folur për këtë çështje me Trump më herët atë mëngjes.
Ajo citoi një raport të Reuters të vitit 2021 mbi një partneritet midis kompanisë së tregtisë elektronike dhe një “krahu të propagandës kineze” ndërsa u bëri thirrje amerikanëve të “blejnë produkte amerikane”.
“Kjo është një arsye tjetër pse amerikanët duhet të blejnë produkte amerikane, është një arsye tjetër pse ne po mbështesim zinxhirët e furnizimit këtu në vend, për të mbështetur zinxhirin tonë të furnizimit dhe për të rritur prodhimin tonë këtu”, tha ajo.
Aksionet e Amazon u hapën me më shumë se 1% rënie të martën në mëngjes pas këtyre komenteve.
Leavitt nuk pranoi të thoshte se çfarë paralajmëronte kjo lëvizje për marrëdhënien midis Trump dhe themeluesit miliarder të Amazon, Jeff Bezos, i cili ka punuar në mënyrë aktive për të kultivuar një marrëdhënie me presidentin në mandatin e tij të dytë, duke e përgëzuar atë për zgjedhjen e tij në nëntor dhe duke darkuar në Shtëpinë e Bardhë.
Amazon dhuroi 1 milion dollarë në fondin inaugurues të Trump. Trump kohët e fundit e vlerësoi Bezos, duke i thënë The Atlantic në një intervistë të: “Ai ka qenë i shkëlqyer”
Por vlera neto e Bezos ka rënë me miliarda që nga fillimi i këtij viti, sipas Bloomberg, si rezultat i politikave tarifore të Trump.
Top Channel