Mbështeti publikisht Berishën në Tiranë, kush është Elmar Brok? Eurodeputeti u merrte 150 euro qytetarëve që e takonin, u përfshi edhe në një skandal me një ukrainase

28/04/2025 14:38

Ish-kryetari i komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok ishte pak ditë më parë në Tiranë ku mbështeti publikisht kryetarin e PD-së, Sali Berisha në fushatën e 11 majit.

Në një takim të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, në cilësinë e zv.Presidentit të CDI-së, Brok tha se Shqipëria nuk përmbush kushtet për tu anëtarësuar në BE.

“Më lejoni të shtoj edhe diçka tjetër: gjatë këtyre ditëve kam dëgjuar deklaratat e Edi Ramës, i cili thotë se do ta çojë Shqipërinë në Europë. Por ai ka harruar premtimet që u ka dhënë qytetarëve. Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe me politikat e një narkoshteti, jam e sigurt që në vitin 2030 Shqipëria nuk do të jetë anëtare e BE-së”, deklaroi Brok.

I zgjedhur për disa mandate në Parlamentin Europian politikani i lindur në Gjermani ka arritur deri në postin e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të PE-së.

Ai është një ndër miqtë e liderit të opozitës Sali Berisha. Për tu kujtuar është fakti që ka qenë ndër të paktët njerëz që e kanë takuar Berishën kur ai ishte në arrest shtëpie.

Por kush është ana tjetër e politikanit gjerman?

Një investigim i publikuar nga “Politico” zbuloi se Brok, një ndër figurat më të vjetra të Parlamentit Europian, kishte ngritur një skemë të dyfishtë përfitimi: duke i detyruar vizitorët të paguanin 150 euro për person për të marrë pjesë në vizitat në Parlament, ndërkohë që për të njëjtat aktivitete përfitonte subvencione shtesë nga fondet publike të BE-së. Dokumentet e siguruara tregojnë se në vetëm katër vizita të tilla gjatë 2016-2017, Brok kishte gjeneruar një tepricë financiare prej afro 18,000 eurosh, pa dokumentuar kthime ose transparencë mbi përdorimin e këtyre fondeve.

Ish-punonjës të stafit të tij konfirmuan se paratë e tepërta përdoreshin për shpenzime të brendshme të zyrës, ndërsa Brok përfitonte në mënyrë të vazhdueshme edhe kompensimin mujor prej 4,513 euro për shpenzime të përgjithshme. Ndërkohë, përballë akuzave, ai tentoi ta relativizonte çështjen duke kërkuar një auditim privat nga një këshilltar fiskal – një lëvizje që kritikët e cilësuan si përpjekje për të shmangur llogaridhënien reale.

Një tjetër rast kur Brok doli në faqet e par të mediave ishte incident i bujshëm që shpërtheu në Bruksel, kur një aktiviste e njohur e lëvizjes FEMEN, Alexandra Shevchenko, e sulmoi fizikisht Brok në një atentat publik të organizuar në ndërtesën e Parlamentit Europian. Në një video që u bë virale, Shevchenko – e gjysmë e zhveshur dhe me parrullën “Ukraine is not your brothel” të pikturuar në kraharor – i afrohet Brok, e kap prej kravatës dhe e godet me grushta, ndërkohë që bërtet slogane të pakuptueshme.

Sipas dëshmive, ngjarja ishte organizuar nën një pretekst të rremë: zyra e Brok kishte marrë një kërkesë për intervistë, e supozuar si nga televizioni France 2, ndërsa në fakt ishte një kurth për ta nxjerrë atë jashtë ndërtesës dhe për ta ekspozuar ndaj sulmit. Incidenti nuk rezultoi me lëndime fizike serioze, por dëmtimi i reputacionit ishte i paevitueshëm.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta