
Një grup katolikësh konservatorë kritikojnë rregullat e reja kishtare në Gjermani, sipas së cilave homoseksualët mund të bekohen në kishë dhe po ashtu edhe të rimartuarit pas divorcit.
Përmes një deklarate të publikuar në Neuss nisma “Fillimi i ri” tha: “Po paraqesim kundërshtimin tonë rreth Konferencës së Peshkopëve Gjermanë dhe autoriteteve përkatëse në Romë dhe kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij dokumenti”.
Një ditë më parë (23.04.) Konferenca e Peshkopëve Gjermanë dhe Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë (ZdK) publikuan një rregullore të re për këshilltarët shpirtërorë të besimtarëve. Sipas këtij dokumenti “dera është e hapur” edhe për “çiftet e rimartuara pas divorcit, çiftet e të gjitha identiteteve gjinore dhe orientimeve seksuale si dhe ato që nuk duan ose nuk munden të marrin bekimin për martesë për arsye të tjera”.
Tejkalim kufiri?
Sipas kritikëve dokumenti e tejkalon vijën e kuqe të Ligjit Kanonik. Edhe pse dokumenti konsiderohet „jo i detyrueshëm”, ka si qëllim legjitimimin e një praktike kontroverse përmes miratimit episkopal.
Vatikani parashikon një dallim të qartë mes një bekimi spontan përditshmërie dhe një akti liturgjik bekimi. Ky i fundit lidhet ende me disa kushte të posaçme. Rimartesa dhe çiftet homoseksuale janë të përjashtuara. Rregullorja është e qartë dhe nuk parashikon sqarime të tjera në lidhje me procesimin e bekimeve.
Rezultat i rrugëtimit reformues gjerman
Konferenca e Peshkopëve dhe ZdK e konsiderojnë rregulloren e re, rezultat të dialogut reformues brenda Kishës Katolike në Gjermani. Sipas përfaqësuesve të këtyre strukturave, hapja e kohëve të fundit e Vatikanit ndaj bekimit të lidhjeve homoseksuale u mor gjithashtu në konsideratë. Kjo rregullore ndjek qasjen e Papa Françeskut, qasje e cila është e orientuar drejt kujdesit baritor.
Nisma “Out in church” e kritikoi gjithashtu rregulloren, megjithatë në një mënyrë më të ndrojtur dhe të butë. Sipas këndvështrimit të tyre, një manual i detyrueshëm për organizimin liturgjik të bekimeve, mungon. Gjithsesi, kjo është kërkuar shprehimisht në “Shtegun Sinodal”. E megjithatë çiftet homoseksuale vijojnë të jenë të diskriminuar.
Pjesë e nismës “Out in church” janë rreth 123 punonjës dhe anëtarë të Kishës Katolike të cilët dolën hapur si queer, homoseksualë dhe transgjinorë në janarin e vitit 2022./ DW
Top Channel