
Më shumë se 100 emigrantë, për të cilët Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE) tha se ndodheshin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, u arrestuan në Colorado Springs pas një bastisjeje gjatë natës në një bodrum që dyshohet se funksiononte si klub nate.
“Klubi i natës ishte një vend i rëndësishëm për trafik droge, prostitucion dhe krime të dhunshme”, tha agjenti special i Administratës Amerikane të Zbatimit të Ligjit për Drogën, Jonathan Pullen, në një konferencë për shtyp.
“Ne sekuestruam shumë armë. Kishim personel ushtarak në detyrë aktive që ishin përgjegjës për sigurinë në klub dhe ishin të përfshirë në disa nga këto krime. Dhe në fakt, kishim edhe mbi 100 emigrantë të paligjshëm”, tha ai, sipas CNN.
Megjithatë, disa nga të arrestuarit përfshinin personel ushtarak që u dorëzuan në Divizionin e Hetimit Penal të Ushtrisë Amerikane. Drogat e gjetura në klubin nëntokësor përfshinin kokainë dhe të ashtuquajturën kokainë rozë, e njohur edhe si “tusi”, tha Pullen.
Ata që besohet se ndodheshin ilegalisht në SHBA u morën në paraburgim nga ICE.
Qindra agjentë nga më shumë se 10 agjenci federale morën pjesë në bastisje dhe më shumë se 200 persona ishin brenda klubit kur mbërritën autoritetet.
Klubi i natës kishte qenë nën mbikëqyrje për disa muaj dhe autoritetet kishin regjistruar trafik droge, prostitucion dhe praninë e anëtarëve të bandës venezueliane Tren de Aragua, e cila është shënjestruar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, banda MS-13 dhe Hells Angels.
#DEA Rocky Mountain led a multi-agency enforcement operation along with our local and federal partners early this morning.@DHSgov has taken more than 100 illegal aliens into custody. Drugs and weapons have also been seized at this underground nightclub in Colorado Springs. pic.twitter.com/R4Smb3voAg
— DEARockyMountain (@DEAROCKYMTNDiv) April 27, 2025
Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të presidentit, Donald Trump, komentoi bastisjen të dielën në mëngjes në X, duke thënë se ishte një operacion midis DHS dhe Departamentit të Drejtësisë dhe shtoi se më shumë informacion do të vijë rreth saj.
Ndërkohë, më herët sot, presidenti amerikan, në një postim në Truth Social, vlerësoi “efektivitetin” e deportimeve, duke i krahasuar ato me paraardhësin e tij, Joe Biden.
“Sapo u njoftua: 99.9% rënie emigracioni në kufi. Shkalla më e mirë e regjistruar ndonjëherë. Vetëm 3 persona hynë, krahasuar me qindra mijëra nën administratën e mëparshme. Nuk ka pasur kurrë një ndryshim të tillë në të kaluarën. Urime Amerikë!”, shkroi Donald Trump, duke cituar të dhëna, vlefshmëria e të cilave mbetet e papërcaktuar.
Top Channel