
Irani dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Oman më 26 prill për rundin e tretë të bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit, i cili po rritet me shpejtësi.
Rundi i katërt është caktuar për më 3 maj, ndërsa vendi se ku do të mbahet nuk dihet ende.
Bisedimet zgjatën disa orë në Muskat, thanë ndërmjetësuesit nga Omani për seancat indirekte mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araqchi, dhe Steve Witkoff, të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme.
“Bisedimet u zhvilluan shumë seriozisht dhe profesionalisht. Kemi optimizëm të kujdesshëm”, tha Araqchi pa dhënë hollësi të tjera.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, i cili ka ndërmjetësuar dy rundet e mëparshme të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Muskat dhe Romë, ofroi vlerësim pozitiv në fund të bisedimeve.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara “identifikuan një aspiratë të përbashkët për ta arritur një marrëveshje bazuar në respekt të ndërsjellë dhe përkushtim të qëndrueshëm”, postoi Busaidi në X pas përfundimit të bisedimeve në Oman.
“Parimet themelore, synimet dhe shqetësimet teknike u adresuan. Bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme me një takim tjetër të nivelit të lartë të parashikuar për 3 maj”, shtoi ai.
Qëllimi i bisedimeve është të arrihet kufizimi i programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa sanksioneve të rënda ekonomike që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur ndaj Teheranit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar vazhdimisht se do të kryejë sulme ajrore ndaj programit bërthamor të Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Zyrtarët iranianë paralajmërojnë vazhdimisht se mund ta zhvillojnë ndonjë armë bërthamore nga stoku i uraniumit të pasuruar deri në nivele të afërta me ato të armëve./Rel
Top Channel