
Rusia e ka pranuar për herë të parë se ka dërguar ushtarë të Koresë së Veriut në betejën për t’i zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pasi ushtria ukrainase kreu një inkursion të papritur matanë kufirit me Rusinë verën e kaluar.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se e njeh “kontributin e rëndësishëm” të ushtarëve koreanoveriorë në përpjekjet ushtarake të Moskës.
Duke cituar Traktatin për Partneritetin Strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nga 4 dhjetori i vitit 2024, Ministria tha se “një faqe e re është shkruar në analet e lavdishme të vëllazërisë ushtarake të popujve rus dhe korean”.
“Ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë… luftuan krah për krah, në të njëjtën llogore, dhe derdhën gjak me ushtarët dhe oficerët tanë në rajonin e Kurskut dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e tokës ruse nga armiku pushtues”, tha ajo.
Gjenerali Valery Gerasimov, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, i tha presidentit Vladimir Putin në një video-konferencë se ushtarët koreanoveriorë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit nga ushtarët ukrainas.
Me këtë Rusia e pranoi atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë thënë prej kohësh: se Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar përkrah forcat ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili tani është në vitin e tij të katërt.
Zyrtarët amerikanë thanë se më shumë se 11.000 ushtarë koreanoveriorë morën pjesë në luftë dhe pësuan humbje të mëdha.
Gerasimov tha se misioni korean ishte në përputhje me marrëveshjen e partneritetit midis dy vendeve.
Rusia thotë se i ka zmbrapsur forcat ukrainase nga shumica e Kurskut, megjithatë Kievi thotë se forcat e tij po qëndrojnë ende në rajonin rus.
Ka pasur shqetësime ndërkombëtare se Rusia po i ofron Koresë së Veriut teknologji për dronë në këmbim të ndihmës të konsiderueshme ushtarake.
Gjithashtu ka pasur një forcim të madh të marrëdhënieve midis Moskës dhe Phenianit që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut e ka furnizuar Moskën gjithashtu edhe raketa me rreze të shkurtër, artileri të automjeteve dhe raketahedhës, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut./REL
Top Channel