
Pas publikimit të kontratës së lobimit prej 6 milionë dollarësh mes Partisë Demokratike dhe kompanisë amerikane “Continental Strategy LLC”, drejtuar nga ish-Ambasadori i Trump në OAS, Carlos Trujillo, Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate zyrtare.
Në njoftimin për shtyp, PD sqaron se nuk është vetë partia ajo që ka nënshkruar apo financuar këtë marrëveshje. Sipas saj, kontrata është realizuar nga fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë e krijuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, me synim forcimin e marrëdhënieve mes PD-së dhe institucioneve amerikane.
“Komuniteti shqiptaro-amerikan ka marrë përsipër të mbulojë 100% të kostos financiare të kësaj nisme. Partia Demokratike nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual në këtë marrëveshje”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së.
Partia gjithashtu thekson se bashkëpunimi me “Continental Strategy” ka si objektiv “konsolidimin e marrëdhënieve me aleatin kryesor të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës.”
Në dokumentet e dorëzuara pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Partia Demokratike figuron si përfituese e drejtpërdrejtë e shërbimeve të lobimit, një detyrim ligjor sipas Foreign Agents Registration Act (FARA), pavarësisht se kush e mbulon financiarisht kontratën.
Sipas të njëjtit dokument, objektivat e lobimit përfshijnë:
•Krijimin e marrëdhënieve me zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe Kongresit amerikan.
•Promovimin e demokracisë dhe reformave kundër korrupsionit në Shqipëri.
•Forcimin e pozicioneve të PD-së dhe koalicionit të saj në marrëdhënie me institucionet amerikane.
Zhvillimi vjen në një moment të ndjeshëm për opozitën shqiptare, ndërsa ajo kërkon të ripërcaktojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, pas goditjeve të forta që ka pësuar nga vendimet për shpalljen “non grata” të liderëve historikë si Sali Berisha nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Megjithëse PD përpiqet të distancohet nga barra financiare e kësaj kontrate, fakti që ajo rezulton si përfituese në dokumentacionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Drejtësisë nënvizon rëndësinë politike të këtij angazhimi dhe rrezikun që perceptimi publik të mbetet i ndërlidhur me nevojën për rehabilitim të imazhit ndërkombëtar të saj.
Ky zhvillim risjell në vëmendje edhe rolin gjithnjë e më të madh të lobimit ndërkombëtar në politikën shqiptare, duke hapur diskutime të reja mbi transparencën, burimet financiare dhe ndikimin e diasporës në proceset politike brenda vendit
Top Channel