
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme diplomatike në margjinat e funeralit të Papa Françeskut, përfshirë bisedime me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Në ambientet e Bazilikës së Shën Pjetrit, para fillimit të ceremonisë mortore, Zelensky u pa në një grup të vogël me Starmer, Donald Trump dhe Macron.
Më vonë, ai zhvilloi takime të ndara me Macron dhe Starmer, duke diskutuar tema që presidenti ukrainas i cilësoi si “shumë të ndjeshme”.
“Në të vërtetë patëm një takim produktiv. Nuk dua të hyj në shumë detaje sepse bëhet fjalë për çështje shumë të ndjeshme, që lidhen tërësisht me mënyrën se si të afrohet paqja”, tha Zelensky për gazetarët.
Ai shtoi se diskutimet përfshinë edhe zhvillimet më të fundit në kuadër të negociatave ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas, të mbajtura në Paris dhe Londër.
“Ne duam të vazhdojmë takime të tilla për të sjellë paqen në Ukrainë,” përfundoi Zelensky.
Top Channel