
Kryetari i PSSH Edi Rama zhvilloi sot në takimin me gra dhe vajza socialiste të Beratit
Rama: Një kënaqësi e veçantë, gjithë ai rrugëtim në mes jush edhe me thënë të drejtën po të jeni këtu në vendin tim do shikoni një pamje shumë të bukur, gratë ulur, burrat në këmbë. Po ata janë burra tamam. Kështu që, një duartrokitje për gjithë burrat që rrinë në këmbë atje.
Thoshte dikush sot që çfarë bëhet kështu, vetëm me gratë po e mund Edi Rama kënetën. Në fakt, kaq shumë sa jeni ju sot këtu në këtë shesh gratë dhe vajzat e Beratit për të dëshmuar, jo thjeshtë mbështetjen por për të dëshmuar përkushtimin tuaj në këtë betejë për historinë, bufi i kënetës nuk i mbledh dot burra e gra në të gjithë qarkun e Beratit.
Po më shumë se kaq kjo nuk është çështje numrash, kjo është çështje e një transformimi që ne e kemi bërë të mundur së bashku, e një transformimi që nuk është thjeshtë një raport gjinor brenda PS por është transformimi që ka pësuar Shqipëria falë përfshirjes masive të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e vendim marrjes.
Unë besoj fort që Shqipëria që ne trashëguam në buzë të humnerës kishte një problem shumë të madh ndër të tjera, sepse qëndronte në një këmbë, nuk e kishte këmbën tjetër. Sepse nuk e kishte gruan dhe vajzën në dispozicion njësi si burrat dhe djemtë të zhvillimit të saj. PS kishte vetëm 12% gra. Sot ka 40% gra. Por ne nuk duhet të ndalemi këtu, ne duhet të ecim me të njëjtën vendosmëri derisa në PS të kemi 50% gra dhe vajza, madje unë besoj që më e mira do jetë që të kemi një më shumë se burrat dhe djemtë. Sepse çfarë ndodh brenda nesh, çfarë ne arrijmë në këtë familje të madhe politike reflektohet pastaj në çfarë bëjmë në qeverisjen e vendit, në çfarë bëjmë në qeverisjen vendore.
Ne kemi arritur t’i imponohemi të gjithë politikes shqiptare, duke i kthyer në ligje ato që në partinë tonë i kemi bërë si rregull për njeri-tjetrin dhe prandaj, sot ne kemi 50% gra dhe vajza në këshillin bashkiak. Prandaj, sot në parlamentin e Shqipërisë ka shumë më tepër gra dhe vajza seç kishte kur ne morëm detyrën dhe parlamenti dukej si një odë otomane.
Prandaj sot në qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të disatin vit rresht, ne kemi një raport gra-vajza-burra-djem që na vë në pesëshen e parë në listën e Kombeve të Bashkuara.
Prandaj sot ne kemi më shumë gra dhe vazja sesa burra dhe djem në nivele drejtuese të administratës. Dhe në skuadrën kombëtare të negociatave me BE, të cilën e drejtojnë një grua dhe një vajzë si kryenegociatore dhe zëvendës/kryenegociatore. Ne kemi më shumë gra dhe vajza sesa burra dhe djem. Kjo nuk është për të thënë që burrat dhe djemtë vlejnë më pak, përkundrazi, por kjo është për të thënë që gratë dhe vajzat i japin tonin dhe i japin seriozitetin gjithë përpjekjes sonë me korrektesën e tyre, me vullnetin e tyre, me durimin e tyre. Dhe unë jam shumë krenar që ne kemi 71 gra dhe skuadrën kombëtare të 11 majit, por më e bukura është që në listën e mbyllur, ndryshe nga këneta e burrave ne kemi 53% gra dhe vajza.
Prandaj, unë besoj që arsyet e grave dhe të vajzave për të votuar masivisht për PS në 11 maj janë më shumë sesa të burrave dhe të djemve. Edhe për faktin sepse duke votuar PS, gratë dhe vajzat do vazhdojnë ta mbështesin këtë kurs emancipimi, këtë kurs transformimi europian të Shqipërisë. Nuk mund të jetë Shqipëria peng i partisë së Ilir Vrenozit. Ju e patë dje në Korçë, Ilir Vrenozi është njëshi i vërtetë i palës tjetër. Gjuha e tij është programi i vërtetë i palës tjetër. Brutaliteti i tij është sinqeriteti i maskuar i palës tjetër. Asgjë tjetër nuk vlen sa ajo, që u shfaq dje në Korçë. Me të gjithë brutalitetin dhe me të gjithë vërtetësinë e vet. Një sallë e ekzaltuar nga fjalori ekstrem, një sallë e ezkzaltuar nga diçka që shpërfaqi të gjithë hipokrizinë e të ashtuquajturen Shqipëri madhështore, në fakt është një kënete madhështore.
Por ajo çka ka rëndësi sot për ne të gjithë së bashku të kuptojmë deri në fund thelbin e 11 majit. Patjetër që falë punës së përbashkët që kemi bërë me Ervinin dhe kryetarët e tjerë të bashkive ne sot kemi një qark të Beratit që është tërësisht i transformuar. Patjetër që Berati i 1 milionë turistëve ishte diçka që nuk ta rrokte imagjinata kur për të ardhur në Berat nuk kishte rrugë se kështu e kemi filluar ne punën. Nuk kishte rrugë, ju e dini shumë mirë, nga Lushnja në Berat ishte një monopat nuk ishte më një rrugë.
Ju e dini shumë mirë sesa pak dyer kishte për të trokitur për të qëndruar një natë në Berat, ndërkohë që sot po hapen dyer pas dyersh dhe po ndryshon në përmbajte ekonomia vendore sepse të gjitha ato rrënoja të deridjeshme po kthehen në burim të ekonomisë familjare dhe nga burimet e ekonomisë familjare të gjitha së bashku janë një forcë e shtuar e ekonomisë vendore.
Prandaj, sot në Berat kemi dhe kaq shumë vepra publike, prandaj sot në qarkun e Beratit kemi kaq shumë prodhim, kemi kaq shumë eksport, kemi ka shumë pika grumbullimi dhe përpunimi, kemi kaq shumë agroturizma që vetëm do të shtohen. Por përtej të gjitha këtyre që janë tema të një fushate elektorale, përtej atyre që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me njerëzit, përtej fakteve kokëforta të qeverisjes tonë që kur morëm detyrën kishim një Shqipëri me një prodhim të përgjithshëm më pak se 10 miliardë euro, viti 2024 e mbyllëm me 25 miliardë euro. Kemi të gjitha arsyet të jemi të bindur që në Shqipërinë 2030 prodhimin e përgjithshëm do ta kemi të paktën 33 miliardë euro.
Që kur morëm detyrën kishim një pagë mesatare në sektorin publik 370 euro dhe e mbyllëm vitin 2024 me 1000 euro pagë mesatare në sektorin publik, me 950 euro pagën mesatare të mësuesve dhe kështu me radhë.
Të ardhurat për frymë që ishin 3000 euro diçka më shumë dhe sot janë 10 mijë e 400 euro. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme siç janë të rëndësishme ato që kemi bërë në mënyrë të posaçme për gratë dhe vajzat dhe në aspektin e politikave, dhe në aspektin e mbështetjes për nënat e reja, bonusin e bebes, që e kemi dhënë për mbi çerek milionë bebe, por që tani do ta transformojmë nga një bonus që jepet një çek në momentin e lindjes, në një mbështetje financiare të përmuajshme 2, 3 dhe 5 vjet sipas numrit të fëmijëve. Mbështetjen me pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për nënat kryefamiljare me 3 dhe më shumë fëmijë që të mos humbin asgjë nga pensioni i tyre nesër, për faktin që nuk shkojnë dot në punë për shkak se kanë fëmijë të vegjël për të rritur apo se kanë shumë; apo ata që kemi thënë dhe kemi në program të 4-vjeçarit të ardhshëm, dyfishimin e mbështetjes për nënat e fëmijëve me aftësi speciale.
Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, ashtu sikundër është shumë e rëndësishme edhe ajo që do të bëjmë me gjithë infrastrukturën kombëtare; ka ardhur tani momenti, jo vetëm i akseve të mëdha kombëtare që na lidhin me rrjetet europiane, Korridori Blu, Korridori 8 por edhe i hekurudhave më në fund, siç është kur vjen puna për infrastrukturën dhe çfarë e prek drejtpërdrejtë qarkun; rruga Berat-Poliçan-Skrapar që lidhet me Përmetin. Me Ervinin kemi vizituar rrugën “Berat-Ballaban” që është një tjetër aks shumë i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, për zhvillimin e agroturizmit, por 11 maji është përtej këtyre, të dashura shoqe e motra. 11 maji është më shumë sesa 1 palë zgjedhje. Ne kemi bërë së bashku një rrugëtim relativisht të gjatë. Ne kemi fituar se bashku 9 palë zgjedhje. Këto janë të 10-at. Do t’i fitojmë por do t’i fitojmë me notën 10.
Nuk është fjala për të marrë një shumicë aritmetike për PS sepse këtë ne do ta marrim. Këtu është fjala për të shkuar përtej kufirit të PS, këtu është fjala për të krijuar një shumicë më të madhe, një shumicë më të fortë, një shumicë më të bashkuar sepse këto zgjedhje janë një takim me historinë.
Ndodhin shumë rrallë takimet me historinë, mund të ndodhë që në gjithë jetën tënde nuk të jepet mundësia. Ne shqiptarëve na është dhënë mundësia dy herë të zgjedhim për historinë; një herë në 1992 kur masivisht shqiptarët votuan PD në atë kohë dhe morën një vendim, që nuk kishte të bënte thjeshtë me atë parti. Shumica e atyre që e votuan atë parti, nuk është se vërtetë ishin me atë parti, por ama, ajo parti ishte e vetmja adresë në kohën dhe në vendin e duhur kur Shqipëria dhe populli shqiptar duhet të mbyllte një kapitull të gjatë të historisë dhe duhet të hapte një kapitull të ri. Duhet të mbyllte historinë e stërzgjatur të izolimit nga Europa dhe duhet të hapte kapitullin e bashkimit me Europën.
Pak muaj më vonë, shqitparët masivisht votuan kundër PD në pushtetin vendor, pastaj dy vjet më vonë e shkatërruan fare projektin e çmendur të Kushtetutës së re që u rrëzua me referendum por ama, kjo nuk e ndryshon thelbin e atij takimi me historinë në ‘92.
Në 11 maj është një takim i dytë me historinë sepse në 11 maj, ne na ka ardhur ne fati e ka sjellë për ne, që ne të bëjmë histori me një votë. Fati e ka dashur që ylli i fatit tonë europian dhe ylli i fatit të BE të rreshtohen në një vijë të drejtë. Fati e ka dashur që të gjendemi ne në këtë moment këtu, kur, jo vetëm Shqipëria si gjithmonë do që të hyjë në BE, por edhe BE do që ta marrë Shqipërinë brenda.
Fati e ka dashur që ne të gjendemi pak nga finishi tek pragu, tek ai prag që yhyhy. Shqiptarët e kanë ëndërruar dhe kanë kërkuar prej shekujsh. Tek ai prag që na e kanë përcaktuar si destinacion profeti i historisë sonë kombëtare, Skënderbeu, kur “i vuri gjoksin” Europës dhe përcaktoi për ne, se vendi ynë është në Europë dhe jo në Azi dhe pastaj me radhë, me radhë, gjeneratë pas gjenerate, shekull pas shekulli, shqiptarët e përcollën përmes shumë torturash cfilitjesh, poshtërimesh, rrëzimesh këtë profeci që rilindasit tanë e kthyen në amanet, duke na e lënë të shkruar : “dielli lind andej nga perëndon’’ dhe pastaj të tjerë e të tjerë me radhë deri kur u përmbys diktatura dhe pa pasur një udhëheqës, pa e marrë si porosi nga askush, populli e formuloi vetë thirrjen “e duam Shqipërinë si gjithë Europa’’.
Dhe sot ne, populli shqiptar gjendemi përpara derës së Europës që duket njësoj, siç duket fundi i këtij bulevardi, kaq afër. BE na ka dhënë kalendarin në tavolinë. Na ka thënë 3 vjet të punojmë së bashku pa pushim, ditë-natë për të mbyllur negociatat për anëtarësim. Në 2027. Kemi filluar vjet, edhe duhet ta dini që negociatat janë mbi 250 mijë faqe.
Janë norma standarte, rregulla, ligje që mbulojnë gjithë spektrin e funksionimit të një shteti sepse për të qenë shtet anëtar i BE, ti duhet të përmbushësh të gjitha këto norma, këto standarde, këto rregulla, këto ligje që janë në trupin ligjor të BE dhe për këtë arsye diskutohet që nga ekonomia tek drejtësia, tek tregjet, tek konkurrenca deri tek mjedisi, te ujërat, te zogjtë, te peshqit, të gjitha. Janë 1000 njerëz në zyrat tona që punojnë çdo ditë. Janë 1000 njerëz në zyrat e tyre që mbulojnë të gjitha këto grupe çështjesh dhe diskutohet për çdo njërën prej tyre, merren angazhime, bihet dakord, po do ta marrim do ta bëjmë këtë. Dhe duhet të vijmë në Shqipëri dhe t’i kalojmë këto të gjitha në sitën e vendimmarrjes dhe ti kthejmë në norma, në standarde, në rregulla dhe në ligje.
Për këtë arsye na duhet forcë, na duhet një fuqi e madhe vendimmarrëse që mos të kemi nevojë që të shkojmë dhe ti kërkojmë kënetës mirëkuptim. E parafytyroni apo se parafytyroni deri në 2027-ën ne duhet të jemi si saht zviceran, sepse ajo derë, historia e zgjerimit dhe e integrimeve të vendeve të tjera e ka treguar se dera e asaj shtëpie nuk rri hapur, nuk është shtëpi që e mban derën hapur. Ti mund të trokasësh sa të duash, nuk hapet. Ajo derë hapet kur atyre që janë brenda të 27-ve, ju intereson dhe bien në një mendje.
Ju e mbani mend sa herë ka ndodhur që ne e kemi marrë rekomandimin nga qeveria e tyre që është Komisioni Europian që të hapim negociatat, por ajo derë nuk është hapur se njëri aty brenda, herë njëri, herë tjetri, jo po shiko se është kjo, është dhe ajo, sepse ata kanë interesat e tyre. Prandaj ata e hapin derën kur atyre u intereson, por ama ti duhet të jesh gati. Ti duhet ti kishe plotësuar kushtet dhe e mbyllin derën kur ata kanë të tjera çështje. Sot përsëritet shpesh ça është kjo histori me Edi Ramën që thotë më jepni mandatin e 4-tët t’iu fus në BE, kur nuk i mjaftuan 12 vjet. Dhe kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë që është përtej meje, është përtej gjithçkaje që ne kemi bërë. Dhe shpjegimi është ky, po mirë dakord, nëse kjo nuk ka ndodhur sepse ne nuk kemi qenë të zot, atëherë po Mali i Zi?
Mali i Zi i ka hapur negociatat përpara se ju të më mbështesnit mua dhe unë të bëhesha kryeministër, në 2012-ën. Pse nuk ka hyrë në Bashkimin Europian. Po Serbia që i hapur negociatat në 2014-ën kur ne akoma s’kishim marrë statusin e kandidatit dhe ne na shikonin si delen e zezë. Kur na takonin na takonin vetëm për të larë gojën. Na dëgjonin me bezdinë e atij që mezi pret të mbarosh. Shqipëria s’ishte kurrkund.
Ku është Serbia sot? Pse s’është Bashkimi Europian, po është mbrapa nesh? Po Maqedonia e Veriut ndërroi emër, në 2005-n është bërë kandidat, është shumë mbrapa nesh, s’ka hapur akoma negociatat.
Ne i hapëm negociata dy vjet para dhe sot jemi tek pragu, krah për krah me Malin e Zi. Sepse dera është hapur sot dhe dera është hapur, jo thjesht se ne jemi gati, por sepse edhe ata janë gati. Ama, ajo derë, siç hapet, mund të mbyllet dhe nëse ne nuk e kapim 2027-ën, nëse ne nuk i bëjmë detyrat siç janë të përcaktuara në kalendar, ne nuk kemi justifikime dhe ata nuk na presin. Gjërat mund të ndryshojnë, interesat e tyre mund të ndryshojnë, edhe një moment të caktuar mbyllet dera dhe më besoni, mund të mbetemi jashtë BE-së edhe për 15 vjet të tjera, se ju ka ndodhur tjerëve?
A ka logjikë për një njeri normal që arsyeton që këtë gjë kaq të madhe, këtë moment historik, këtë mundësi historike, këtë përgjegjësi historike që të bie mbi supe, do s’do ti dhe që katandisen tek një votë e jotja, ti ta shpërfillësh, se nuk të pëlqen Partia Socialiste, se nuk të pëlqen Edi Rama, se kështu e se ashtu, se kjo e se ajo, apo kulmi fare se të tërheq këneta.
Duke qenë prind, duke pasur fëmijët që nesër ke mundësinë t’u japësh këtë pasaportë, t’i lësh fëmijët pa këtë, ta pengosh Shqipërinë t’i mbylli negociatat, se nuk do Edi Ramën?
Edi Rama është sot, nesër s’është, vjen një tjetër, vjen një tjetër, vjen një tjetër. E vetmja që ngelet gjithmonë është Shqipëria, dhe Shqipëria është mirë apo s’është mirë në varësi nga vendimet që marrim ne dhe ky është rasti për të marrë një vendim që Shqipëria jo të jetë mirë, por të jetë shumë mirë, që Shqipëria të jetë një Shqipëri e re, që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë e ulur në sallonin kryesor të Bashkimit Europian dhe që shqiptarët të mos jenë më një popull i dorës së dytë. Mos jenë më qytetarë të dorës dytë, mos jenë më të huaj në kontinentin ku banojnë dhe nuk banojnë në periferi, banojnë mu në zemër të kontinentit, në qendër, kërthiza është këtu dhe jemi të huaj.
Shkojmë në Bashkimin Europian, na nxjerrin anash, na vënë në një rresht tjetër, e fillojnë pyetjet; Ku po shkon? Pse po shkon? Kush të ka ftuar? Sa do rrish? Ke lek me vete? E pastaj vjen ajo pyetja e tmerrshme, kur do ikësh? Sepse je i huaj.
Kur çojnë fëmijët për të studiuar jashtë, sado të zot të jenë fëmijët shqiptarë, prindërit duhet të paguajnë 10-fish, që ata të studiojnë jashtë, sepse janë të huaj, ndërsa me këtë pasaportë do shkojnë të studiojnë dhe do paguajnë ekzaktësisht njësoj si studentët europianë. Kjo është njëra anë. Ana e drejtpërdrejtë që lidhet me ata që janë jashtë, me ata që janë në Greqi.
Ju keni plot miq, shokë, të afërm familjarë, ndoshta motra, vëllezër në Greqi që e kanë sot ankthin e madh, mbas kaq shumë vitesh punë, do ju njihet a s’do ju njihet pensioni dhe kërkojnë që ne qeveria të bëjmë çmos dhe ne po bëjmë çmos, por është një marrëveshje e vështirë. E mbyllëm më në fund me Italinë, mbas shumë vitesh. Me Greqinë është shumë e vështirë, se janë shumë shqiptarët atje Greqia s’ka fuqinë e Italisë, megjithatë ne po punojmë me ta.
Por ama, nëse Shqiptarët marrin këtë pasaportë, e dinë ça do të thotë kjo për ata që janë jashtë. Njohja automatike e pensioneve, leja automatike qëndrimi, të drejta të barabarta me çdo kënd tjetër, sepse janë qytetarë të të njëjtës shtëpi të Bashkimit Europian. Nuk kanë nevojë më fare për pasaportë greke, italiane, spanjolle, nuk kanë nevojë. Ju duhet ajo pasaportë vetëm për një arsye, në qoftë se duan të bëhen kryeministra e ministra në Itali e në Greqi.
Se me këtë pasaportë mund të zgjidhen në këshillat bashkiak, në këshillat komunale mund të bëhen kryetarë bashkie, mund të bëhen euro deputetë shqiptarë me banim atje nëse marrin votat për të shkuar dhe në Parlamentin Europian, të gjitha. Po në nivelin kombëtar? Po flisnim për Beratin, po flisnim për qarkun, po flisnim për zhvillimin rural, për bujqësinë, për agroturizmin. Në gjithë këto vite mjafton t’i takoni të gjithë ata që sot janë bërë emra, që eksportojnë, që prodhojnë, që janë bazë e mikpritjes këtu dhe i pyesni “Si i bëtë këto?” dhe do t’ju thonë 90% e tyre “I kemi bërë me mbështetjen që qeveria na ka dhënë përmes programit të Bashkimit Europian”. E dini sa është e gjithë shuma që ne kemi marrë dhe kemi bërë kaq shumë punë nga Bashkimi Europian? Shumë më pak se 200 milionë euro në total në gjithë këto vite për këto punë. E dini se sa marrim ne nga ajo shtëpi po u bëmë pjesë e asaj familjeje në vit vetëm për këto punë, për bujqësinë e për fshatin? 300 milionë euro.
Po mirë, më fal, je bujk, je fermer, je prodhues, je agro-përpunues, do të hapësh një bujtinë, do të bësh një agro-biznes, do të bësh çfarëdo qoftë në fshat dhe je me kënetën, ke një votë. Tani, për çfarë do ta harxhosh atë votë? Do ta harxhosh atë votë se ke mall për bufin kur akoma nuk kishte rrjedhur apo do ta investosh atë votë që ajo që ti do të bësh konkretisht të ketë një shans më shumë sepse Shqipëria do të ketë shumë më tepër mundësi të të gjendet ty? Për çfarë, për të çuar deputetë në parlament këta? Nuk e di, pyesja Ervinin më thoshte disa emra, unë as nuk i njoh ata që i kanë sjellë deputetë këtu. Një Eno, Eno, një vazo arkeologjike që nuk e di nga e kanë nxjerrë e kanë sjellë këtu për deputet. As vazo jo, qyp arkeologjik, Eno, një njeri pa asnjë vlerë, zero, fatorino nuk e vë atë unë. E kanë sjellë këtu drejtues e për çfarë, për Enon?
Unë them që këtu të gjithë duhet ta mendojnë sepse është përgjegjësi e madhe në këto zgjedhje, nuk është për mua, nuk është për karrigen time, nuk është për qeverinë, nuk është për shumicën sepse këto ne, sikur të isha unë këtu për këtë nuk do ishte prapë se prapë ky hall sepse aq vota ne i kemi, më poshtë nuk biem, problemi është për Shqipërinë që t’i japim një fuqi vendimmarrëse që të mos torollisemi me Enot dhe me enët, me enët e arkeologjisë politike.
Ana tjetër e medaljes është ta mbrojmë Shqipërinë nga një e keqe shumë e madhe. Cila është e keqja më e madhe që Shqipëria ka pasur? Mungesa totale e barazisë përpara ligjit, gjithë jetën, qëkur është bërë shtet, në dac me mbret, në dac me diktator, në dac me një palo president që pati pas diktaturës, bufi atëherë që futi në burg kryetarin e opozitës. Shqipëria nuk ka pasur barazi përpara ligjit, kurrë asnjëherë dikush i veshur me pushtet nuk është thirrur nga ndonjë prokuror apo gjykatës i pavarur për të dhënë llogari. Patjetër, i kanë pushkatuar, i kanë varur, i kanë internuar, i kanë sakatuar por me urdhër nga i pari sepse i pari e kishte shpatën që i takon drejtësisë ta mbajë në një shtet ku ka barazi përpara ligjit dhe u desh që të vinim ne, u desh mbështetja juaj dhe e shumicës së shqiptarëve si ju që kur unë thoja atëherë, se këta pseudo-analistët e këtyre kënetave mediatike nuk kuptojnë fare “Ç’është kjo histori, Edi Rama njëherë timon, njëherë tepsi”. Kur unë ju thosha atëherë “Më jepni timonin që të mos kem të tjerë në prehër se ndryshe nuk bëjmë reformë në drejtësi” e dija shumë mirë që nuk bëhej reformë në drejtësi me aleanca me ata të cilët sot e gjithë ditën qëllimin kryesor kanë të shkatërrojnë reformën, të shkrijnë SPAK-un, ta kthejnë mbrapsht atë që ne kemi filluar për së mbari pas 100 e kusur vitesh.
Ne bëmë atë që nuk e ka bërë njeri në historinë e Shqipërisë, dorëzuam shpatën, ia dhamë pushtetin drejtësisë, e pavarësuam dhe i hoqëm duart nga pushteti i drejtësisë duke ekspozuar edhe veten tonë. Tani këta dalin dhe thonë “Si mund të votoni ju për ata”, për ne domethënë, “Që kanë gjysmën e qeverisë në burg”. E para punës njëherë, ne nuk kemi asnjë në burg nga qeveria. E dyta punës, cilido që ka qenë pjesë e qeverisë në mandatin e parë apo në të dytin apo në të tretin dhe që ka llogari me drejtësinë dhe nuk është gjysma, janë shumë herë më pak, por nuk ka rëndësi numri, edhe sikur të ishin gjysma nuk ka rëndësi, cilido prej tyre është në punën e vet individualisht por ama përsa na takon ne, është aty si shprehje shumë kuptimplotë i një fakti kokëfortë që nuk e luan topi, që drejtësia sot ka arritur të bëjë atë që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe që unë e thosha kur thoja “Më jepni timonin që të kemi një drejtësi që sheh drejt, që godet majtas e që godet djathtas”. Patjetër që godet dhe brenda nesh, ata që kanë probleme me ligjin, dhe për këtë ne duhet të ulim kokën tani se thonë këta? Po këta janë ata të cilët sot e gjithë ditën nuk kanë asnjë pendesë, jo ndjesë por pendesë, kanë vrarë njerëz, jo njëherë por disa herë në këto 30 vjet. Bufi i kënetë bashkë me kukumjaçkat dhe zhapikët e tij kanë vrarë njerëz dhe nuk ishte para 100 vitesh por ishte ky buf atje në zyrën ku jam unë sot ku më keni çuar ju që i shikonte njerëzit se si vdisnin nga armët nga dritaret e zyrës së tij dhe kur Prokurorja e Përgjithshme kërkoi të ndalonte 3 policë, bufi doli e tha “Ajo është lavire” . A e përfytyroni ju sot këtë? E pra, nuk e parafytyroni, e dini pse? Sepse jam unë dhe ju garant që kjo nuk ndodh, por nuk ka garanci të përhershme. Nëse doni që kjo të mos ndodhë as kur të mos jem unë këtu, duhet ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian sepse vetëm aty brenda Shqipëria nuk ka nga luan më sipas oreksit të atij që qeveris këtu. Bufi e thotë copë “Më jepni votën të shkrij SPAK-un, në 12 maj”. Kuptohet, nuk ka çfarë shkrin por e thotë. Sa kohë Shqipëria nuk është brenda Bashkimit Europian, aty ku barazia përpara ligjit është kushti më elementar që të ulesh në atë sallon, asnjëherë barazia përpara ligjit nuk është e garantuar.
Ne jemi garantët por ama, që ta vulosim garancinë, duhet të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe kush do barazi përpara ligjit, socialistë apo demokratë, që nesër të mos ketë fare rëndësi nëse i bie rruga nga gjykata në ndonjë gjykatë të Bashkimit Europian, atëherë duhet të votojë Partinë Socialiste. Socialistët e kanë bërë zgjedhjen e tyre por edhe demokratët, të mbyllim hundët dhe të votojnë Partinë Socialiste, të mbyllin sytë dhe të shikojnë fëmijët e tyre, të shikojnë Shqipërinë në Bashkimin Europian, të votojnë Partinë Socialiste.
Shiko, keni dëgjuar ju një emër Altin Dumani? E dini kush është? E dini të gjitha besoj. Një prokuror me integritet, me kurajo dhe me profesionalizëm, drejtues i SPAK-ut, është bërë figurë, gëzon respekt të shumicës, kuptohet, dhe meriton gjithë solidaritet e çdo njeriu që do drejtësinë në Shqipëri kur sulmohet qenërisht nga këneta. Por e dini ju që Altin Dumani ka qenë prokuror prej shumë vitesh? Pse nuk ia kishit dëgjuar zërin përpara? Ku ishte ky? Pse nuk i thërriste ky, qoftë edhe një drejtor të rëndomtë e t’i thoshte “Hajde pak këtu ti, si e ke punën” ndërsa sot e ka udhëhequr me kurajo rrëzimin përfundimtar të çdo miti të pandëshkueshmërisë sepse Altin Dumani i deridjeshëm nuk kishte forcë sepse nuk kishte shpatën e pushtetit të pavarur të drejtësisë sepse shpata ishte tek zyra ime. Altin Dumani sot dhe si ai dhe prokurorë të tjerë kanë forcën sepse kanë shpatën që ne e dorëzuam sepse dorëzuam një pushtet që të tërë kanë preferuar ta mbajnë për të sunduar në emër të asaj që Shqipëria duhet të jetë nesër për fëmijët tanë dhe kjo është gjëja më e madhe që kemi bërë ne, dhe për këtë jemi shumë krenarë dhe unë dua që këtë ta kuptojnë në radhë të parë gratë dhe vajzat, ta kuptojnë nënat që janë nëpër shtëpi, ta kuptojnë gjyshet, ta kuptojnë vajzat e reja që kanë akoma beteja për të fituar në këtë mjedis sepse Shqipëria është grua, nuk diskutohet dhe Shqipëria pa gratë dhe pa vajzat, nuk bëhet kurrë ajo që meriton të bëhet.
Nuk dua të zgjatem më shumë se ju mbajta gjatë, por është dhe kënaqësi t’iu shoh kaq shumë sa jeni këtu. Dua t’iu them që në këto ditë që kanë mbetur, nuk duhet t’iu mjaftojë që ju jeni me zemër e me mendje aty, dhe që në 11 maj do jeni aty. Nuk duhet t’iu mjaftojë as që ato që ju keni në krah, janë aty me ju dhe do jenë aty. Duhet të insistoni dhe duhet të kapni çdo të njohur, çdo shoqe, çdo fqinje demokrate dhe duhet t’i flisni për rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve. Duhet t’i bëni thirrje ndërgjegjes së tyre dhe vetëdijes së tyre si gra, si nëna, si amvisa, si kujdestare të burrave. Ishin mërzitur burrat se thosha unë po të ikin gratë një muaj, burrave vetëm bishti nuk iu del. Po pse nuk është e vërtetë? Nuk është e vërtetë? Ishin mërzitur disa nga këta burrat e kënetës. I keni parë kur thonë ne s’jemi çyrykë. Po pse e thua? Kush ta tha ty që je? Ne nuk jemi çyrykë, ne jemi burra. Ishin mërzitur. Po hajde, merreni me mend tani. Çohuni të gjitha vajzat e gratë e Beratit, ikni. Bëni një muaj kroçere dhe lini vetëm burrat këtu dhe kthehuni pastaj. A e merrni me mend çfarë gjeni këtu në Berat? Po shtëpinë e merrni me mend si është? Bjeri kokës çfarë të them unë. Po hajde foli atyre. Po një ditë, një ditë!
Po sikur të ikin ata, ndodh gjë këtu?! Jo, nuk ndodh. Nuk ka më një bisht cigare në rrugë në muaj. Një muaj një bisht cigare, nuk ka. Nuk humbet më 1 qindarkë në bixhoz, një muaj. Nuk ka më një të dehur një muaj në gjithë Beratin e të tjera dhe burrat e mençur e kuptojnë këtë gjë. S’kanë problem me këtë, ja duartrokasin ata. Janë burra të mençur. E kuptojnë. Është njësoj si të them unë që unë jam ky që jam po të mos kem gruan time në krah. Po s’jam. Nuk jam. E kuptoj unë këtë. Të gjithë burrat e mençur e kuptojnë. Tani pse i thua ti çyryk, po tani më fal, midis kënetës dhe BE-se, kur zgjedh kënetën, çfarë je? Je i zgjuar?! Je i zgjuar, je mirë? Je më i verbër se një i verbër që nuk i ka sytë, se i ke sytë dhe nuk do të shikosh. Je më shurdh se një shurdh që nuk i ka veshët, se ti nuk do të dëgjosh, prandaj je gjysmak, por fati i madh i Partisë Socialiste është që 56% e grave në Republikën e Shqipërisë mbështesin Partinë Socialiste. 56%. Ka qarqe si ky këtu për shembull, që janë më shumë se 60%. Ne, shumicën e grave, shumicën e votuesve të parë, ne gjysma e burrave na duhet, gjysma, nuk na duhet më shumë dhe ne dalim matanë dhe e çojmë Shqipërinë në BE. Do mërziten disa burra të tjerë, në qoftë se janë të sinqertë në mërzi, të vijnë këtej dhe të thonë ne jemi në rregull, nuk jemi gjysmakë, e kuptojmë. I pranojmë ne. Duan të rrinë me insistim me kënetën, na vjen keq, janë çyrykë. Na vjen keq!
Shumë faleminderit dhe shoqet, miket, krushkat, kushërirat, komshiet, kunatat kujdes. Kunatat! Është e rëndësishme, rrofshi dhe shihemi prap në takimin e madh përpara 11 majit, ku do jemi bashkë me burrat këtu.
Top Channel