
Në një toksicitet politik me dy partitë tradicionale, PS dhe PD që kanë mbërthyer skenën, lindja e së resë ka qenë mjaft e vështirë.
Sot kur jemi në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 11 Majit, ka disa parti të vogla që kanë marrë mbi shpatulla rolin e së resë. Shpresojnë të çajnë bunkerizimin e pushtetit që kanë ndarë PS dhe PD për 35 vite. Inside Story ka shkuar në 4 selitë e partive, të konsideruara të reja, që shpresojnë të tërheqin elektoratin gri. Pjesa më e madhe e këtij elektorati janë moshat e reja që janë indiferentë ndaj politikës. Simpatizantët e partive të reja, shohin shpresë tek këto subjekte për të përmbushur ëndrrën e viteve ’90-të dhe programet që mbështesin rininë.
‘Zgjodha ‘Shqipëria Bëhet’, pasi unë jam angazhuar për një kohë të gjatë në shoqëri civile dhe kuptova se nuk mund të ofrohet zgjidhje vetëm duke evidentuar problemet. Zgjodha ‘Shqipëria Bëhet’, pasi ka potencialin për të ndryshuar fatet dhe jetët e shqiptarëve, qoftë me programin politik, qoftë me kandidatët që e përfaqësojnë. Personat që aderojnë këtu janë me integritet dhe nuk janë si personat që për 34 vite i kanë ofruar vendit këtë situatë që kemi’ u shpreh Gevio Tabaku, ‘Shqipëria Bëhet’
“I jam bashkuar Partisë Mundësia që prej themelimit dhe këtu menaxhoj pjesën e komunikimit në rrjetet sociale. Më përpara kam qenë krejtësisht e shkëputur nga politika, nuk kam qenë e angazhuar asnjëherë me partitë e tjera, as me partitë e mëdha. Me bindje të djathta, asnjëherë e angazhuar tamam’ u shpreh Paola Nuzi, Partia Mundësia.
‘Unë angazhimin tim e kam nisur në universitet, përpara 12 vitesh kur isha studente, sepse nevoja për tu angazhuar për në jetën universitare ishte domosdoshmëri, sepse ne mendojmë që arsimi nuk mund të jetë privilegj i njerëzve që kanë të mira ekonomike, arsimi është nevojë shoqërore dhe si rrjedhojë duhet që të jetë për të gjithë. Unë jam aktiviste si të gjithë të tjerët, ne nuk se kemi pozita drejtuese, pozitat drejtuese i kemi për shkak se i kërkon ligji, por të gjithë jemi aktivistë të terrenit’ u shpreh Albina Ruko, ‘Lëvizja Bashkë’.
Ata, janë shpresëplotë se forcat që do të mbështesin janë ndryshe nga këto tradicionalet. Në Partinë Socialdemokrate, si për të na dhënë mesazhin se rininë e kanë prioritet, disa mesazhe zgjodhi të na i japë një prej kandidatëve në lista.
‘Ka rreth 6 muaj në fakt që unë jam angazhuar në mënyrë aktive në partinë Social Demokrate. Kryesorja që më nxiti për tu angazhuar me partinë Socialdemokrate ka qenë pikërisht socialdemokracia, e cila lidhet me mirëqenien, me qytetarët, me nevojat e tyre’ u shpreh Dritan Idrizi, PSD.
Të rinjtë si moshë, janë afruar masivisht në listat e kandidatëve siç kemi zbuluar në një hulumtim mbi listat. Por, ata qëndrojnë aty thjesht si mbushës listash për të përmbushur detyrimet e kodit, pa mundësi reale zgjedhje. Të dhënat sugjerojnë se pjesa dërrmuese e atyre që angazhohen ende zgjedhin dy partitë e mëdha.
“Arsyet që unë që i jam bashkuar Partisë Demokratike mund t’i ndajë në disa pika. Pika kryesore është se vij nga një familje e djathtë. Një familje që më ka rritur me vlera të djathta dhe që ka pasur një histori të vështirë gjatë periudhës së komunizmit. Arsyeja e dytë pastaj është se partia demokratike në modalitetin e saj i përfshin dhe unë e gjej veten time tek gjërat që unë besoj, kur vjen fjala tek liria e të menduarit’ u shpreh Emanuele Çaushi, PD
Në vorbullën e fushatës elektorale, pyetja më e zakonshme që bëhet është nëse të rinjtë sot që afrohen në parti të ndryshme politike: a janë më shumë idealistë, apo persona që janë të pirur të shkojnë drejt pragmatizmit në bazë të interesave personale.
‘Unë mendoj që të rinjtë i bashkohen partive tradicionale për dy arsye kryesore, e para mendoj se mund të jetë se është pak më e ndershme ajo e traditës, ajo e traditës familjare, le të themi njëfarë besimi të kultivuar mes ambientit ku ata jetojnë dhe më pa ata angazhohen në këto parti, është disi më e ndershme, krahasuar me këtë tjetrën që është kryekëput oportunizëm edhe që e dëgjojmë dhe e kemi parë shumë shpesh’ u shpreh Bislim Lakna, ‘Lëvizja Bashkë’.
‘Është më e thjeshtë të shkoj te partitë e mëdha, sepse kanë vite dhe është më e thjeshtë, por unë për vete, zgjedh realisht atë që mua më bind dhe do të bëjë diçka për të ardhmen. Po Agroni ka qenë pjesë e PD? Po. Dhe nuk ka ndodhur ndryshime? Po, sepse Agroni nuk ishte në krye të PD’ u shpreh Isabela Niklekaj, ‘Parti Mundësia’.
‘Ka disa të rinj që ndjekin disa interesa dhe e dinë pse e bëjnë. Këto të rinj që e dinë pse e bëjnë shkojnë drejt partive të cilat i kanë gjërat e ngritura dhe mund të fitojnë poste e diçka më shumë. Të rinjtë idealistë më pas, vijnë drejt partive si kjo e jona’ u shpreh Arjola Hajdini, Nima Shqipëria Behet
‘Kam takuar në këtë fushatë dhe idealistë që duan të ndryshojnë, kam takuar dhe të rinj që duan diçka konkrete në këmbim të angazhimit. Nuk di të them nëse janë më shumë kështu, apo ashtu, se nuk kemi bërë ndonjë lloj sondazhi për këtë gjë’ u shpreh Klementin Mile, PSD.
‘Unë mendoj se të rinjtë që u bashkohen PS është se o kanë prindërit në punë, ose i lidh me punësimin në administratë. Nuk është çështje e dëshirave të tyre’ u shpreh Adi Fiku, PD.
Top Channel