Klubi i zemrës i jep lamtumirën Papa Françeskut, stadiumi i ri në Argjentinë do të mbajë emrin e tij

22/04/2025 16:34

Klubi i njohur argjentinas San Lorenzo, me të cilin Papa Françesku kishte një lidhje të veçantë si tifoz i “zjarrtë”, po përjeton një nga ditët më të trishta në historinë e tij.

Presidenti i klubit, Marcelo Moretti, ka ndarë përmes një interviste për MARCA emocionet e tij dhe marrëdhënien personale që kishte ndërtuar me Papën gjatë viteve të fundit.

“Sot është një ditë shumë e trishtë për të gjithë dhe veçanërisht për mua, si president i San Lorenzo”, shkruan Moretti. Ai kujton takimin e parë me Papën në vitin 2016 në Romë, gjatë një miqësoreje të San Lorenzo-s në Olimpico dhe komunikimet e mëvonshme përmes letrave dhe email-eve.

Në vitin 2023, pas zgjedhjes si president i klubit, Moretti u prit në Vatikan nga Papa Françesku në rezidencën e tij, Santa Marta.

Gjatë vizitës në shtator 2024, presidenti i kërkoi Papës lejen për t’i dhënë emrin e tij stadiumit të ri të San Lorenzo-s, që do të ndërtohet në lagjen Boedo, një kërkesë që Papa e pranoi me emocion.

“Ai firmosi për ne një fanellë simbolike të klubit, të cilën do ta ruajmë me kujdes dhe do ta ekspozojmë në sallën qendrore të stadiumit të ri”, shton Moretti.

Kontakti i fundit mes të dyve ndodhi vetëm pak javë më parë, kur presidenti i dërgoi një letër lutjeje për shëndetin e Papës, ndërsa ky i fundit u përgjigj më 1 prill me një mesazh mirënjohës.

San Lorenzo ka njoftuar se do të organizojë një ceremoni përkujtimore për Papën dhe të shtunën e ardhshme, në ndeshjen ndaj Rosario Central, skuadra do të zbresë në fushë me një fanellë të veçantë përkujtimore në nder të tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta