
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, i propozoi të dielën homologut të tij venezuelian, Nicolás Maduro, një marrëveshje për shkëmbimin e 252 shtetasve venezuelianë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbajtur aktualisht në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador, me 252 të burgosur politikë të mbajtur nga autoritetet në Caracas.
“Dua të propozoj një marrëveshje humanitare që përfshin riatdhesimin e 100% të 252 qytetarëve venezuelianë që u deportuan, në këmbim të lirimit dhe dorëzimit të të njëjtit numër (252) të të burgosurve politikë nga mijëra që ju mbani në burg,” shkroi Bukele në rrjetin social X.
Ai shtoi: “Në dallim nga ju, ne nuk kemi të burgosur politikë,” duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit Maduro.
Nayib Bukele, i cili u prit së fundmi në Shtëpinë e Bardhë nga Donald Trump, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një aleat i fortë i presidentit republikan në fushatën e tij kundër imigracionit të paligjshëm. Më shumë se një muaj më parë, autoritetet salvadoriane pranuan dhe ndaluan në një burg të sigurisë maksimale 288 emigrantë të deportuar nga SHBA, nga të cilët 252 ishin qytetarë venezuelianë. Shumica e tyre u akuzuan si anëtarë të bandës ndërkombëtare Tren de Aragua, tashmë e shpallur si organizatë “terroriste” nga Uashingtoni.
Dëbimi i tyre u krye nën thirrjen e Donald Trump për të aktivizuar Aktin për të Huajt Armiq të vitit 1798, një ligj që më parë ishte zbatuar vetëm në kohë lufte.
Të dielën, Donald Trump sulmoi gjyqtarët amerikanë që kundërshtojnë politikat e tij, veçanërisht pas një disfate të rëndësishme që pësoi në Gjykatën e Lartë. Ai kritikoi “demokratët radikalë” që, sipas tij, po përpiqen të rikthejnë në vend “vrasës, bosa të drogës, të burgosur të rrezikshëm, njerëz të paqëndrueshëm mendërisht, rrahës të grave dhe anëtarë të bandës famëkeqe MS-13”, në mesazhin e tij të Pashkëve në platformën Truth Social.
Ai akuzoi gjithashtu gjyqtarët si “të dobët dhe joefektivë” që, sipas tij, po lejojnë vazhdimin e këtij “sulmi të egër kundër vendit tonë”.
Të shtunën, Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi pezullimin e përkohshëm të dëbimeve të mëtejshme të qytetarëve venezuelianë që akuzohen si anëtarë bandash, duke përmendur ligjin për “të huajt armiq”. Dy nga gjyqtarët më konservatorë të gjykatës, përfshirë Samuel Alito, shprehën mospajtimin me vendimin, duke e quajtur atë “të nxituar” dhe “të diskutueshëm”.
Që nga kthimi në pushtet në janar, Donald Trump e ka bërë goditjen ndaj imigracionit të paligjshëm një nga prioritetet e tij kryesore. Ai e përshkruan situatën si një “pushtim” të vendit nga kriminelë të huaj dhe kërkon që dëbimet të trajtohen si çështje me prioritet të lartë në agjendën kombëtare dhe në media.
Ndërkohë, avokatët e shumë prej emigrantëve të dëbuar kundërshtojnë vendimet e administratës, duke theksuar se klientët e tyre nuk janë pjesë e asnjë bande kriminale, nuk kanë kryer krime, dhe janë shënjestruar vetëm për shkak të tatuazheve.
Kjo situatë ka alarmuar opozitën dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut, sidomos pas deklaratës së Trump se “do të dëshironte” të deportonte edhe qytetarë amerikanë me precedent penal në El Salvador.
“Ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë një krize kushtetuese,” paralajmëroi senatorja demokrate Amy Klobuchar për CNN.
Në disa raste, gjyqtarët janë përpjekur të ndalojnë deportimet masive të kërkuara nga administrata Trump, duke shkaktuar zemërimin e saj. Një rast emblemë është ai i Kilmar Ambrogo Garcia, një emigrant nga El Salvador që u deportua në mënyrë të padrejtë dhe tani mbahet në burg në vendin e tij. Pavarësisht se është pranuar një “gabim administrativ”, administrata refuzon kthimin e tij në SHBA, ku ka familje.
“Kur dikujt i mohohen të drejtat kushtetuese, kërcënohen të drejtat e të gjithëve ne,” deklaroi senatori demokrat Chris Van Hollen, i cili e vizitoi El Salvadorin dhe u takua me Garcia-n.
Top Channel