
Jorge Mario Bergoglio, Papa i parë nga Amerika Latine, vdekja e të cilit u njoftua sot nga Vatikani, ka lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës. Familja e tij vinte nga Piemonte në Italinë veriore, babai i tij ishte kontabilist për hekurudhat argjentinase, nëna e tij shtëpiake.
Pasi mbaroi shkollën e mesme teknike, vendosi të hynte në një seminar katolik. Më pas u bë anëtar i urdhrit jezuit dhe studioi filozofi. Në vitin 1965 ai filloi të jepte mësimdhënie për letërsi dhe psikologji në Kolegjin Katolik të Santa Fe dhe, pas një viti, në një institucion fetar në Buenos Aires. Në vitin 1969 shugurohet meshtar dhe një vit më vonë përfundon studimet për teologji.
Për pesëmbëdhjetë vjet dha mësim në universitetet katolike, ndërsa në vitin 1986 shkoi në Gjermani, ku kreu doktoraturën. Në vitin 1992, ai u emërua nga Papa Gjon Pali II si peshkop i qytetit të Auca dhe peshkop ndihmës i Buenos Aires. Më 28 shkurt 1992 u zgjodh Kryepeshkop i Buenos Aires dhe i gjithë Argjentinës.
Në vitin 2001, Gjon Pali II e emëroi atë kardinal dhe në prill 2005 mori pjesë në zgjedhjen e Papës Benediktit nga Konklava.
Si kryepeshkop i Buenos Aires, ai theksoi mbështetjen e qytetarëve më të varfër, përhapjen e fjalës së Zotit në çdo cep të qytetit, mbajtjen e portave të të gjitha kishave “gjithmonë të hapura” dhe bashkëpunimin e ngushtë midis klerit dhe laikëve.
Jorge Mario Bergoglio u zgjodh papë më 13 mars 2013. Ai vendosi të zgjidhte emrin Françesku – duke theksuar, kryesisht, titullin e peshkopit të Romës – dhe të mbante një kryq hekuri në vend të një ari. “Vëllezërit e mi, kardinalët, për të zgjedhur Papën e re, erdhën deri në skajin tjetër të botës”, tha ai në urimin e tij të parë drejtuar besimtarëve.
Sipas të gjithë analistëve, por edhe në zemrat e miliona besimtarëve, ai ishte “papa i të varfërve”, Ati i Shenjtë i Katolikëve që vuri theksin tek ndihma dhe solidariteti me emigrantët. Ai urdhëroi autoritetet e Vatikanit që të pastrehët të flenë në rrugët përreth Shën Pjetrit, por edhe brenda Sheshit të Bazilikës. “Kush jam unë që të gjykoj një homoseksual kur ai vetë kërkon rrugën e Zotit?” ishte përgjigja që i dha një gazetari, duke u kthyer me avion nga një prej udhëtimeve të tij të para si Papë.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, por edhe krizës humanitare në Gaza, Françesku përsëriti pafundësisht se “lufta është gjithmonë një disfatë dhe askush nuk duhet ta harrojë kurrë këtë”. Një ditë pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, Papa argjentinas shkoi në ambasadën ruse pranë Vatikanit për t’i kërkuar prerazi përfaqësuesit diplomatik të Moskës që t’i heshtte armët.
Marrëdhënia e tij me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu ishte shumë e ngushtë. E ftoi dhe e kishte pranë në të gjitha nismat e dialogut ndërfetar, duke e quajtur “vëlla i dashur”. Ai u frymëzua nga puna e Patriarkut Ekumenik në Enciklikën për mbrojtjen e mjedisit “Laudato sii” dhe po përgatitej ta takonte, majin e ardhshëm, në Azinë e Vogël për 1700 vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë. Dëshira e tij e thellë, si ajo e Primatit të Ortodoksisë, ishte që të dy Kishat të ktheheshin së shpejti në një festë të përhershme, të përbashkët të Pashkëve.
Nuk munguan konfliktet dhe kritikët, ata që akuzonin papën e Amerikës Latine se nuk i jepte peshën e duhur hierarkisë dhe ritualit, se fliste një gjuhë tepër të thjeshtë që shpesh kujtonte një prift të thjeshtë dhe jo udhëheqës fetar të mbi një miliard besimtarëve. Megjithatë, kjo ishte forca e vërtetë e Françeskut, referimi ndaj thelbit të mesazhit të krishterë, ndërgjegjësimi se një besimtar dhe njeri i mirë gjykohet, para së gjithash, nga përditshmëria dhe veprat e tij, një kthesë drejt një njerëzimi spontan, të thellë, të cilin Kisha Katolike Romake do ta ketë shumë të vështirë ta harrojë në vitet e ardhshme.
Top Channel