Inzaghi drejt largimit nga Interi? Klubi “sheik” i bën ofertën faraonike teknikut italian të zikaltërve

19/04/2025 10:37

Al Hilal ka nisur një sulm të drejtpërdrejtë për të siguruar shërbimet e trajnerit italian Simone Inzaghi, duke i ofruar një kontratë 20 milionë euro në vit për dy sezone.

Kjo ofertë ka tërhequr vëmendjen e shumëkujt, pasi është e vështirë të injorohet. Klubi saudit dëshiron të finalizojë sa më shpejt marrëveshjen me Inzaghi, duke pasur parasysh pasigurinë e vazhdimit të Jorge Jesus, i cili është i lidhur me një kalim te kombëtarja braziliane.

Synimi i Al Hilal është i qartë: të rindërtojë projektin e tij sportiv para Kupës së Botës për Klube. Performanca e ekipit gjatë këtij sezoni ka ngritur dyshime brenda bordit të drejtuesve, dhe situata e trajnerit aktual ka përshpejtuar planet për të gjetur një pasues të denjë. Presidenti i klubit, Fahad bin Nafil, ka pasur një takim personal me Inzaghi për t’i paraqitur planin ambicioz.

Inzaghi, i cili aktualisht është fokusuar në garat për tituj me Interin, ka zgjedhur të mbajë qetësinë dhe të shtyjë çdo vendim deri në fund të kampionatit në Itali. Megjithatë, madhësia e ofertës dhe gatishmëria e Al Hilal për të paguar klauzolën e lirimit të tij sugjerojnë se ky operacion është serioz.

Top Channel