Ky është momenti kur shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka është paraqitur në drejtorinë vendore të Policisë Tiranë për tu vetëdorëzuar pas urdhër arrestit nga SPAK.

Në pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha duken pamjet teksa Zeka futet në polici pasi është informuar nga mediat për urdhër arrestin.

Ndaj 3 oficerëve të policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë SPAK ka firmosur tre masa arresti për dyshimet e korrupsionit . Siç bëhet me dije jo zyrtarisht shefi i komisariatit rrugor Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike Sokol Novaku dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku dyshohen për korrupsion.

Në përgjime rezulton qe oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik. Çështja u hetua nga prokurorët e posaçëm që u vunë në lëvizje mbas një aksidenti rrugor në kryeqytet një ngjarje për të cilën ka dyshime se paratë i ka paguar një shtetase ndaj oficerit të policisë gjyqësore .

Mbetet ende e paqartë se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka patur pasojë në jetë prej këtij aksidenti. Por ajo që shpjegohet është fakti se vendngjarjen e ka këqyrur oficeri Edison Tabaku, ndërkohë që më pas ka komunikuar me shefin e linjes për aksidentet Sokol Novaku po ashtu me urdhër ndalimi.

Për shkak se përmendet nga dy oficerët, urdhri i ndalimit është firmosur edhe ndaj Zekës, emëruar në këtë detyrë në mesin e dhjetorit 2024. Veç Zekës qe është vetdorëzuar, BKH ka arrestuar dy të tjerët, ndërkohë që veprimet vazhdojnë të kryhen nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Aksidenti sipas Anila Hoxhës ka ndodhur në 16 prill 2025 në Tiranë dhe mjeti drejtohej nga shtetasja A.V . Përgjimet tregojnë se paratë ju paguan oficerit të policisë gjyqësore Tabaku nga bashkëshorti i shoferes.

Oficeri i policisë gjyqësore sipas prokurores së çështjes që ka firmosur urdhërndalimet dhe për dy të tjerët Zeka dhe Novaku përmend emrat e eprorëve. Do të jetë gjyqtari i masës që do të vlerësojë nëse veç bisedave të oficerit që kreu këqyrjen në aksidentin në fjalë, ka apo jo prova tej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Top Channel