
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të KOKSH, që do të mbahet më 23 prill 2025.
Vendimi vjen si reagim ndaj refuzimit të KOKSH për të përfshirë në rendin e ditës një kërkesë zyrtare të paraqitur nga FSHF më 28 mars, lidhur me zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS).
Sipas FSHF, KOKSH ka shkelur të drejtat e saj si anëtare, duke injoruar jo vetëm kërkesën për diskutim, por edhe vendimin ligjërisht të detyrueshëm të CAS, që shpall të pavlefshëm proceset e mëparshme zgjedhore të Komitetit Olimpik.
“Pjesëmarrja në një asamble ku anëtarët nuk lejohen të shprehen nuk ka kuptim”, thuhet në deklaratë. FSHF e konsideron sjelljen e drejtuesve të KOKSH si autoritariste dhe në kundërshtim me frymën olimpike, ndërsa shton se do të vazhdojë betejën për rikthimin e ligjshmërisë dhe të drejtave demokratike brenda organizatës.
Top Channel