Komisioni Europian publikon listën e shtatë vendeve që konsiderohen “të sigurta”, mes tyre edhe Kosova

16/04/2025 17:25

Komisioni Europian publikoi sot listën e vendeve që konsiderohen “të sigurta”, duke kufizuar mundësitë e dhënies së azilit për shtetasit e tyre që emigrojnë në Bashkimin Europian. Kjo listë përfshin Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë.

Synimi është përshpejtimi i procesit të menaxhimit të kërkesave për azil të shtetasve të këtyre vendeve që migrojnë në numër të madh drejt vendeve të Bashkimit Evropian bazuar në konstatimin se ata nuk kanë apriori profilin e refugjatit, gjë që mund të përshpejtojë riatdhesimin e tyre.

Duke hartuar një listë të përbashkët evropiane, Komisioni synon të korrigjojë situatën ekzistuese që lejon azilkërkuesit të synojnë vendet evropiane bazuar në kriteret e ndryshme dhe pak a shumë fleksibël që çdo vend vendos për dhënien e azilit.

Komisioni konsideron se shumica e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian përmbushin, në parim, kriteret për të qenë vende të sigurta të origjinës.

Që propozimi i Komisionit të hyjë në fuqi, ai duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, çështja është shumë e ndjeshme në nivel politik dhe ka të ngjarë të shkaktojë mosmarrëveshje mes 27.

Çështja e listës u promovua nga Roma dhe sot qeveria italiane përshëndet “një sukses të qeverisë italiane”.

Komisioni Evropian prezantoi një listë të vendeve të sigurta të origjinës në vitin 2015. Por ai plan u braktis përfundimisht për shkak të debateve të nxehta mbi përfshirjen apo jo të Turqisë, me të dhënat e saj të diskutueshme në fushat e pavarësisë gjyqësore, respektimit të të drejtave të pakicave dhe lirisë së shtypit.

Bashkimi Evropian është nën presion për të ashpërsuar politikën e tij të emigracionit, pasi e djathta dhe e djathta ekstreme fitojnë terren në vendet evropiane.

Në mes të marsit, Komisioni Evropian publikoi një paketë masash për të përshpejtuar dëbimet e të huajve pa leje qëndrimi. Komisioni propozoi në mënyrë specifike një kuadër ligjor për krijimin e qendrave të emigrantëve jashtë kufijve evropianë, të ashtuquajturat “nyje kthimi”.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta