
Në Policinë e Fierit janë shoqëruar pesë persona mbrëmjen e së martës, mes të cilëve edhe dëshmitarë.
Mësohet se oficerë të BKH-së dhe punonjës të forcave operacionale kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur një dron në hyrje të Fierit që ka shkuar pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, i afërm i Agron Kapllanaj, ish-kryebashkiak i Ballshit dhe ish-eksponent i Partisë Demokratike.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar policia e Fierit.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njofton policia.
Top Channel