
Raporti i Komisionit të Përkohshëm për vetifikimin e mandateve të deputetëve nuk është miratuar në seancën konstituive të 15 prillit.
52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 kanë abstenuar dhe kryesuesi i seancës konstituive njoftoi për një pauzë konsultative me subjektet politike.
LDK, PDK dhe AAK votuan kundër raportit, Lista Serbe ka abstenuar.
Arsyen pse u votua kundër e ka sqaruar anëtari i komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj.
“Edhe unë në emër të LDK-së, kam votuar kundër raportit, jo pse nuk përmban të dhënat e sakta nga KQZ-ja por sepse nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë, Për të siguruar siguri kushtetues , që nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë, na është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, letër që do të duhej të shpërndahej në ditën e certifikimit, para certifikimit“, ka thënë Zemaj.
Ndërkohë, Albin Kurti i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës këtë të martë letrën e dorëheqjes si procedurë për të bërë betimin e deputetit së bashku me kabinetin e tij të ministrave gjë që kërkohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Letra e plotë:
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.
Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Seanca është ndërprerë për shkak të rrethanave të paqarta të krijuara për herë të parë.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti nuk mori votat e nevojshme do ti dërgojmë një letër presidentes për konsulte te shihet si te vazhdohet tutje”, ka thënë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Top Channel