
Gjykata e Posaçme ka dënuar me katër vite burg Muhamet Mehdi Manollari, i cili akuzohet se ka financuar terrorizmin duke dërguar para tek i ati, i cili në 2013 ishte larguar drejt Sirisë për të luftuar përkrah ISIS.
Muhamet Manollari la gjurmë pesë vjet pas largimit të të atit, përmes trukeve financiare kur ditën e 19 nëntorit 2018, transferoi 864 euro drejt një shtetasi sirian.
Ky i fundit konsiderohet nga SPAK si ndërmjetësi që do t’ia kalonte paratë Mehdi Manollarit i cili ju bashkua organizatës terroriste dhe besohet se është vrarë në Siri në vitin 2019 dhe paratë thotë SPAK nuk mund t’i dërgoheshin direkt atij sa kohë gjendej në listën e personave me lidhje terroriste.
Për të realizuar transfertën i biri nuk ka përdorur të dhënat dhe emrin e tij, por përmes një karte identiteti të një shtetaseje.
Kjo e fundit e kishte raportuar të humbur dokumentin në polici pak përpara se të dërgoheshin eurot. Dërgesa u transferua përmes një institucioni që kryen shërbime financiare.
Më herët për rekrutimin e gati 120 shtetasve shqiptarë në Siri në të ashtuquajturin gjyqi i xhihadistëve, gjykata dënoi nëntë persona me 109 vite burg në total.
Mes tyre imamë të vetëshpallur dhe financues.
Top Channel