
Në Asamblenë Zgjedhore të Unionit Europian të Taekwondo-së, të mbajtur më 12 prill 2025 në Nuremberg, Gjermani, zëvendësministër i Arsimit dhe Sporti, Endrit Hoxha u zgjodh Zëvendëspresident i këtij institucioni.
Në të njëjtën Asamble, z. Sakis Pragalos u rizgjodh unanimisht si President i Unionit, ndërsa një bord i ri drejtues u formua për të çuar përpara misionin e promovimit të këtij sporti në mbarë Evropën.
Hoxha u shpreh se Shqipëria tashmë zë një vend dinjitoz në hartën ndërkombëtare të Taekwondo-së, jo vetëm në drejtim, por edhe në organizimin e mbi 12 eventeve ndërkombëtare në katër vitet e fundit dhe me sportistë që renditen në top 5 në botë, me rreth 100 medalje të fituara.
“Kam nderin të ndaj me ju lajmin se në Asamblenë Zgjedhore të datës 12.04.2025, në Nuremberg, Gjermani, u zgjodha Zëvendëspresident i Unionit Europian të Taekwondo-së.
Shumë vite kontribut me pasion në sportin që dua u kurorëzuan me këtë arritje. Në këtë Asamble, i besuam unanimisht z. Sakis Pragalos, duke e rizgjedhur President të Unionit Europian të Taekwondo-së, me bindjen e plotë se, nën drejtimin e tij dhe me kontributin e të gjithë zëvendëspresidentëve dhe Bordit Drejtues të sapozgjedhur të ETU-së, do të punojmë për të rritur nivelin e sportit të Taekwondo-së në mbarë Evropën.
Qëllimi ynë është të promovojmë vlerat që ky sport mbart, të rrisim kapacitetet, si dhe të punojmë për trajnimin dhe edukimin e vazhdueshëm të trajnerëve, gjyqtarëve dhe sportistëve.
Me plot bindje dhe krenari mund të them se sot Shqipëria ka zërin dhe vendin e saj dinjitoz në sportin e Taekwondo-së – duke nisur nga përfaqësimi në lidershipin e organeve drejtuese evropiane, e deri te eksperienca e konsoliduar në organizimin e kompeticioneve ndërkombëtare. Vetëm në katër vitet e fundit janë mbajtur mbi 12 ngjarje të tilla në Shqipëri, me mijëra sportistë nga e gjithë bota të ardhur në vendin tonë.
Por ajo që është më e rëndësishmja: sportistët tanë sot renditen të pestët në botë, me rreth 100 medalje të fituara në katër vitet e fundit, duke ngritur flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Sporti është dhunti, disiplinë, përkushtim dhe pasion. Ai mbart vlera dhe parime sociale e edukative – parime që Taekwondo i pasqyron më së miri. Por ajo që ju çon drejt objektivave është besimi. Prandaj, besoni fort dhe punoni çdo ditë për gjërat që doni”, shkruan Hoxha nw postimin e tij.
Top Channel