Sot konferenca e katërt ndërqeveritare, Rama në Bruksel: Të përkushtuar që të përmbushim të gjitha detyrat e kalendarit

14/04/2025 12:11

Shqipëria do të çelë grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE.

Kryeministri Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Kryeministri Edi Rama fillimisht dha një deklaratë nga Brukseli, ku u prit nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, e më pas do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos.

Faleminderit shumë që jeni këtu. Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit dhe rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë  e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces e pastaj edhe për samitin e ardhshëm për komunitetin politik europian, i cili është një aktivitet, një eveniment shumë i rëndësishëm në përgjithësi, por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment, në kohë dhe sigurisht do të flasim për rajonin ndaj të cilit, Presidenti është veçanërisht i përkushtuar.

Kështu që, ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027″, tha Rama nga Brukseli.

Në nisje të konferencës Kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse, në emër të Shqipërisë  Ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Në përfundim të punimeve të Konferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Grupkapitulli i II-të i negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta