
Të shtunën është përurur sistemi i kontrollit të përbashkët të kalimit kufitar për udhëtarë dhe mallra në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në kalimin kufitar në Bllacë.
Kalimi është i modelit me një ndalje dhe një kontroll.
“Takimi ynë i përbashkët shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunim që kontribon në qarkullimin kufitar. Sot po kurorëzojmë një marrëveshje që mundëson kalimin kufitar një ndalesë një kontroll”, ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Homologu i tij maqedonas, Pance Toshkovski tha se ky projekt e ngre në një nivel tjetër bashkëpunimin mes vendeve.
“Synimi i institucioneve është të lehtësojnë jetën e qytetarëve. Lëshimi në përdorim i sistemit me një ndalesë ku kalojmë në një nivel tjetër të bashkëpunimit tonë”, tha Toshkovski.
Pjesë e përurimit ishin edhe kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Na gëzon fakti që tani e tute policët tanë do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira. Ka vite që qytetarët tanë në te dy anët e kufirit e kanë pritur këtë arritje.
Kjo kontribuon rritjes ekonomike shkëmbimit tregtar dhe rritjes së bashkëpunimit qytetar”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, Hristijan Mickoski tha se kjo pikë shënon edhe bashkimin e dy vendeve.
“Është kalim i vlerave evropiane të integrimit dhe qarkullimit të lirë. Sot i bashkojmë njerëzit nga te dy anët e kufirit”, u shpreh ai.
Top Channel