Teksa ushtria ruse vijon sulmet në Ukrainë, i dërguari i posaçëm i Trump takon Vladimir Putin në Moskë

11/04/2025 16:52

Paqja është e paarritshme për Ukrainën për shkak të agresionit të vazhdueshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, theksuan të premten ministrat evropianë të mbrojtjes, edhe pse Shtetet e Bashkuara i shtynë përpara bisedimet me Moskën.

Zyrtari i lartë i administratës Trump, Steve Witkoff mbërriti në Shën Petersburg sot për një takim me presidentin rus Vladimir Putin, sipas mediave shtetërore ruse.

Putin dhe Witkoff do të diskutojnë për Ukrainën, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke e quajtur atë “një mundësi të mirë” për të përcjellë qëndrimin rus te Trump. Një takim i mundshëm Putin-Trump mund të jetë gjithashtu në axhendë, siç citoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti të thoshte Peskov.

“Puna e mundimshme vazhdon. Natyrisht, Witkoff, si përfaqësues i posaçëm i  Trump, do t’i përcjellë Putinit diçka nga presidenti i tij. Putini do ta dëgjojë atë. Biseda do të vazhdojë për aspekte të ndryshme të zgjidhjes së Ukrainës”, tha Peskov.

Witkoff, i cili është i dërguari i jashtëm i Trump, u takua gjithashtu me negociatorin rus, Kirill Dmitriev, tha më herët Kremlini. Të shtunën, ai është planifikuar të marrë pjesë në bisedimet e nivelit të lartë të Iranit në Oman.

Takimet e SHBA-së në Rusi vijnë pasi aleatët kryesorë të Ukrainës u mblodhën të premten në Bruksel, ku ministrat e mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë theksuan se Putini ka vazhduar agresionin e tij kundër objektivave ushtarake dhe civile, pavarësisht se pretendon se dëshiron paqe.

Takimi i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës u organizua nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, me një mungesë të dukshme në tryezë: Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Pete Hegseth, i cili mori pjesë vetëm virtualisht.

Grupi prej rreth 50 kombesh, i cili u krijua nga ish-sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin gjatë administratës së Bidenit, takohet rregullisht për të diskutuar për forcimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

“Duke pasur parasysh agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës, ne duhet të pranojmë se paqja në Ukrainë duket të jetë e paarritshme në të ardhmen e afërt”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius në një konferencë shtypi menjëherë pas takimit, duke folur së bashku me ministrat ukrainas dhe britanikë.

“Ne do të sigurojmë që Ukraina të vazhdojë të përfitojë nga mbështetja jonë e përbashkët ushtarake. Rusia duhet të kuptojë se Ukraina është në gjendje të vazhdojë të luftojë dhe ne do ta mbështesim atë”, tha ministri gjerman.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey vuri në dukje se “sot është një muaj nga dita në të cilën Rusia hodhi poshtë marrëveshjen e paqes të Presidentit Trump”.

“Putini tha se donte paqe, por ai hodhi poshtë një armëpushim të plotë. Putin tha se donte paqe, por ai vazhdon të zvarritet dhe të vonojë negociatat. Putin tha se donte paqe, por forcat e tij vazhdojnë të qëllojnë mbi Ukrainën, objektivat ushtarakë dhe civilë”, tha Healey.

Takimi i së premtes shënon herën e parë që një zyrtar i lartë i Pentagonit nuk ka marrë pjesë personalisht që nga themelimi i grupit në vitin 2022, vetëm disa muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili vjen në mes të një sërë ndryshimesh politikash nga administrata Trump që shihen si afrim me Moskën.

“Një çështje prioritetesh”

Pistorius i Gjermanisë tha përpara takimit të Brukselit se ishte vendimi i administratës Trump për të marrë pjesë virtualisht dhe “nuk ishte puna e tij” të komentonte mbi sinjalin që dërgonte.

“Nuk është çështje prioritetesh. Mendoj se është çështje orare”, shtoi Pistorius.

Përpara takimit, ministri britanik i mbrojtjes ofroi fjalë të forta mbështetjeje për Ukrainën dhe bëri thirrje për ushtrimin e “presionit edhe më të madh ndaj Putinit”.

“Angazhimi ynë është ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të fortë për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës dhe për të penguar agresionin e ardhshëm rus”, tha Healey në një deklaratë.

Premtimet e reja të ndihmës ushtarake të njoftuara pas takimit të së premtes arrijnë në më shumë se 21 miliardë euro (23.8 miliardë dollarë), njoftoi Healey, duke e quajtur atë “një rritje rekord në financimin ushtarak për Ukrainën”.

Gjermania do të ofrojë 11 miliardë euro të tjera (12.5 miliardë dollarë) mbështetje ushtarake për Ukrainën deri në vitin 2029, duke përfshirë sistemet raketore të mbrojtjes ajrore mobile IRIS-T dhe raketat PATRIOT, tha të premten nga Brukseli ministri i mbrojtjes i Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia gjithashtu do të japin së bashku 589 milionë dollarë shtesë në ndihmë ushtarake, për të siguruar mirëmbajtjen e automjeteve, sistemeve të radarëve, minave antitank dhe qindra mijëra dronëve.

Mbrojtja ajrore është prioriteti i Kievit, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përpara takimit.

“Ne vetëm duhet të adresojmë mungesën e sistemeve të mbrojtjes ajrore për ta bërë mbrojtjen tonë të qiellit më të fortë”, tha Zelensky.

“Partnerët tanë mund të ndihmojnë me këtë dhe gjithashtu të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë. Patriotët që mbeten të papërdorur në ruajtje me partnerët tanë duhet të mbrojnë jetë”, shtoi ai.

Zelensky tha në fillim të kësaj jave se Rusia po “përgatiste” një ofensivë të re, pasi CNN raportoi se ushtria ruse ka shtuar operacionet përgjatë vijës së frontit në javët e fundit.

Shefi ushtarak i Ukrainës Oleksandr Syrskyi u tha mediave ukrainase të enjten se Rusia “tashmë ka filluar” ofensivën e saj të re kundër rajoneve Sumy dhe Kharkiv.

Ndërkohë, një raport i ri i Kombeve të Bashkuara zbuloi këtë javë se Ukraina përjetoi një rritje të konsiderueshme të viktimave civile nga sulmet ruse në mars.

Numri i viktimave civile ishte 50% më i lartë se muaji i kaluar, me të paktën 164 njerëz të vrarë dhe 910 të plagosur në mars, tha Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta