
Me sloganin “Shqipëria në BE 2030- vetëm me Edin dhe PS”, socialistët nisën zyrtarisht fushatën elektorale, nga ku kryesocialisti Edi Rama pas 12 vitesh do të jetë ballë përballë me Sali Berishën, pas duelit së fundit në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013.
Socialistët dhe Rama synojnë fitimit të një mandati të katërt qeverisës me kartën e futjes së Shqipërisë në BE në 2030.
Jo me një, por me 12 takime elektorale nga 12 qarqe të vendit, kjo ishte risia e nisjes së kësaj fushate nga PS, krahasuar me fushat e shkuara.
Fokusi vajzat, gratë dhe kandidatet socialiste në garën e parlamentareve të 11 Majit nga ku PS numëron 38.500 gra e vajza anëtare, në shkallë vendi me 38% kandidate në listën e mbyllur dhe 56% të listën e hapur.
Shqipëria tha Edi Rama është grua, BE është grua dhe suksesi drejt BE-s varet nga nënat dhe bijat shqiptare.
“Shqipëria është grua! Europa është grua dhe suksesi për Shqipërinë 2030 varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë, nuk ka asgjë që më bën më shumë krenarë se sa fakti se kjo parti politike mbështetet nga gratë. 56% e zgjedhësve gra dhe vajza në rang vendi mbështesin PS, në disa qarqe është më e lartë. Te burrat, kjo % është më e ulët. Mbështetjen më kuptimplotë të pjesës më të ndjeshme, të pjesës më të arsyeshme, të pjesës më sakrifikuese të popullit shqiptar, nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër, mbështetjen e burrave dhe djemve. Mes dy palëve nuk ka diskutim që zgjedh të parat nënat, vajzat”.
Teksa kërkoi votën për një mandat të katërt, Rama shprehu besimin se PS do të ketë edhe një mandat të pestë qeverisës, me në krye jo atë, por një grua.
“Në 2030, do shikohemi përsëri se do vijmë të mbështesim kryeministren grua”, tha kryesocialisti.
Fjala e plotë e Ramës:
Të dashura nëna, motra, bija kudo ku jeni!
Sot, ne jemi mbledhur njëkohësisht në të 12-të qarqet e vendit, ku do të zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë për të nisur zyrtarisht fushatën e 11 majit dhe duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha forcat komando të Forumit të Gruas, ne menduam që më e udhës ishte të mblidhen drejtueset dhe koordinatoret e çdo qarku për të përcjellë nga këtu dhe bashkë me ju për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë një mesazh të drejtpërdrejtë “Shqipëria është grua, Europa është grua” dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian varet, në radhë të parë, nga nënat, nga motrat dhe nga bijat e Shqipërisë”.
Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për Partinë Socialiste, sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe nga vajzat e Shqipërisë, e thënë ndryshe, Partinë Socialiste e mbështesin në rang kombëtar 56% e zgjedhëseve gra dhe vajza, ndërsa në qarqe të caktuara, kjo mbështetje shkon deri në 65%.
Kjo do të thotë se tek burrat dhe djemtë, mbështetja është më e ulët për ne, sesa tek gratë dhe vajzat dhe nëse tek gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është goxha i madh, tek burrat ai është ndjeshëm më i ngushtë, por ama, sinqerisht, mbështetjen kuptimplotë, prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, të pjesës më të arsyeshme, të pjesës më sakrifikuese të popullit shqiptar që janë gratë dhe vajzat, unë nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër, mbështetjen e burrave dhe djemve, të cilën pa diskutim e çmoj shumë, siç çmoj çdo shqiptar dhe çdo shqiptare që na mbështet, por mes dy palëve nuk ka asnjë diskutim që unë zgjedh gjithmonë të parat, nënat, bijat dhe motrat dhe jo për një, as për dy arsye më shumë, por për më shumë sesa dy arsye, prandaj edhe sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zyrtare zgjedhore nuk mund ta nisnim këtë etapë të fundit drejt finishit të 11 majit, përveçse këtu, përveçse kështu, me gratë dhe vajzat, që duke e njohur nga brenda organizimin e Partisë Socialiste mendoj se meritojnë të quhen me plot gojën komandot e armatës tonë fitimtare në të gjitha qarqet e vendit, të cilat bashkëdrejtojnë dhe koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrës, taninë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë, dhe ju falenderoj të gjithave ju këtu në këtë sallë dhe në të gjithë 11 sallat e tjera dhe përmes jush çoj një përqafim vëllazëror shoqeve, bashkëpunëtoreve tuaja në çdo nivel të organizimit të partisë dhe deri në çdonjërën nga 5202 organizatat socialiste, duke i falenderuar edhe ato një për një, për punën fantastike që keni bërë të gjitha bashkë, për punën në qëndisjen me durim përditë prej thuajse 2 vitesh, por sidomos duke filluar nga shtatori i shkuar, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të flamurit të fitores sonë.
Ai flamur që ju keni qëndisur me shumë durim zonë më zonë, njësi më njësi, qendër votimi për qendër votimi do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit dhe në mëngjesin e 12 majit, Shqipëria do të gdhihet e gjitha e mbuluar me rozë që është ngjyra e grave dhe vajzave, por që është edhe ngjyra e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Partia Socialiste dhe fuqia e gruas dhe vajzës shqiptare nuk janë sot rastësisht të ndërlidhura kaq shumë me njëra-tjetrën, kjo është një sinergji që është aktualisht shumë domethënëse sepse ka nisur të krijohet qysh 20 vjet më parë, kur i sapozgjedhur në krye të kësaj familjeje politike, unë shkoja të vizitoja për herë të parë organizatat tona nëpër Shqipëri. Partia atëherë ishte në një depresion nga humbja që riktheu asokohe në krye të vendit bufin e kënetës së sotme opozitare, por mungesën e dritës së shpresës e bënte edhe më të padurueshme në ato takime, mungesa e grave dhe vajzave në shumë organizata, nuk kishte asnjë grua dhe asnjë vajzë dhe pastaj ajo që e bënte komplet black out dëshpërues takimin e këtij lloji ishte përgjigja e pyetjes time “Pse nuk ka asnjë grua sot këtu?”, pra në organizatë “Po ku ka gra këtu tek ne!” pra në zonë.
Pastaj unë vazhdoja me përgjigjen “Po juve kush ju ka pjellë” dhe kur ata nuk reagonin shtoja dhe pyetjen tjetër “Po në shtëpi kush kujdeset për ju, juve vetë për veten tuaj?” dhe gjithmone e kam menduar, imagjinoni sikur të gjitha ju të iknit nja një muaj nga Shqipëria fare.
Kur të ktheheshit, ju siguroj që ky vend, do të ishte i mbushur me burra me mjekra, me flokë të gjata, të palarë rrugëve, etj.
Dhe ndërkohë në atë kohë parlamenti nxinte nga burrat si odë otomane, kurse qeveria e sapoformuar në mos gaboj kishte vetëm një grua. Atëherë këtu, në këtë parti nisi dhe një revolucion gjinor, që u shtri pastaj edhe jashtë kësaj partie, duke e rritur gradualisht, por sistematikisht pjesëmarrjen e grave dhe të vajzave në vendimmarrje.
Rruga e hapur më parë në bashkinë e Tiranës, ku unë praktikisht e ktheva përmbys për hir të së vërtetës me ndihmën e paçmuar të Musa Ulqinit, që asokohe ishte Kryetar i Partisë së Tiranës dhe mua më mbronte kurrizin nga gjithë shigjetat, raportin burra-gra në role drejtuese, gjë që u shtri në PS përmes listave në këshillat bashkiakë dhe pastaj edhe për Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që qeveria jonë tanimë prej vitesh renditet në pesëshen e parë të klasifikimit të Kombeve të Bashkuara për pjesëmarrjen e lartë të grave në kabinetet qeveritare.
Ndërkohë që, Forumi Ekonomik botëror e renditi Shqipërinë në vendin e 23 për progresin e bërë në të drejtat dhe përfaqësimin e grave. Megjithatë, asnjëherë të kënaqur dhe vazhdimisht në kërkim të ndryshimit, ne futëm përpara disa kohësh, e tha Evisi, edhe risinë e bashkëdrejtimit të organizatës nga një burrë apo djalë dhe nga një grua apo vajzë dhe sot në 5202 organizata në krejt territorin, ne kemi 4963 që bashkëdrejtohen nga gra dhe nga vajza.
E di që kjo risi nuk është e gjitha kaq e bukur, edhe sepse në jo pak raste ka probleme të pazgjidhura funksionale apo justifikime të plota burrash për mosfunksionimin, ka dhe formalizëm dhe fiktivitet në ndonjë rast, por në tërësi e gjithë kjo arritje e re është diçka tejet pozitive, së cilës, dhe këtë kanë për ta parë jam i bindur, shokët tanë skeptikë, të cilës do t’ia shohim vlerën e shtuar qysh pas 30 ditësh nga sot.
Totali i grave dhe i vajzave në familjen tonë të madhe është rritur dhe pse ende jo plotësisht mjaftueshëm sipas meje, por jo pak, nga më pak se 5% në thuajse 40%.
Kemi sot 38447 anëtare për të cilat unë ju kërkoj një duartrokitje, por një duartrokitje të stuhishme, por nuk duhet të ndalemi këtu, nuk duhet të pajtohemi me veten deri kur ta bëjmë 50 mijë numrin e grave dhe vajzave në PS.
Dhe më dëgjoni, shembuj të mirë ka plot për sa po them dhe për sa lart akoma ne mund të ngjitemi dhe megjithëse shoku Gramoz mua gjithmonë më ka thënë “mos lëvdo në publik se nuk do i lëvdosh dot të tërë dhe pastaj do të hatërmbeten shumë më tepër sesa do të gëzohen”, unë nuk heq dorë nga ky gabim edhe mos t’i mbetet hatri askujt këtu, por një shembull unë dua ta sjell se e kam dhe shumë të freskët.
Isha së fundmi në celulën elektorale të Kamzës dhe si gjithnjë kur shkoj atje në atë bashki, dola me shumë energji pozitive dhe në radhë të parë sepse PS e Kamzës është kthyer në një vatër të madhe kulture politike dhe organizative, ku për ata që nuk e dinë dhe e shohin nga larg duket sikur është zona ku udhëheq Rakip pasha, por ku në fakt tonin e japin gratë dhe vajzat.
Dhe nuk është e rastit që sot këtu janë tre shoqe dhe vetëm një shok nga Kamza dhe më shumë akoma edhe deputetja më e re e listës tonë për 11 majin është pikërisht një 20 vjeçare e forumit rinor të Kamzës. Tani kjo për të gjithë ata që e kanë idenë se me çfarë lidhej fjala Kamëz deri para disa vitesh dhe jo më për ne që na ka çuar rruga, na ka çuar detyra në rrugët qorre të Kamzës asokohe është diçka që nuk mund të imagjinohet apo jo?
Por kur mendon se në këtë rast nuk është diçka simbolike, por në këtë rast është pasqyra e një realiteti komplet të ri, ku pikërisht falë afrimit, falë pranimit, falë mobilizimit në numra, por dhe në cilësi shembullore të grave dhe vajzave të Kamzës, PS ka krijuar atje vlerën e shtuar sociale që e ka përmbysur totalisht realitetin e zymtë të asaj zone, të asaj zone, që deri dje ishte shëmbëlltyra më triumfale e kënetës në çdo drejtim dhe kjo është sot, jo vetëm që është e imagjinueshme, por është e prekshme, reale atje dhe në një fare mënyre është e detyrueshme për të tjerët që ta marrin kazmën si shembull rrezatues për gjithë organizatën e partisë tonë.
Dhe nëse ajo që deri dje, mund të dukej një mrekulli e parealizueshme në praktikë, është bërë reale pikërisht në Kamëz, Kamzën e burgosur në dekada brenda mureve të një patriarkalizmi asfiksuese, atëherë ju të parët, gratë dhe vajzat e PS duhet të jenë më të bindura se çdokush tjetër dhe pastaj të gjithë shokët tanë të armëve duhet të binden që nuk ka pikë, nuk ka mal, nuk ka luginë, nuk ka qendër, nuk ka periferi në territorin e 28 mijë kilometra të Shqipërisë, ku nuk mund të ndizet me të gjithë forcën e vet drita e barazisë gjinore, që e ka bërë PS e Kamzës, jo një skuadër fituese, por një skuadër kampione.
Dhe ajo çka gratë dhe vajzat mund të sjellin për PS dhe për Shqipërinë, përmes PS është një vlerë e shtuar, është një vlerë shumë e veçantë shumë special, që me gjithë dëshirën e madhe, burrat dhe djemtë nuk e krijojnë dot pa gratë dhe vajzat. Burrat dhe djemtë mund ta krijojnë këtë që po them pa gratë dhe vajzat aq sa mund të krijojnë familje.
Ndërkohë që, fakti është që kudo dhe kurdo se kjo ka shumë rëndësi, që burrat dhe djemtë të ndjekin të njëjtën rrugë që ka ndjekur Rakip Suli në Kamëz, duke e mbështetur vendosmërisht afrimin e grave dhe vajzave në parti dhe duke iu besuar atyre tamam si dibran i qutë, shumë përgjegjësi rezultatet janë mbresëlënëse. Ja dhe për shembull një tjetër shembull, i krijuar, jo nga lidershipi i një burri, po i vetë grave.
Shikoni Bulqizën, një bashki e drejtuar historikisht nga burrat, ku një grusht burrash atje e kishin bërë si me detyrim,përcaktim për të gjitha partitë politike, “o një nga ne, o ne i hudhim votat te të tjerët”.
Dhe sot falë kurajës së drejtueses politike të Dibrës, Belindës që vuri një bast shumë të madh, duke mbështetur një kandidaturë të paimagjinueshme për atë territor atje, të një gruaje, Bulqiza drejtohet pikërisht nga ajo grua. Dhe zgjedhja e saj u përcaktua, në radhë të parë, nga një mobilizim i madh i grave dhe nga një çlirim psikologjik pastaj i shumicës, jo vetëm gra, por edhe burra e djem, që i braktisën ata copë burra atje të bërë bashkë për të venë veton sa herë vinin zgjedhjet.
Ose ja ku e keni “Mamicën” këtu që është kthyer si hapesë dyersh të pahapura prej vitesh nga Kamza, në Shkodër me fitore kuptohet dhe tani në Kavajë, ku unë për veten timen mezi prej të shikoj ca do dali në 11 maj, aq më tepër në kushtet ku këneta ia gëlltiti Kavajës “mu në thellësitë e zorrëve të veta” fituesin e primareve të gjithë Tiranës.
Tani mos duartrokisni se është gjynaf ai i shkreti se ai besoi te primaret edhe përfundoi duke u bluar në zorrët e kënetës që i la me të dy gishtat në gojë demokratët e sinqertë kavajas, ndërsa ne i kemi dhënë atij qyteti dy deputete në listën e mbyllur që i kanë deputete, Elisën dhe Ilvën, kryetaren e Kuvendit dhe zëvendës ministren e turizmit dhe dy kandidatë burra, ish-kryeministrin, kryeministren e Luftës së Kosovës shoku Pandi, Lili, po dhe një djalë nga Kavaje. Pra, 4 me 0 është niveli i vlerësimit dhe i respektit për Kavajën thjesht vlerësim dhe respekt mes Partisë Socialiste dhe kënetës madhështore.
Nuk po vazhdoj tani më tutje me shembuj të tjerë. Ka akoma, edhe pse s’ka aq sa unë do të doja për hir vërtetës, por po e mbyll këtë parantezë duke iu thënë të gjithë atyre që i bien fyellit, tani më prej shumë vitesh po në të njëjtën vrimë, se me demek, kjo parti që për të vërtetën se ka pasur problematikën e vet si e gjithë shoqëria në një fazë të caktuar, “ka mbështetjen e krimit”, prandaj është e pathyshme. Dhe këtë e thonë pa pushim njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkë, me pushkët e shtetit apo ata që pastaj mllefin e pangushëllueshëm e kanë si motiv për t’u zgjuar në mëngjes, edhe për të pritur deri në darkë, kur turret nëpër ato moçalet e kënetës mediatike për ato llomotite analitike, që nuk ka asgjë më larg të së vërtetës nga kjo. Sepse e para askush, askush, asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin, siç kemi bërë dhe po bëjmë ne. Por e dyta ata le të vazhdojnë t’i bien atij fyelli, ndërkohë që arsyeja pse ne jemi të pathyshëm dhe garancia më e madhe e Partisë Socialiste në çdo përballje zgjedhore, jeni dhe bëheni gjithmonë e më shumë ju, gratë dhe vajzat e armatës tonë fitimtare.
Ju sot keni 71 përfaqësuese në skuadrën tonë kombëtare të 11 majit dhe keni 1/3 e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, por shifra më e bukur është 52 % kuptimplotë në listën e mbyllur, i cili është i juaj, jo i burrave dhe i djemve. Unë kam besuar gjithmonë që hendekun absurd të tifozllëkut, konfliktualitetit, luftës së ftohtë mes kampeve politike këtu në Shqipëri, trashëguar nga e kaluara mund ta ngushtojnë vetëm gratë dhe vajzat. Kurajoja qytetare e Zamirës, dekanes së ekonomikut dhe deputetes sonë në listën e Vlorës, për të na u bashkuar ne, duke ardhur nga kampi tjetër, unë jam i bindur që nuk është asnjë rastësi, asnjë rast i veçuar i një momenti elektoral, ndërkohë që gra dhe vajza të kampit tjetër u janë afruar apo dhe bashkuar disa njësive tona elektorale, edhe në 3 apo 4 qarqe të tjera.
Unë i falënderoj ato që të gjitha dhe i siguroj që nuk do bëhen kurrë pishman. Madje, është e bukur se kur i kam takuar, më thoshin, ne nuk e dinim që ishte kështu Partia Socialiste. Unë i thoja: Prit se s’keni parë gjë akoma dhe dua të falënderoj edhe një herë forumin rinor të Partisë Demokratike të Vlorës, ku pikërisht një vajzë, kryetarja e forumit që për hir të vërtetës na e ka bërë malore garën në Vlorën 2021-n dhe njëkohësisht edhe nënkryetarja e rinisë demokratikase në shkallë vendi, Sara hodhi një hap shumë kurajoz të lëvizjes së gjithë forumit në krahun tonë. Jo për t’u anëtarësuar në Partinë Socialiste dhe as për të ndërruar bindjet e tyre, po për ta vënë Vlorën dhe për ta vënë Shqipërinë në BE mbi kënetën dhe sigurisht, edhe veten e tyre, duke e braktisur kënetën, ku praktikisht dhe nuk është për të qeshur, u mbytën në mënyrën më të pabesë të gjithë fituesit e sinqertë të farsës së primareve.
Ato primaret janë një spektakël bizantin, hipokrizie politike, që të kujton komisionin e festës së Ismail Kadaresë. Kush nuk i ka lexuar, i sugjeroj ta lexojë. Keni aty primaret, nga fillimi deri në fund.
Sot, Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetër grua socialiste, jam i bindur që nuk është aq e largët dita, sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të ketë edhe gruan e parë kryeministre dhe as nuk e diskutoj fare që do jetë socialiste.
Po shikoni se si ne kemi rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në kuvendet vendore, në këshillat bashkiakë, ku ka qenë Partia Socialiste gjatë gjithë kohës që ka tërhequr të tjerët dhe ku në mënyrë të vazhdueshme ne këtë e kemi vënë si kusht për të kaluar më tej në miratimet e ligjeve zgjedhore.
Në 2011 kishte vetëm 12 % gra dhe vajza, në 2015 kishte 35% gra dhe vajza, në 2019 kishte 43 % gra dhe vajza, dhe në 2023 kishte plot 50 % gra dhe vajza, që është një risi historike për Shqipërinë, por është edhe një risi absolute për gjithë rajonin tonë, ku asnjë nga vendet e tjera, as nuk na afrohet në këtë aspekt.
Sot, në administratën publike, gratë dhe vajzat, janë më shumë se sa gjysma dhe po ashtu, më shumë se sa gjysma e drejtuesve në administratë janë gra dhe vajza.
Por unë, jam vërtetë shumë i inkurajuar nga një fakt tjetër, që numri i grave dhe vajzave sipërmarrëse në Shqipëri në drejtimin e ndërmarrjeve aktive, ka arritur në thuajse 30% dhe kjo është një shifër thuajse e paimagjinueshme, një tjetër shifër e paimagjinueshme, deri disa kohë më parë. Dëgjoni tjetrën; kur ne kemi ardhur në detyrë gratë dhe vajzat me uniformën e Policisë së Shtetit, ishin më pak se 5%, ndërsa sot, ato janë trefish dhe kontributit të tyre ia keni parë hajrin dhe në disa pozicione të posaçme që u krijuan për to, në ndihmë të grave të dhunuara apo në mbrojtje të fëmijëve të rrezikuar.
Ndërkohë që, publiku e ka pritur shumë mirë dhe ju e dini shumë mirë dhe përfshirjen e tyre në patrullën e pëgjithshme. 10% ishin gratë dhe vajzat në uniformë, në Forcat tona të Armatosura, sot janë mbi 20% por më e rëndësishme akoma është që 22% e tyre janë me gradë oficeri. Tani sinqerisht unë nuk e di, nëse ne do kishim arritur ta mbyllnim TikTok-un dhe t’i merrnim në mbrojtje fëmijët tanë nga kanosjet e rrezikshme të asaj platforme, pa ndjeshmërinë e posaçme të nënave të nxënësve dhe njëkohësisht të grave dhe vajzave mësuese, të cilat përbëjnë 80% të trupës kombëtare mësimore, por ajo që unë di është se mbështetja e tyre për idenë e mbylljes së asaj platforme ishte pothuajse 100%, ndërkohë që e burrave jo dhe aq. Unë di po ashtu që ndotësit më të mëdhenj të rrjeteve sociale nuk janë gratë dhe vajzat, apo jo?
Është tjetërkush, ashtu sikundër dhe ndotësit më të mëdhenj të gjithë mexhelisit të debatit publik dhe mediatik i përkasin botës mashkullore. S’po shkoj më tutje dhe jam i bindur që s’po them asnjë gjë të re këtu, por çfarë thashë dhe shumëçka tjetër që mund të thuhet për gratë dhe vajzat në raport me burimet e problemeve tona sociale, tregon thjesht se sa më shumë shoqëria jonë ta pranojë dhe ta mbështesë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, aq më mirë është edhe për burrat pa asnjë diskutim. Nga ana tjetër, njohja, mbështetja dhe promovimi i potencialit nga ne, Partia Socialiste, si forca më e madhe politike e shqiptarëve ka një rëndësi të posaçme për të adresuar problemet ende jo të pakta dhe jo të vogla të botës së grave dhe të vajzave në tërësi në botën shqiptare. Në të gjithë rrugëtimin tonë të shtetbërjes europiane, kur reformat shpesh të vështira, masat shpesh herë shtrënguese, mundësitë shpesh herë të pamjaftueshme që i kanë kufizuar jo pak dëshirat tona për të rritur më shumë shpenzimet buxhetore të shtetit në funksion të buxheteve familjare, ne nuk e kemi harruar asnjëherë, asnjë minutë se njerëzit janë arsyeja madhore e qeverisjes sonë dhe në këtë, Partinë Socialiste e ndihmon pikërisht krijimi i këtij kapaciteti shumë të posaçëm të burimeve njerëzore gra dhe vajza që ka në të gjitha nivelet.
Prandaj sot ne e kemi çuar buxhetin e shëndetësisë, pra e kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes sociale në 1 miliardë euro, prandaj dhe e kemi trefishuar buxhetin e ndihmës ekonomike, prandaj dhe e kemi katërfishuar buxhetin për shërbime dhe kujdesin shoqëror, prandaj kemi krijuar dhe financuar 84shërbime të reja sociale nëpërmjet Fondit Social për rreth 44 mijë përfitues, ku gratë dhe fëmijët, janë përfituesit kryesorë pa dyshim. Prandaj, ne e kemi dyfishuar ndihmën financiare për familjet me 3 apo më shumë fëmijë dhe për gratë kryefamiljare me 2 apo më shumë fëmijë; prandaj ne kemi krijuar programin e veçantë për mbështetjen me subvencione të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për gati 10 mijë nëna të papuna me 3 dhe më shumë fëmijë, për të cilat kemi financuar deri tani 25 milionë euro; prandaj kemi krijuar dhe fuqizuar në vazhdimësi programin e bonusit të bebes, duke mbështetur deri më sot, afro çerek milionë fëmijë të vegjël bebe me një vlerë që deri tani ka arritur 170 milionë euro.
Dhe prandaj në mandatin e 4, do ta zgjerojmë rrjetin e shërbimeve sociale me 40 shërbime të reja sipas hartës të nevojave territoriale, do krijojmë 20 ndërmarrje të reja sociale, ku do të punësohen dhe do të mbështeten në radhë të parë gratë dhe vajzat në nevojë.
Programi i ri kombëtar ‘’garancia për fëmijet’’, është një nga gjërat më të bukura të mandatit të 4.
E kemi hartuar sipas modelit të BE dhe do ta realizojmë në bashkëpunim dhe me bashkëfinancim me BE me synim që të mbështesim rreth 100 mijë fëmijë.
Njëkohësisht, mandati i 4 do të sjellë një lajm shumë të mirë për nënat e fëmijëve autikë apo me aftësi të tjera speciale për të cilët do ta rrisim mbështetjen aktuale deri në dyfishimin e saj. Parafytyrojeni se duket sikur ka qenë 100 vjet më parë po nuk ka qenë 100 vjet përpara. Kur ne kemi marrë detyrën kishte 0, asnjë mësues ndihmës në sistem për këta fëmijë dhe nënat jo vetëm që nuk merrnin asnjë lloj ndihme të asnjë lloj natyre për fëmijët e tyre, por duhet të linin punën, duhet të ndërprisnin çdo lloj karriere , duhet të mbylleshin tërësish në shtëpi dhe të bënin një luftë të jashtëzakonshme për të rritur këta fëmijë.
Ne, jo vetëm që kemi vendosur për herë të parë mësuesin ndihmës në shkollë dhe kemi ndërtuar një program të tërë për trajnimin dhe fuqizimin profesional të këtyre mësuesve, po sot nuk kemi asnjë shkollë në Republikën e Shqipërisë ku ka fëmijë të tillë dhe s’ka mësues ndihmës. Dhe sot, janë 2100 mësues ndihmës që do të thotë, kemi një mësues ndihmës për 2 fëmijë të tillë në shkollë por ama nuk do të ndalemi këtu, do të shkojmë më tutje, ashtu sikundër nuk e di a patë, kemi filluar ndërtimin e klasave për fëmijët e shtruar në pediatri, klasa të veçantë me kurrikul të veçantë që nga një anë do të ndihmojnë që fëmijët të mos mbeten prapa në mësime, nga ana tjetër do t’u krijojnë atyre hapësirë për krijimtarinë artistike dhe mbi të gjitha do t’u japin atyre ndjesinë që ata janë të mbështetur nga shoqëria dhe shoqëria po i pret të rikthehen. Boll të shikosh programin e shërbimeve të veçanta shëndetësorëe për gratë për të kuptuar se sa e rëndësishme është gjithë kjo që kemi bërë, kur shikon shifrat në pamje të parë janë shumë të bukura por po të shohësh se çfarë implikimesh kanë pastaj të gjitha këto shifra, është vërtetë diçka historike ajo që kemi bërë. Programet e vaksinimit, programet e depistimit, shërbimeve të kujdesit para dhe pas lindjes, programet e IVF, si dhe programet e mbështetjes për të gjitha ato nëna dhe ato vajza që përballen me kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës, janë programe të cilat na kanë krijuar bindjen në dobishmërinë e tyre sepse kemi ndryshuar jetën e shumë njerëve ,e shumë grave dhe shumë vajzave. Tani çfarë mund të thuash, se është vërtetë për të vënë duart në kokë po e mira jonë është që këta nuk i kemi përballë, i kemi shumë prapa kështu që ne nuk kemi pse humbasim shumë kohë e të ndalojmë e t’u themi ‘’ej, po shiko se kjo nuk është kështu’’ se para ne kemi vetëm sfidat tona dhe kemi horizontin e Shqipërisë 2030 në BE, por kur flasim ndërkohë që nuk jo ndërtuan, jo rindërtuan por nuk normalizuan një maternitet të vetën ,një , nuk kishte Shqipëria një maternitet ku të mos të të vinte zor dhe mos të të vinte dhe për vjellë nga stresi kur duhet të kapërceje pragun dhe ku lavdi zotit kishte dhe ka mjekë dhe mami heronj dhe heroina se unë nuk e di, nuk e di se ku e gjejnë kurajën ndërkohë që sot ne kemi 6 maternitete tërësisht europiane dhe së shpejti do hapim dyert e një vepre të re në maternitetin tradicional të vjetër, historik “Mbretëresha Geraldinë” që është vërtetë një strukturë që tregon në të gjitha anët vlerësimin, ndjeshmërinë dhe respektin tonë për gratë, për vajzat, për nënat, për bijat.
Tek programet e nxitjes së punësimit, përmes trajnimeve profesionale, përmes programeve të vetë-punësimit, përmes subvencionimit të pagesave për kopshte dhe çerdhe, mbulimit të kostove të transportit e kështu me radhë, ne kemi arritur që numri i grave të punësuara të jetë 63% dhe 28% ishin përfituesit nga programi i start-up në 2024 gra dhe vajza, në programin dhe thirrjen e këtij viti shkuan në 41% gra dhe vajza.
Kemi vite tanimë që japim tekstet falas. Duket sikur ka qenë gjithmonë aty por në fakt nuk ka qenë gjithmonë aty, të gjitha familjet, pavarësisht të pasura apo të varfra, nëse do të çonin fëmijët në shkollë duhet të blinin librat e çfarë librash, qamet. Qameti kushtonte shumë para. Deri tani ne kemi paguar 80 milionë euro për thuajse çerek milion nxënës që çdo vit marrin librat falas. Për herë të parë ky shtet jep bursa për nxënësit që vijnë nga komunitetet rome dhe egjiptiane, janë 3500 bursa që marrin fëmijët e familjeve në nevojë dhe që marrin fëmijët e familjeve rome dhe egjiptiane dhe unë jam shumë krenar që kemi kandidaten e parë rome për deputet në historinë e Republikës së Shqipërisë, një vajzë absolutisht e shkëlqyer në çdo drejtim, Ina Majko nga Delvina. Kemi hapur një program të ri të detyrave të shtëpisë në shkollë që është një histori suksesi që zgjerohet vit pas viti dhe që i ofron një mbështetje të madhe prindërve por tani ka ardhur koha që duke filluar nga bashkitë qendër qarku të fillojmë programin jashtëzakonisht të nevojshëm për prindërit dhe sidomos për nënat të vaktit të drekës në shkollë në mënyrë që prindërit dhe nënat që shkojnë në punë të mos kenë asnjë shqetësim ose asnjë nevojë të shkëputen nga puna se po del fëmija nga shkolla por fëmijët të tranzitojnë nga orët e mësimeve përmes drekës në shkollë në orët e pasdites ku kemi krijuar edhe hapësirë për sportin, janë 12 mijë fëmijët sot të angazhuar në ekipe sportive në shkolla, duam dhe do të shtojmë disiplinat se nuk do bëhen të gjithë volejbollistë dhe basketbollistë dhe duam që këtë numër ta çojmë në të paktën 20 mijë.
Ndërkohë që nga ana tjetër do të zgjerojmë më tutje programin e artit dhe të zejeve në shkollë si dhe programin e fermës në shkollë por nuk janë vetëm mësuesit për fëmijët me aftësi speciale por janë edhe psikologët dhe punonjësit socialë që ne i kemi futur nëpër shkolla dhe i kemi shtrirë në të gjithë rrjetin tonë arsimor bashkë me oficerët e sigurisë që janë një komponent i ri që do të shtrihet më tej në ndërkohë që do të mbështeten dhe siguria në shkollë do të mbështetet nga një sistem tërësisht inovativ kamerash inteligjente jo vetëm në shkollë, në oborr, në korridor por dhe në çdo klasë dhe kështu, falë edhe partnerit shumë të sigurt që kemi, qeverisë së Emirateve të Bashkuara, mbi projektin dhe financimin që e kemi të garantuar do të realizojmë një projekt sigurie për shkollat që do të jetë avangardë të paktën për rajonin tonë.
Tani, kur shikon që kemi ndërtuar 53 spitale dhe nga këto, 10 spitale janë ndërtuar krejtësisht rishtaz se nuk kanë ekzistuar ndërkohë që 43 të tjerët janë shembur komplet dhe janë bërë nga e para praktikisht dhe kur ke përballë ose nga mbrapa specie që kuak-kuak-kuak për shëndetësinë, lind një pyetje “Na tregoni kur është ndërtuar në Shqipëri spitali i fundit para se ne të merrnim detyrën? Na tregoni një spital që është ndërtuar nga e para përpara se ne të merrnim detyrën?”
Duhet të hedhim vështrimin shumë e shumë vite më parë, duhet të shkojmë në vitet ’70, duhet të zbresim në vitet ’60, duhet të kalojmë në vitet ’50, duhet të kalojmë luftën sepse nuk është aspak humor. Në spitalin e Korçës, sot kantieri ynë vë dorë të shtetit pas 100 vjetësh, para 100 vjetësh është vënë dora për herë të fundit.
450 shkolla të reja dhe kopshte, të gjitha europiane dhe jo shkolla si në çdo vend dhe si kudo në Europë por shkolla si shkollat e mira të Europës dhe 200 të tjera janë në plan të ndërtohen në mandatin e katërt.
Ndërkohë që jam shumë i energjizuar dhe më vjen shumë mirë ta ndaj me ju sot faktin dhe këtu do ta mbyll me këtë pjesë se ju e dini që unë flas shkurt faktin se, se nuk qëllon ndonjëherë të flitet në mënyrë shteruese për gjithë këto gjëra se ky është vendi i duhur, koha e duhur, me njerëzit e duhur, faktin që e kemi hapur trasenë për të ndërtuar 2 ose 3 aleanca shumë të mëdha strategjike që do ta shndërrojnë, mbajeni mend sot këtë fjalë dhe në 2030, me ndihmën e zotit do shikohemi përsëri se do vijmë të mbështesim kryeministren grua. Do fillojnë të gjithë tani ku, ku, do shikohemi përsëri në 2030 falë… (ja, keni parë, a mund të imagjinoni të shkoni në një takim të madh dhe një grua të fërshëllejë?)
Dihet. Tha Elisa, vetëm unë jam këtu. Por jo, qenka dhe një bilbil tjetër këtu.
Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do ta shndërrojmë në ekselencën e rajonit tonë. Do të bëhet falë gjithë bazës që kemi vendosur dhe po ju them kemi bërë shumë diskutime, kanë bërë vizita ata me të cilët ne duam të bëjmë këto aleanca dhe po ua them sinqerisht janë impresionuar nga situata e Qendrës Spitalore Universitare sepse nuk e mendonin në atë nivel investimesh, por do ta bëjmë Qendrën Spitalore Universitare që askush të mos ketë nevojë të shkojë askund për të marrë shërbimet më të specializuara, por t’i marrë këtu në Shqipëri.
Paralelisht me Qendrën Spitalore Universitare do të bashkëngjisim me Universitetin tonë të Mjekësisë, një nga universitetet më të mira të Europës dhe Universiteti ynë i mjekësisë do të bëhet një destinacion akademik, jo vetëm për studentët shqiptarë, por për studentë nga gjithë Europa këtu në Tiranë.
Tani të dashura shoqe fillon fjalimi i dytë.
4 vjet më parë, është e rëndësishme apo jo? 4 vjet më parë ishte një kohë kur ne po dilnim nga perimetri i një tërmeti shkatërrimtar dhe ishim në mesin e pandemisë, që gjunjëzoi gjithë botën dhe bënim fushatën me maska dhe distanca sociale. Dhe sot, kur sovrani popull do hyjë në ditët e reflektimit dhe të gjykimit 30 ditor para se të thotë fjalën e vet në 11 maj, ne, ka nevojë si gjithmonë në këto raste, që të kujtohemi vet se nga çfarë jemi nisur, çfarë kemi kaluar për të arritur këtu dhe pastaj të kujtojmë dhe të tjera. Se vetëm duke mos harruar nga vijmë mund të shohim me qartësi ku jemi dhe mbi të gjitha mund të projektohemi me siguri në të ardhmen.
4 vjet më parë, si sot, Shqipëria ishte peng, ishte kapur peng nga dinamikat brenda BE dhe procesi i fillimit të negociatave merrej dhe kthehej mbrapsht, duke u refuzuar herë një vend, herë të dy vende, prapë ai vendi tjetër, që vinin veton për arsyet e tyre dhe e vërteta është që dhe vet BE nuk ishte entuziaste për të nxitur zgjerimin
Ne nuk u dorëzuam asnjë ditë dhe të gjitha ato zhgënjime nga ato refuzime arbitrare, si dhe gjithë atë helmin që pastaj përgatitej dhe hidhej këtu në të gjitha pjatat e shqiptarëve sa herë hapnin penxheret e atyre berberhaneve televizive, e kthyem në një forcë të shtuar dhe vazhduam e vazhduam me një ide të vetme.
Ne duhet t’i shikojmë të gjitha hapat që bën një vend kur hap negociatat dhe duhet ti bëjmë njësoj sikur i kemi hapur.
Kur ata të vijnë të jenë gati, ne do jemi shumë më përpara sesa të rrimë të presim të fillojmë kur ata të jenë gati. Dhe faktikisht kështu ndodhi. Nga ana tjetër, e ngritëm Shqipërinë çdo vit edhe më lartë, emrin e Shqipërisë dhe pozicionin e flamurit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, aty ku s’kishte qenë kurrë më përpara, deri në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ndërkohë që, Tiranën këtu e kthyem në pikën e referimit ndërkombëtar për rajonin dhe erdhën në Shqipëri për herë të parë të gjithë udhëheqësit e BE në të parën mbledhje jashtë BE. Por s’kishim parë asgjë akoma as ne vetë, se në 16 maj, në këtë 16 maj, pesë ditë pasi ju ta keni hedhur atë pëlhurën rozë në gjithë Shqipërinë, mu këtu, ku jeni ju sot, do jenë të ulur për shfaqjen e mirëseardhjes të gjithë udhëheqësit e gjithë vendeve demokratike të Europës për samitin e komunitetit politik europian. Ndërkohë që në 2027 tek sheshi përballë do zbarkojnë të gjithë udhëheqësit e aleancës e atlantikut të Veriut për samitin e NATO-s në Shqipëri.
Negociatat i hapëm dhe sot jemi aty, ku as nuk mund të imagjinohej fare kur ne morëm detyrën, Shqipëria ishte një emër që vetëm i shkaktonte stres të huajve dhe vlerësohej më shumë si problem i Europës, sesa si një anëtar i mundshëm i familjes europiane.
Sot e kemi në tavolinë planin e dakordësuar me BE për t’i mbyllur negociatat për dy vjet dhe për herë të parë, kemi në dorë ne, unë, ju, të gjithë dhe të gjitha ato që janë jashtë, një mundësi historike, reale, aktuale që të hyjmë në BE, brenda kësaj dekade. Sepse yjet janë rreshtuar në favorin tonë, për herë të parë janë rreshtuar yjet në favorin tonë se për herë të parë nuk jemi vetëm që duam të hyjmë sa më parë në BE, por për herë të parë është dhe BE që do të na marrë në gjirin e vet.
Dhe prandaj po negociojmë si të çmendur, për ta mbyllur në tre vjet një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tepër. Se meqë ra fjala, se para ca ditesh e ca javësh doli këneta: nuk ka më konferenca, nuk ka më hapje kapitujsh të tjerë. Madje bufi tha që mua më kishin dënuar, më kishin lënë pa ngrenë se isha sjellë si bandit. Kur sot u publikua data 14 prill, domethënë të hënën për konferencën e katërt dhe do hapim një seri tjetër kapitujsh.
Tani, ju i dëgjoni me siguri, nuk do i diskutoj fare ata që thonë po çfarë është ky muhabet. “Edi Rama 12 vjet kishte kohë të na fuste në BE, tani thotë më jepni dhe një mandat tjetër dhe 4 vjet se tani do ju fus në BE”. Thuajuni atyre që Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012 ku ne nuk kishim ardhur akoma në qeveri. Dhe Shqipëria, jo vetëm që nuk ishte vend kandidat, por ishte dele e zezë.
Sot ne jemi në të njëjtën pozicion me Malin e Zi dhe së bashku me Malin e Zi konsiderohemi dy vendet më pranë hyrjes së BE. Kur t’ju tundin kokën si kompetent se e kanë këtë, sidomos burrat shqiptar që bëjnë kompetentin dhe sa më pak dinë aq më kompetentë janë, thuajini që Serbia i ka nisur negociatat në 2014 dhe deri dje, ne Serbisë i shikonim targën, kur i thonë tiranasit këtu se ishte shumë përpara, ndërsa sot Serbia është mbrapa nesh.
Dhe ne jemi vetëm dy vjet larg nga mbyllja e negociatave.
Ndërsa kemi dhe një fqinj tjetër, Maqedoninë. Ndërruan emër ata, imagjinoni ju. Imagjinoni ndonjëra nga ju të ndërrojë emër për të marrë burrë? Nejse një dashuri e madhe mund ta bëjë, por në fund fare parafytyrojeni të ndërrosh emër për të marrë burrë dhe burri të thotë nuk të dua. Ndërruan emër në 2005-ën. Më fal, ishin kandidat në 2005, ndërruan dhe emër dhe janë prapa nesh. Prandaj, kush e do Shqipërinë në BE? Kush e do këtë vend të bëjë prokopi, duhet ta dojë më shumë se partinë, duhet ta dojë flamurin kombëtar më shumë se flamurin e kënetës, sidomos dhe të çdo moçalishteje rreth saj, se janë krijuar edhe këto moçalishtet e reja, që të re kanë vetëm moshën e bufit të vogël aty. Dhe duhet si qytetar të na bashkohet në 11 maj, njësoj siç u bashkuan shumë njerëz si qytetar me PD-në në vitin 1992, sepse më shumë sesa më pëlqen PD-ja, s’më pëlqen PD-ja vendimtar në atë moment ishte fakti se ishte koha e duhur, vendi i duhur për t’u ndarë njëherë e mirë nga një epokë e për të hapur një epokë të re dhe PD-ja ishte e vetmja zgjedhje e duhur. Po njësoj është sot Partia Socialiste, e vetmja zgjedhje e duhur në vendin e duhur, në kohën e duhur për të vazhduar punën ditë-natë për të mbyllur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kështu, ata që do ta dëgjojnë këtë apel, nuk do të bëhen anëtar të PS-së, as s’do të vendosin të ndërrojnë emrin në teserën e partisë, ta mbajnë. Madje madje ta mbajnë teserën e partisë, po ta thajnë kënetën që të shpëtojnë dhe Partinë e tyre dhe t’i japin shtysë vendit. Por më e rëndësishme të ndihmojnë që Shqipëria t’i japi një mesazh përtej kufijve partiak të gjitha vendeve të BE-së. “Ne populli shqiptar pa dallim bindjesh partiake e duam Shqipërinë sa më parë në familjen e bashkuar europiane”.
Tani e keni dëgjuar bufin ju kur flet, se për hir të vërtetës unë nuk e ndjek, por më vijnë këto memet, ato zërat. Edhe më thonë që i fiket llamba çdo ditë, ka një fikje llambe dhe ikën, kishte thënë për shembull “taksat i vjedhin qytetarët” natyrisht është llamba që fikët, nuk është se ai vërtet e mendon këtë.
Po keni dëgjuar që thotë tani nuk është prioritet tani hyrja në Bashkimin Europian, prioritet është Shqipëria madhështore. Po kur thonë do ta shkrimë SPAK-un në 12 maj, e keni dëgjuar? Po kur flasin për Amerikën dhe presidentin amerikan sikur e kanë një komshi që hyjnë e dalin për salcë kosi e keni dëgjuar?
Edhe për të krijuar idenë që vërtet hyjnë e dalin për salcë kosi në Shtëpinë e Bardhë, sa në kënetë, sa në Shtëpinë e Bardhë, sa në Shtëpinë e Bardhë, sa në kënetë, kanë paguar me të gjithë puplat e kokës, edhe të trupit të bufit, edhe një këshilltar që e quajnë edhe magjistari dhe përpiqen t’ë trullosin kë t‘munden, erdhi Sherifi, erdhi Latifi, erdhi Sherifi, erdhi Latifi.
Bufi e di këtë, ju siguroj unë që e di më mirë se unë, më mirë se unë, më mirë se ju, më mirë se të gjithë, që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën në 11 maj, duhet të ketë më të madhen që nga ‘97. Magjia do t’i ndodhi problemi është do i ndodhi s’prapthi, edhe pastaj hajde dëgjoji kur dalin thonë “na kanë bërë magji”, “na i morën”, “i kishim aty në kuti”, “na i vodhën”.
Po tani harrojini të gjitha, zëreni se nuk janë ata që janë. Tani, si mundet seriozisht se kam me ju, e kam me ata që duhet ta dëgjojnë këtë, si mundet që një njeri normal shqiptar se shqiptarëve në përgjithësi s’ia ha qeni shkopin, që ka minimumin e respektit për veten e vet. Pra, që pranon të mbylli sytë, pranon të mbylli veshët, pranon dhe ta talli çik veten, se hajt mos jemi bashkë, po tallemi çik, po sidoqoftë, deri këtu. Si mund ta marri seriozisht dhe t’i japë votën një forcë politike që e quan veten aleanca madhështore? Unë jam shumë i habitur, vërtetë! Të ulesh të mendosh si do ta quajmë, ç’a emri do i vëmë kësaj “madhështore”. Ne jemi madhështorë, do ta bëjmë Shqipërinë madhështore dhe pastaj, slogani thotë për Peqinin madhështor, për Mamurrasin madhështor, për Shkodrën, Vlorën madhështore, për Shqipërinë madhështore, këtë lloj fushate dhe këtë lloj slogani e prodhon vetëm një çmendine. Vetëm një çmendine, aty ku njëri thotë jam Napolon Bonoparti, tjetri thotë jam Gjon Kastrioti vetëm aty.
Si mund të dalë tashi njeriu nga shtëpia, imagjinoni ditë e diel, çohet njeriu, zgjohet, vishet, me burrat e kam, se gratë nuk kanë për të shku atje, unë e di. Gratë nuk kanë për të shkuar atje, po do ta shikojmë rrugës, po me burrat – rruhet, qethet, rregullohet, vishet, shkon atje, edhe hedh votën në një kënetë kaq madhështore, edhe kthehet krenare dhe thotë, mbaroi, sot mbaroi, u mbyll epoka, e Edvin Kristaq Ramës. Si ka mundësi? A i ka vërtetë Shqipëria kaq shumë budallenj mendoni ju? Sinqerisht! A ka kaq shumë budallenj në Shqipëri që ta bëjnë gjithë këtë? Se që ka në krye të këtyre një tufë delirantësh, që mendojnë që janë madhështorë dhe që do bëjnë madhështinë gjithandej këtë e morëm vesh, po janë kaq shumë budallenjtë që do t’i shkojnë mbrapa? Ky do jetë kurioziteti më i madh i 11 majit.
Megjithatë, kjo është rruga e tyre, është rruga e fatit të tyre, e kanë zgjedhur vetë t’i shkojnë deri në fund, ne nuk i pengojmë. Si gjithmonë, premtime përbetime madhështore deri në ditën e zgjedhjeve, pastaj do të dëgjojmë thirrjet madhështore në darkë, fituan, fituan, ik, ik, ik, ik, largohu, fituam. Do dalin dhe ca makina madhështore me ca flamuj, edhe do t’i bien ca burive madhështore. Dhe pastaj fillojnë klithmat madhështore për vjedhjen madhështore të një fitoreje madhështore deri në zgjedhjet e tjera.
Ne kemi rrugën tonë, s’ka lidhje me këta fare, e cila këtë herë është shumë e veçantë, sepse është nuk është rruga e një fitore e thjeshtë aritmetike për partinë tonë, por është rruga për një fitore gjeopolitike për Shqipërinë tonë.
Prandaj, në 11 maj, të gjitha ju drejtueset dhe koordinatoret e Partisë Socialiste, së bashku me të gjitha gratë dhe vajzat, kryetaret e organizatës socialiste, së bashku me të gjitha anëtarët e familjes tonë. Duhet të shkoni derë në derë dhe të mos lini, mos lini shoqe, mos lini fqinje, mos lini kunatë, se kunatat janë më të rëndësishme dhe më të rrezikshme, mos lini të njohur, mos lini nënë e vajzë, pa i thënë që nuk ka asgjë madhështore askund, ka vetëm një gjë kombëtare patriotike qytetare për të bërë, për t’i dhënë një shtysë negociatave për të mbyllur procesin. Dhe kjo lidhet me të gjithë votuesit shqiptarë, siç lidhet me çdo votues, edhe nevoja që të jetë qytetari i barabartë i Bashkimit Europian. Prandaj mos harroni dhe diçka tjetër, që këto zgjedhje janë zgjedhjet më të rëndësishme për votuesit e parë.
Votuesit e parë janë një kategori më vete, ju e dini shumë mirë se shumica juaj i ka dhe çunat dhe gocat, gocat është më ok po çunat votues të parë, por është shumë e rëndësishme që të gjithëve t’u tregohet , t’u flitet nënave të tyre dhe t’u thuhet ça rëndësie, ça vlere konkrete ka hyrja e Shqipërisë në BE për familjen e tyre po sidomos për fëmijë e tyre: t’u tregoni që ajo pritja në aeroport apo port në Itali, në Greqi; hyrja në çdo pikë në BE ku ka 35 vjet, që sa zbresim atje na tregojnë me gisht, thonë dilni një çikë atje. 35 vjet. Edhe na fusin në një radhë si delet ndërkohë që italianë e grekë e ku di unë, ikin, avullojnë, edhe fillon një histori kontrolli ku po shkon, ça do bësh, kush të ka ftuar, a ke lekë a s’ke lekë, sa lekë ke, a je i sigurtë që i ke po se mos ke më shumë, po a ke hotel dhe pastaj kur do kthehesh, kur do ikni? Keni dëgjuar ju ndonjëherë të prisni dikë te dera dhe t’i thuash kur do ikësh? Kjo mund të marrë fund dhe fundi i kësaj fillon në 11 maj ashtu sikundër t’u tregoni e t’u shpjegoni se dëgjoj që thonë ‘’po ç’na duhet ne pasaporta, ne kemi pasaportën. Ne s’kemi viza. Ne viza s’kemi për të lëvizur por ama ne nuk kemi të drejtë të ndalojmë, ne jemi ik dhe kur do ikësh, ndalo-kur do kthehesh? Prandaj ne duhet të investojmë votën në 11 maj që çdo shqiptar dhe çdo shqiptare të ketë atë pasaportën e BE dhe në momentin që tek ajo pasaporta të shkruhet dhe Bashkimi Evropian krahas Republikës së Shqipërisë, ne jo vetëm që nuk kemi më ato korridoret e veçanta dhe hyjmë e dalim në çdo kufi të BE por kemi dhe liri të ndalojmë në çdo vend të BE, ku të duam, me pasaportën , me këtë pasaportë Shqipëria bëhet sa BE dhe BE bëhet sa Shqipëria faktikisht sepse nuk ka më asnjë pengese, asnjë dallim, asnjë kufi si të nisesh nga Shkodra të shkosh në Korçë, që asnjeri s’të thotë ku po shkon e as kur do të kthehesh, mund të nisesh nga Tirana të shkosh në Lisbonë, të shkosh në Varshavë, mund të shkosh në Paris, mund të shkosh në Berlin, mund të shkosh në Stokholm, është e njëjta gjë komplet dhe për fëmijët që janë sot 14, 13, 12, 11, 10 edhe më poshtë dhe që nesër prindërit duan t’i çojnë të studiojnë në BE, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë mund të studiojnë në çdo universitet njësoj me ato kushte e me po ato tarifa si studentët e BE dhe jo më si studentë të huaj, me tarifa të tjera, me kuota, kur do kthehesh –sa do rrish, e kështu me radhë. Por edhe për punën, me atë pasaportë çdo shqiptar mund të shkojë dhe të tentojë të punojë ku të dojë, në çdo vend, me të njëjtat të drejta dhe të përfitojë të njëjtat sigurime shoqërore dhe shëndetësore të atij shteti ku punësohet në BE.
Po ashtu edhe hyrja dhe dalja në shumë vende që s’janë në BE na lehtësohet me atë pasaportë ndërkohë që ndryshon komplet qasja ndaj institucioneve të ligjit dhe të gjitha të drejtat përpara atyre institucioneve janë të garantuara njësoj si të drejtat e çdo qytetari tjetër, sa herë na ndodh ne që një qytetar shqiptar ka një hall nga institucionet atje dhe nuk e zgjidh dot; jo ambasada, jo shteti, jo portalet, ndërkohe që kur ke atë pasaportë, ato institucione janë të tuat.
Të gjithë emigrantët sot në Greqi kanë problemin e pensionit. Ne kemi filluar të negociojmë me Greqinë, mezi e mbyllëm me Italinë. Burokracira italiane pa fund, kalo këtu e kalo aty, dje është vënë dhe firma e fundit mesa jam i informuar por u them emigrantëve, nëse ne në 11 maj marrim një mandat shumë të fortë dhe mbyllim negociatat në 2027 dhe Shqipëria bëhet anëtare e BE , pensionet e të gjithë atyre që jetojnë në BE, shqiptarëve, njihen automatikisht dhe madje ti nuk ke nevojë të marrësh pasaportën italiane apo greke, që të konkurrosh si qytetar i BE në zgjedhjet vendore atje. Do të bëhesh kryetar komune, kryetar bashkie, do të bëhesh anëtar i këshillit, nuk ke nevojë për pasaportën italiane apo greke, mjafton ajo shqiptarja me BE.
Po kështu me atë mund të konkurrosh për të shkuar në Parlamentin Europian. I vetmi nivel kur duhet pasaporta e atij vendi është kur do të bëhesh deputet në atë vend ndërsa Shqipëria do të ketë përfaqësuesit e vet në PE. Do të ketë përfaqësuesin e vet në qeveri, në Komisionin Evropian. Prandaj duhet çuar mesazhi shumë fort dhe duhet çuar në zemrën e çdo vajze, duhet çuar në mendjen e çdo gruaje shumë qartë. Për t’iu dhënë pasaportën e BE, brenda kësaj dekade na duhet thjesht mandati i 4 por na duhet një mandat i 4 jo aritmetikisht por një mandat i katërt më i fortë se 3 mandatet deri sot, prandaj kush e do atë pasaportë duhet të votojë PS, duhet t votojë numrin 5 dhe ky është ylli ynë në BE. E kemi në dorë, e kemi në dorë dhe për demokratët është më e thjeshtë se dora i bie të jetë blu se blu është flamuri i BE-së, kështu që këtë yllin që na ka ardhur në dorë , ne nuk do ta lëshojmë por duhet ta mbajmë fort në dorë, ta çojmë dhe ta vendosim në qiellin e BE. Tani ka disa që thonë ‘’po ç’na duhen ne pasaporta e BE, ç’na duhen ne të gjitha këto,ne do rrimë në Shqipëri. Ç’na duhet ne BE? Se edhe këta këneta, thonë ne na duhet Shqipëria. Tani për Shqipërinë, duhet t’i thoni që ne nuk duam të anëtarësohemi ne BE dhe s’duam të anëtarësojmë Shqipërinë në BE që Shqipëria të ikë në ndonjë vend tjetër. Ne duam që ta sjellim BE këtu, që Shqipëria të jetë pjesë e BE. Duke u bërë pjesë e kësaj familjeje, atëherë ne kemi një Shqipëri më të sigurtë, kemi një Shqipëri më të drejtë, kemi dhe një Shqipëri më të mirëqenë. Pse më të sigurtë? Sepse në kohët që po vijnë për botën, ne shohim që do jetë shumë sfiduese situatat dhe prandaj dhe BE po shtrëngon gjithë radhët dhe po synon dhe të zgjerohet për të rritur kapacitetet mbrojtëse. Duke krijuar bazën tani për një mbrojtje europiane që të operojë edhe pavarësisht nga NATO, pra është çështje sigurie dhe për herë të parë qysh nga 1983kur bëhet anketa për mbështetjen e popujve të BE për BE, për herë të parë, sot mbështetje e popujve të BE për BE është më e larta se ç’ ka qenë që nga 1983 sepse të përkëdhelur nga shumë të mira, s’kishin parë ndonjëherë as luftë, dukej lufta që është dokumentar bardhë e zi, filluan ta kuptojnë dhe tani po e shohin që kjo BE, nuk është një shtëpi nga e cila duhet të ikim siç ikën britanikët dhe s’po dinë ku kanë kokën akoma. Kjo BE është shtëpia ku duhet të jemi të gjithë së bashku dhe për ne shqiptarët, kjo është dhe më shumë se kaq. Skënderbeu kur ishte që i vuri barrikadë perandorisë, s’kishte BE por ama i vuri gjoksin dhe mbrojti Europën; kur Ismail Qemali ngriti flamurin, s’kishte BE por ama sytë ishin nga Europa; kur rilindasit vendosën alfabetin dhe i dhanë frymë rilindjes kombëtare s’kishte BE po Naim Frashëri tha: “dielli për ne lind andej nga perëndon’’. Ky është një amanet i vjetër, nuk është një histori kaq muhabet portalesh dhe socialesh ndërkohë që për drejtësinë ne na duhet BE patjetër. Si mund të rrimë ne, si mund ti lini ju nënat e këtij vendi, fëmijët, në mëshirën e kujt do vijë në qeveri, jo e shkriva SPAK-un, jo e vura, jo e pranova, jo nuk e pranova drejtësinë e pavarur, jo ia dhanë shpatën, jo ia morën shpatën.
Ne morëm një vendim historik dhe hodhëm një hap historik si PS. Dorëzuam tek drejtësia shpatën e ndëshkimit që rrinte tek zyra e kryeministrit, që nga 1912. Nuk ka pasur në Shqipëri ndonjëherë prokuror të pavarur e gjykatës të pavarur që të thërrasin në pyetje, që të hetojnë apo dënojnë figura të lidhura me pushtetin politik. Keni parë? Ka pasur mbret, diktator dhe një president, sot është i transformuar në buf kënete, që kanë goditur kundërshtarët politik.
Nuk është rastësi që Shqipëria të burgosurin e fundit politik e ka pasur në periudhën pas shembjes së diktaturës, Fatos Nanon, sepse shpata e drejtësisë ishte në dorën e të parit të qeverisë. Ne e dorëzuam shpatën, por që ta garantojmë që ajo shpatë nuk kthehet më kurrë në duart e pushtetit politik, duhet të hyjmë urgjentisht në BE, se vetëm aty nuk të lënë. BE-ja njerëzve të këtij vendi u duhet për lirinë individuale që mos e vëri në diskutim asnjë njeri, kjo nuk është çështje e Edit apo tjetrit. Kjo është çështje e institucioneve që ne nuk i kemi akoma aq të forta, që në BE, ndryshon. Kjo është çështje e barazisë para ligjit, që BE-ja e garanton dhe është çështje mirëqenieje sepse imagjinoje, gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare, ne kemi pasur diçka më shumë se 1 miliard euro mbështetje nga BE-ja. 90% kredi të buta, por kredi. Në momentin që hyjmë në BE, kemi diçka më shumë se 1 miliard çdo vit, 90% grant.
Në gjithë këto vite për bujqësinë, ne kemi marrë nga BE-ja shumë më pak se 200 milionë euro. 300 milionë euro në vit i marrim sapo bëhemi anëtar ët BE-së. Të gjitha këto janë absolutisht të thjeshta, të kuptueshme dhe të mjaftueshme që njerëzit të mos hyjnë nëpër dilema absurde, a me BE-në apo me kënetën, se kaq e qartë është kjo zgjedhje.
Dhe duket iu afruar fundit, dua t’ju them, të dashura mike të shtrenjta, e duke ju falnederuar dhe për durimin, se ne kemi shumë arsye për të qenë krenarë për se si i kemi kthyer në punë dhe rezultate shumë të mëdha për Shqipërinë mandatet e një pas njëshme. Se si e kemi ulur borxhin publik më pak se 55% kur e gjetëm thuajse 80% dhe kur kaluam dhe përmes një tërmeti e pandemie që na u desh ta ri-rrisim për të financuar gjithë ato operacione. Se si të ardhurat për frymë i kemi trefishuar, nga 3324 euro në 10342 euro. Dhe të paktën 15 mijë euro do ti bëjmë në Shqipërinë 2030. Se si kreditë e këqija i kemi ulur nga niveli i frikshëm, i rrezikshëm për gjithë sistemin tonë financiar, se vetëm atë gjë di të bëjë bufi i kënetës, të rrëzojë sistemin financiar, 25%, në më pak se 5% sot që është normë normale. Se si pagën mesatare në sektorin publik nga 372 euro, sot e kemi ngritur në 1000 euro dhe sot mësueset e Shqipërisë, e kanë pagën mesatare 950 euro, shumë më tepër se 1000 euro e kanë mjekët dhe diçka tek 800 euro e kanë infermierët.
Ndërkohë paga e përgjithshme mesatare, pra kombinuar, ishte 322 euro. Sot është 830 euro. Ndërkohë që në Shqipërinë 203, pagën e kombinuar mesatare do ta kemi pa diskutim 1000 euro, minimumi dhe ajo xhevahiri i kurorës është prodhimi i përgjithshëm bruto, ishte më pak se 10 miliardë, në 2024 e mbyllëm me thuajse 25 miliardë.
Pra pa u zgjatur shumë, arsyet e krenarisë dhe rezultatet e mëdha që kemi arritur me 3 mandate që na kanë dhënë shqiptarët, janë shumë, por unë dua t’ju falënderoj dhe t’ju përqafoj dhe t’ju përcjell për sot me arsyen e arsyeve, sipas meje, arsyeja e arsyeve për të cilën unë mendoj që ne socialistet dhe progresistët shqiptarë kemi t gjithë të drejtën për të parë në sy çdo shqiptar kur i kërkojmë votën për mandatin e katërt. Ajo është ngritja e dinjitetit të Shqipërisë në këmbë. Ngritja e dinjitetit të Shqipërisë nga një shkarravinë, në një linjë të drejtë ën sytë e të huajve dhe fakti që ne i dhamë marrëdhënieve tonë ndërkombëtare një shije që nuk e ka patur kurrë nëna Shqipëri, shijen e respektit të munguar gjithmonë. Sot Shqipëria respektohet, vlerësohet dhe dëgjohet si asnjëherë më parë dhe pa diskutim në këtë arsye të arsyeve unë besoj që ato të cilat e kuptojnë më mirë se çfarë po them, janë pikërisht gratë dhe vajzat, sepse përpjekjet e grave dhe vajzave gjatë gjithë këtyre viteve shtet bërjeje demokratike, lufta për të qenë të palënduara në dinjitetin njerëzor dhe për të shijuar respektin reciprok si një kushte themelor i bashkëjetesës shoqërore, janë simetrike, janë si dy pika uji me përpjekjen e Shqipërisë së këtyre viteve për të ndryshuar cilësisht bashkëjetesën e saj ndërshtetërore. Shqipëria në raport me të huajt në gjithë ato vite ka vuajtur ekzatësisht atë që keni vuajtur shumë nga ju në raport me botën hajvanë mashkullore shqiptare e po ashtu, unë besoj për këtë arsye që sapo përshkrova, shqiptarët e Europës janë të dytët pas grave dhe vajzave në Shqipëri e në Europë që e kanë pasur hall më vete vendosjen e dinjitetit dhe të ndjerit të barabarta në një shoqëri kaq mashkullore, që sot ata nuk i shmangen më pyetjes nga je dhe nuk e ulin më kokën kur flitet për Shqipërinë sepse Shqipëria që nuk e merrte askush seriozisht, sot i bën krenar që të gjithë. Prandaj për këtë që thashë e për ato që thashë më parë e për të tjera që koha nuk ma lejoi ti them, unë dua që bashkë me ju në 11 maj, ne të kemi një objektiv brenda objektivit, të marrim mbështetjen më të madhe ndonjëherë nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë.
Në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, sepse ju e dini prej kohësh, mbase e thashë dhe një moment dhe sot, por kush ka me vete gratë dhe vajzat, ka me veten energjinë më të mirë, më pozitive, më të shëndetshme të shoqërisë dhe lajmi i mirë është, pavarësisht problematikave të botës mashkullore është që burrat e djemtë e mençur shqiptarë e dinë shumë mirë këtë që unë thashë. Kështu që me 60% të grave e vajzave shqiptare e me 45% të burrave e djemve se të tjerët nuk i kemi mirë për momentin, ne bëjmë shumicën e fortë që i duhet Shqipërisë 2030.
Nëse sot mund t’i japim një kuptim duke aktualizuar atë ëndrrën vizionare të rilindësve për Shqipërinë zonjë, Shqipëria bëhet zonjë vetëm kur bëhet zonjë anëtare e BE. Dhe kështu ne çojmë në vend amanetin të cilin të gjitha zëmrat e pastra dhe të gjitha mendjet e ndriçuara të këtij vendi e kanë përcjellë brez pas brezi dhe siç ju thashë fati e ka dashur, fat shumë i madh që ne të qëllojë këtu në këtë kohë, në këtë vend dhe të jemi ne ata të cilëve fati na e ka dhënë në dorë yllin që na takon ne, ta ngjisim në majën e BE
Ju falënderoj shumë!
Me shumë keqardhje për ndërprerjet teknike. Me bindjen e plotë që ai ishte momenti që syri i keq na mori të keqen dhe plasi dhe me premtimin që këto 12 takime të njëkohshme me kryetarët, me drejtueset, me koordinatorët e PS, me forcat komando të PS, do ti bëjmë në të 12 qarqet, me të gjitha gratë anëtare të PS dhe do të ndezim zjarrin më të madh femëror në historinë e zgjedhje. Dhe do te jenë gratë dhe vajzat që do ta prezantojnë bufin me Noc Rrokun. Unë ju përshëndes dhe ju përqafoj.
Top Channel