
Petar Bogojeski është emëruar në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet të Maqedonisë së Veriut.
Petar Bogojevski është lider i partisë “Koncepti Maqedonas” dhe para se të merrte këtë detyrë ishte këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskit.
Por, reagimet ndaj këtij emërimi kanë qenë të ashpra nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, teksa Bogojeski është kritikuar vazhdimisht për përdormine gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në vend.
Sipas Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhja e Bogojevskit është ofendim dhe nënçmim ndaj shqiptarëve.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Veçanërisht ironike dhe tragjike është që ky individ ka qenë objekt i kallëzimeve penale pikërisht nga partitë e VLEN-it në Qeveri – dhe sot, me mbështetjen e tyre, shpërblehet me një funksion udhëheqës”, thanë nga BDI.
Sipas tyre, ky akt është një sinjal i qartë se fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore.
“Është një mesazh i rrezikshëm se kushdo që dëshiron të ndërtojë karrierë politike, mjafton ta poshtërojë popullin shqiptar”.
Një reagim të ashpër ka bërë edhe shkrimtari Kim Mehmeti, duke hedhur akuza edhe ndah VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës.
“Këto ditë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka emëruar për udhëheqës të Agjencisë për Fondet Arsimore Evropiane një njeri që shqiptarët i ka barazuar me kafshë më neveritëse që bëjnë seks me dhitë. Dhe tani do ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë gjatë dekadave të shkuara në raste të tilla; Kryeministri do shtiret se nuk a ka ditur, e këta paçavuret e VLENIT do lëvdohen se e kanë çuar të kërkojë falje këtë monstër me fytyrë njeriu.
Ku ta dish, mbase edhe nuk ndodh asgjë e papritur në një shtet që i paguan shtrenjtë vasalët shqiptarë, që i shërbejnë për ta mbuluar antishqiptarinë që shpërblehet dhe mbështetet institucionalisht. Pra ndodh ajo që pritet t’u ndodh atyre që ndjehen si të pa mëmëdhe, që kanë pas shpine Kosovën e Shqipërinë, por të cilat nuk e përkrahin popullin e vet, por qeverinë e këtij shteti të zgjebur.
Pra, është duke ndodhur diçka e pritshme nga një shtet ku çdo gjë është e përkohshme përpos antishqiptarisë, të cilën këta të VMRO-DPMNE’së e kanë në gjen”, shkruan Mehmeti, në një status në rrjetin social “Facebook”.
Qëllimi i Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit në RMV.
Përmes këtyre programeve Agjencia Kombëtare synon të kontribuojë në zhvillimin e komunitetit si një shoqëri e bazuar në njohuri të avancuara, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punë më të mira dhe kohezion më të madh shoqëror, duke siguruar mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm dhe veçanërisht shkëmbimin, bashkëpunimin dhe mobiliteti në fushën e arsimit dhe trajnimit.
Top Channel