
Një nga veprat simbol të qytetit të Durrësit, skulptura urbane e “Peshkatarit” është dëmtuar sërish. Vepra ndodhet në shëtitoren bregdetare Taulantia, pranë “Sfinksit”, një zonë shumë e frekuentuar nga qytetarët dhe turistët.
Skulptura ishte restauruar për herë të dytë në më pak se një vit dhe ishte rikthyer në vendin e saj. Megjithatë, mbrëmjen e kaluar, ajo ka pësuar sërish dëmtime.
E realizuar nga skuptori Dylber Neziri, kjo skulpturë urbane u vendos buzë detit në vitin 2016 duke u shndërruar shpejt në një simbol për qytetin. Por ajo është dhe një nga skulpturat më të dëmtuara në qytet, së bashku me skulpturën e këngëtares Tina Turner.
Një muaj më parë, u dëmtuan nga persona të panjohur edhe skulpturat e Tina Turner dhe John Lennon, të vendosura në fillim të shëtitores “Taulantia”, pjesë e kompleksit artistik urban të figurave të njohura të muzikës botërore.
Këto ngjarje ngrenë shqetësimin për mungesën e masave mbrojtëse dhe nevojën për ndërgjegjësim qytetar mbi rëndësinë e artit publik, i cili jo vetëm pasuron estetikisht hapësirat urbane, por edhe ruan kujtesën kolektive të qytetit.
Top Channel