
Mark Samson, autori i vrasjes së shqiptares Ilaria Sula i ka dërguar një letër nga burgu familjes së 22-vjeçares, ku kërkon falje.
23-vjeçari me origjinë filipinase, i arrestuar në burgun Regina Coeli në Romë, po monitorohet nga afër nga frika se mund të kryejë akte vetëlëndimi.
“Unë jam Mark Samson dhe po shkruaj nga qelia ime ku do të qëndroj për disa vite. Çdo ditë mendoj për krimin mizor që kam bërë dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di se çfarë më ka ndodhur. Është banale të kërkoj falje për dhimbjen që kam shkaktuar, por dua t’i kërkoj falje Ilarisë dhe nuk desha ta lija.
Unë jam çmendur nga pikëllimi dhe kam humbur kontrollin. Jam i vetëdijshëm se asgjë që mund të them apo të bëj sot nuk do ta lehtësojë qoftë edhe pak dhimbjen e familjes.
Nuk po përpiqem të zvogëloj përgjegjësitë e mia apo të shpëtoj nga pasojat e veprimeve të mia. Jam gati të paguaj mëkatet e mia pa asnjë justifikim. MS”, ka shkruar ai sipas medias italiane.
Por sipas familjarëve të Ilaria Sulës, letra nuk mund të fshijë mizorinë e asaj që ka ndodhur.
Përmes avokatit të tyre, Giuseppe Sforza, familja i është përgjigjur të riut:
“Teksti i kësaj letre duket më shumë si një pasqyrim i vetes së tij, pa asnjë vëmendje reale ndaj peshës së veprës së kryer. Secili ka të drejtën të shkruajë, por gjithashtu prindërit e Ilarias, gjithë familja e saj, vëllai dhe të tjerët, kanë të drejtën të mos i pranojnë këto ndjesa”.
Letra nuk fshin mizorinë e asaj që është kryer”, theksohet më tej.
Ekspertiza e urdhëruar nga Prokuroria Publike e Romës për pajisjet e Ilaria-s dhe celularin e Mark Samson-it do t’i japë elemente të mëtejshme.
Versioni i ofruar hetuesve nga i dyshuari paraqet aspekte që nuk janë bindëse dhe analiza e tabletit dhe PC-së së sekuestruar nga shtëpia e Sulës dhe e smartfonit të Samsonit mund të rezultojë thelbësore.
Top Channel