
Presidenti i SHBA Donald Trump, pasi u ankua për këtë çështje për vite me radhë, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për të hequr kufizimet e presionit të ujit, duke thënë se ai dëshiron “të kujdeset për flokët e tij të bukur”.
Urdhri ekzekutiv i Trump anulon masat për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujit të marra nga dy presidentët e mëparshëm demokratë, Barack Obama dhe Joe Biden.
Siç deklaroi Shtëpia e Bardhë, Trump “do t’i japë fund luftës Obama-Biden për presionin e ujit dhe do t’i bëjë përsëri dushet e Amerikës të shkëlqyera”.
“Mbirregullimi mbyt ekonominë amerikane, fuqizon burokratët dhe mbyt lirinë personale,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Presidenti amerikan i kërkoi Departamentit të Energjisë të shfuqizonte rregulloren e miratuar fillimisht nga Obama dhe të rivendosur nga Biden, e cila kërkonte që kokat e dushit të shkarkonin deri në 9.5 litra ujë në minutë.
Urdhri i Trump heq kufizimet për të gjitha pajisjet që përdorin ujin, nga tualetet tek lavastoviljet.
“Në rastin tim, më pëlqen të bëj një dush të këndshëm, të kujdesem për flokët e mi të bukur”, shpjegoi Trump gjatë nënshkrimit të urdhrit.
Ai shtoi se sipas rregulloreve aktuale ai duhet të bëjë dush për 15 minuta, duke e quajtur situatën qesharake.
“Ne do ta rrisim vëllimin e ujit që rrjedh nga dushet”, theksoi ai.
Top Channel