“BE-në e shoh si bllok, jo si kombe individuale”, Trump: Ishin gati për tarifa hakmarrëse, derisa…

10/04/2025 20:48

Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se “të gjitha vendet janë të ndryshme” kur bëhet fjalë për negocimin e tarifave, por jo Bashkimi Evropian.

“Çdo vend është i ndryshëm. Disa kanë disa avantazhe që të tjerët nuk i kanë”, tha Trump gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa fliste për negocimin e tarifave pas ndalimit të tarifave të tij “reciproke” për 90 ditë.

Megjithatë, kur u pyet nga një gazetar i Shtëpisë së Bardhë, nëse Bashkimi Evropian do të trajtohet si bllok ose kombe individuale për tarifat, Trump u përgjigj shpejt, “një bllok”.

“Ne po e shohim atë si një bllok, ata kanë qenë shumë të ashpër”, tha Trump.

Presidenti vazhdoi të pretendonte se tarifat e tij hakmarrëse ndaj Kinës, tani të paktën në 145%, e bënë BE-në të ndalonte kundër-tarifat ndaj SHBA-së.

BE-ja njoftoi më herët sot se do të ndalonte tarifat e saj hakmarrëse të SHBA “për t’i dhënë një shans negociatave”, siç tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ata ishin të gatshëm të shpallnin hakmarrje dhe më pas dëgjuan për atë që ne bëmë në lidhje me Kinën. Ata thanë me vete, ne do të përmbahemi pak”, tha presidenti.

“Shikoni, BE-ja është shumë e zgjuar, por ata me të vërtetë kanë përfituar nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta