
Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza ndaj Policisë së Shtetit gjatë prezantimit të programit të rendit dhe sigurisë.
Sipas tij rendi dhe siguria në vendin tonë janë në duart e krimit. Kryedemokrati tha se kreu i Policisë së Shtetit bashkëpunon me bandat kriminale.
Berisha: Së pari, dëshiroj t’u përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes të gjithë ish-anëtarët e forcave të Policisë së Shtetit, të cilët qëndruan në përputhje me detyrën, virtytin dhe ligjin kundër krimit të organizuar për sigurinë dhe rendin.
Përshëndes po ashtu ata anëtarë të policisë që sot bëjnë çdo përpjekje për të zbatuar ligjin në kushtet më të jashtëzakonshme.
Përshëndes të gjithë anëtarët e departamentit për të gjithë këtë program që kanë hartuar për rendin dhe sigurinë.
Dhe ju siguroj se për PD-në, qeverinë e saj, rendi dhe siguria do të jenë përparësia absolute më madhore.
Në një narkoshtet, siç është Shqipëria, i pari dhe i vetmi në Europë, Europa ka pasur lloje të ndryshme shtetesh demokratike, ka pasur diktatura naziste, staliniste, teokratike, junta ushtarake, por nuk ka pasur kurrë narkodiktaturë, nuk ka pasur kurrë narkoshtet.
Ndaj dhe një nga shtyllat kryesore të programit tonë, ne kemi përcaktuar pastrimin e shtëpisë sonë si kusht i domosdoshëm për një Shqipëri Madhështore. Si kusht i domosdoshëm për një Shqipëri në të cilën jeta e individit, veprimtaria e tij të jenë të garantuara, të sigurta.
Në të cilën investitorët e huaj të vijnë të sigurt në Shqipëri për të vendosur investimin e tyre, ëndrrën e jetës së tyre, çka sot jemi në një situatë krejt të kundërt. Jemi në një situatë ku për fatin më të keq, rendi dhe siguria janë tërësisht në duart e krimit.
Ku në qeveri ka ministra që janë marrë me porosi vrasjesh. Ka ministra që janë marrë me benefite nga trafiku i drogës.
Vetë kryeministri është një padrino që mban koordinator për veprimtarinë e bandave.
Vetë kryeministri është shndërruar në kryebashkëpunëtorin e organizatave kriminale më të fuqishme shqiptare, të cilave po u krijon mundësinë e artë të investimit të miliarda eurove të tyre në Shqipëri, në këto kulla që mbijnë dhe tani që do fillojnë të përhapen në qytete të tjera.
Në këto kulla, të cilat janë monumentet më të shëmtuara të drogës dhe krimit. E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Ky drejtor Matriksi, edhe dje arrestuan një bashkëpunëtor të tij trafikant dhe u bë reprezalje tek oficerët e policisë që e arrestuan atë për lirimin e tij.
Rendi dhe siguria në Shqipëri janë absolutisht në duart e krimit. Krimi urdhëron emërimin e drejtorëve, shkarkimin e tyre.
Krimi emëron deputetët. Siç Çyrbja ka shumë e shumë Çyrbe të tjera. Krimi urdhëron emërimin e ministrave. Në të vërtetë, kurrë ndonjëherë në Europë nuk ka pasur një regjim sipërmarrje e përbashkët mes pushtetit dhe krimit siç është kjo në Shqipëri.
Top Channel